EKONOMI

Zonat e rindërtimit, prishen ndërtimet pa leje

12:29 - 16.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Ndërtimet pa leje në zonat e planifikuara për ndërtim ose në zonat e reja për zhvillim përjashtohen nga procedurat e legalizimit të parashikuara në legjislacionin në fuqi për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje. Pronarët e shtëpive që do të shemben do të përfitojnë sipërfaqe ndërtimore në objektet e reja që do të ngrihen në këto zona, sipas kushteve dhe kritereve të këtij vendimi. Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje është 50 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje ose sipas normave në fuqi sipas legjislacionit për strehimin social. Ky është përcaktimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për zonat ku do të ndërtohen lagje të reja për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.




Skualifikimi i ndërtimeve
Procedurat për përjashtimin nisin me kërkesë të njësisë zbatuese. Brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës evidenton në terren ndërtimet pa leje në zonën për ndërtim/zhvillim dhe verifikon bazën e të dhënave të ndërtimeve pa leje, nëse për to është paraqitur aplikim për legalizim. Procedura e evidentimit shoqërohet me plotësimin/hartimin e këtyre dokumenteve: a) procesverbalin e evidentimit në terren, b) skicat fushore dhe c) genplanin e ndërtimit. Më pas drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kryen përjashtimin nga legalizimi për rastet e parashikuara në këtë vendim. Ky vendim i njoftohet subjektit posedues, sipas mënyrës dhe afateve të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative, si dhe njësisë zbatuese, së bashku me dokumentacionin e praktikës përkatëse. Deri në fillimin e zbatimit të projektit në zonën e re për ndërtim/zhvillim, sipas pikës 18, të nenit 4, të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, ndërtimi pa leje shfrytëzohet nga subjekti posedues. Gjatë periudhës të zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve) subjektet përfituese sipas këtij kreu, nëse nuk kanë në pronësi ose posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga shteti nëpërmjet programeve të rindërtimit të parashikuara në aktin normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.

Shkëmbimet e pronës

Shkëmbimi i pronës private, shtëpi individuale banimi dhe truall funksional, kur zona e re për zhvillim realizohet nëpërmjet ndërtimit të ndërtesave me njësi banimi (pallat) ose me shtëpi individuale banimi:
a) Në rast se prona private është shtëpi individuale banimi dhe truall funksional i shtëpisë, në territor urban (qytet) dhe territor rural (fshat) pronari privat kompensohet me sipërfaqe ndërtimi banesë në ndërtesën (pallat) ose shtëpi individuale banimi, pasuri shtetërore ose e ardhshme, sa sipërfaqja në metër katrorë e shtëpisë që ka në pronësi. Kompensimi me sipërfaqe ndërtimi banimi kryhet në përputhje me strukturën e njësive të banimit apo të shtëpive individuale të banimit, pronë shtetërore.
b) Për truallin në pronësi, pronari privat kompensohet në vlerë në masën që përllogaritet nga komisioni i shpronësimit duke iu referuar çmimeve që zbatohen në procedurat për shpronësimin me interes publik, sipas legjislacionit në fuqi ose me sipërfaqe ndërtimi banimi në ndërtesën (pallat) apo shtëpi individuale banimi që i korrespondon vlerës së kompensimit të truallit. Në këtë rast, vlera e sipërfaqes së ndërtimit përllogaritet duke përdorur si bazë çmimet e miratuara me vendim nga Enti Kombëtar i Banesave në fuqi në kohën e shpronësimit ose të shkëmbimit.
c) Në rast të mospërputhjeve si pasojë e strukturës së njësive të banimit apo të shtëpive individuale të banimit, kur rezultojnë sipërfaqe shtesë në pronën me të cilët kompensohet, pronari privat paguan për çdo metër katror shtesë çmimin e miratuar me vendim nga Enti Kombëtar i Banesave në fuqi në kohën e shpronësimit ose të shkëmbimit.
Shkëmbimi i pronës private, truall në territor urban (qytet) ose në territor rural (fshat):
a) Në rast se prona private është vetëm truall në territor urban (qytet) ose në territor rural (fshat) pronari privat kompensohet në vlerë në masën që përllogaritet nga komisioni i shpronësimit, duke iu referuar çmimeve që zbatohen në procedurat për shpronësimin, me interes publik, sipas legjislacionit në fuqi, ose me sipërfaqe ndërtimi banimi në ndërtesën (pallat) ose shtëpi individuale banimi që i korrespondon vlerës së kompensimit të truallit.
b) Në rast kompensimi të vlerës së truallit me sipërfaqe banimi, vlera e sipërfaqes së ndërtimit përllogaritet duke përdorur si bazë çmimet e miratuara me vendim nga Enti Kombëtar i Banesave në fuqi në kohën e shpronësimit ose shkëmbimit.
c) Në rast të mospërputhjeve si pasojë e strukturës së njësisë së banimit ose shtëpisë individuale të banimit në zonën e re, kur rezultojnë sipërfaqe shtesë në pronën me të cilët kompensohet, pronari privat paguan për çdo metër katror shtesë çmimin e miratuar me vendim nga Enti Kombëtar i Banesave në fuqi në kohën e shpronësimit ose shkëmbimit.
Shkëmbimi i pronës private, tokë bujqësore:
a) Për pronarët në territor rural, kur prona është vetëm tokë bujqësore dhe përfshihet në zonën e re për zhvillim, shkëmbimi bëhet po me tokë bujqësore në pronësi të shtetit, në territorin e së njëjtës njësi vendore ku ndodhet prona private që shkëmbehet, me të njëjtën sipërfaqe në pronësi private të përfituesit që shfrytëzohet për ndërtimet e reja.
b) Njësitë zbatuese bashkëpunojnë me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, për plotësimin e detyrimeve që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 4, të këtij vendimi, dhe i përcjellin informacion të plotë autoritetit përgjegjës mbi shkëmbimin me tokë bujqësore nëpërmjet dokumentacionit që shoqëron kërkesën për nisjen e procedurës së shpronësimit dhe/ose të shkëmbimit.
c) Në rast të pamundësisë për ta pajisur pronarin privat me tokë bujqësore, sipas parashikimeve të pikës 4, të këtij kreu, pronari privat kompensohet në vlerë në masën që përllogaritet nga komisioni i shpronësimit, duke iu referuar çmimeve që zbatohen në procedurat për shpronësimin, me interes publik, sipas legjislacionit në fuqi.
Shkëmbimi i pronës private, njësi banimi (apartament) me pronë në zonën e re për zhvillim:
a) Pronarët privatë që kanë në pronësi njësi banimi (apartamente) në ndërtesa banimi (pallate) në territor urban (qytet) ose territor rural (fshat), do të përfitojnë në shkëmbim të pasurive të tyre njësi banimi (apartamente) në ndërtesat që realizohen në zonën e re për zhvillim ose shtëpi individuale banimi në zonën e re për zhvillim sa sipërfaqja e banesës që kanë, në përputhje me strukturën e njësive të reja të banimit (apartamenteve) ose shtëpive individuale dhe truallin funksional të tyre që ndërtohen në zonën e re për zhvillim.
b) Në rast të mospërputhjeve si pasojë e strukturës së shtëpisë individuale të banimit ose të njësisë së banimit (apartament), kur rezultojnë sipërfaqe shtesë në pronën me të cilën kompensohet pronari privat si pasojë e shkëmbimit, pronari privat paguan për çdo metër katror shtesë çmimin e miratuar me vendim nga Enti Kombëtar i Banesave në fuqi në kohën e shpronësimit ose të shkëmbimit. Për pagesën e truallit, të shtëpisë individuale të banimit, pronari privat paguan çmimin për metër katror, sipas legjislacionit në fuqi për llogaritjen e vlerës së tokës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.