DOSSIER

“Zot i zyrës ishte Ramiz Alia”, Moikom Zeqo rrëfen mbledhjen e 20 shkurtit ‘91: Pas fjalimit tim, Nexhmije Hoxha iku e shqetësuar, braktisja ndihej nga të gjithë

14:14 - 16.01.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Libri më i fundit i Nexhmie Hoxhës, “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, ku ajo përshkruan jetën e saj politike dhe personale në krah të diktatorit Enver Hoxha, ka ngjallur debate. Për përshkrimin e ngjarjeve historike, si ai i rrëzimit të Bustit të Enver Hoxhës në datën 20 shkurt të vitit 1991, shoqëruar nga një mbledhje në një nga sallat e Byrosë Politike, të pranishmit ende në jetë kanë versionin e tyre të historisë.




I përmendur nga zonja Hoxha në rrëfimin e saj, euriditi Moikom Zeqo, asokohe kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, tregon të vërtetën e tij për ngjarjen. Duke theksuar se shkaku kryesor i asaj mbledhjeje ishte diskutimi për kërkesën e studentëve, për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, poliedriku rrëfen reagimin e zonjës Hoxha pas fjalimit të tij. Për këtë mbledhje të udhëhequr nga Ramiz Alia, Zeqo zbulon më tej komunikim radio të këtij të fundit me ish-ministrin e Punëve të Brendshme Hekuran Isain, në momentin e rrëzimit të bustit.

Po ashtu, studiuesi konfirmon fjalët e të vesë së diktatorit, për braktisjen që ju bë nga ata që ai i quan si “figura legjendare” të Enver Hoxhës. Profesor, në rrëfimin që zonja Hoxha i bën 20 shkurtit të vitit 1991, ju përmend edhe ju si të pranishëm në mbledhjen e organizuar nga Ramiz Alia, po atë mesditë. Çfarë ndodhi në atë takim? Lexova në një nga fragmentet e librit të fundit të zonjës Nexhmije Hoxha, përshkrimin që ajo i bën datës 20 shkurt 1991. Ajo përmend se në zyrën e Ramiz Alisë ishte edhe Moikom Zeqo, e më quan si sekretar të Partisë së rrethit të Durrësit.

Unë jam shprehur disa herë publikisht për datën e 20 shkurtit të vitit 1991 në zyrën e Ramiz Alisë, ku isha si kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve të Shqipërisë. Ishin aty edhe ministra të tjerë të ftuar, midis tyre dhe Namik Dokle. Zonja Nexhmije bën përshkrimin e mbledhjes në zyrën e Ramizit, por pa përmendur që kjo mbledhje urgjente ishte shtruar një çështje të mprehtë dhe emergjente, mbi kërkesën e studentëve për t’i hequr Universitetit të Tiranës emrin e Enver Hoxhës.

Ky qe edhe subjekti i mbledhjes. Unë jam ngritur në këtë mbledhje dhe kam thënë se duhet hequr emri i Enver Hoxhës Universitetit të Tiranës, madje kam shtuar se edhe vetë Enver Hoxha po të ishte gjallë, do ta bënte një veprim të tillë. Natyrisht, situata qe e tensionuar, Ramiz Alia me një telefon portativ në dorë komunikonte me Hekuran Isain, lidhur me ngjarjet që po ndodhnin në sheshin “Skënderbej”, kur turma njerëzish rrëzuan statujën e Enver Hoxhës. Mbaj mend se diskutimin tim e përkrahu ministri i Jashtëm i Shqipërisë asokohe, zoti Reiz Malile. Pas mbarimit të diskutimit tim, zonja Nexhmije u largua nga mbledhja tepër e shqetësuar. Kjo ka qenë e vërteta që ka ndodhur në zyrën e Ramiz Alisë, në datën e 20 shkurtit të vitit 1991. Por besoj se çdo gjë ka qenë e filmuar dhe e regjistruar fonetikisht.

Zonja Nexhmije, në rrëfimin e saj lidhur me këtë ngjarje, përmend edhe faktin se Ramiz Alisë i sjellin dy letra në atë mbledhje. E kujtoni diçka të tillë?

Atë nuk e di. Unë dëshmoj vetëm atë që di vetë. Në atë diskutim kishte anëtarë të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror, ministra, nuk ishte një zyrë shumë e madhe… Unë isha i ftuar si kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, pra ministër i Kulturës, anëtar i qeverisë, dhe kam thënë se kërkesa e studentëve për universitetin është e drejtë, ndaj duhet hequr emri “Enver Hoxha”.

Pati ndonjë reagim nga ana e Nexhmijes pas kërkesës suaj?

Jo, nuk pati. S’kam pasur kontakt me të…

Po për sa u përket të pranishmëve të tjerë, a pati ndonjë kundërshti?

Jo. Ajo që mund të them unë, është se diskutimin tim e përkrahu Reiz Malile. Ai tha: Moikomi ka të drejtë, duhet të jemi më të matur…

Pra, zonja Nexhmije në atë mbledhje ka qëndruar më tepër si dëgjuese?

Ajo ishte aty si një nga të ftuarat kryesore, por zot i zyrës aty ishte Ramiz Alia.

A pati ndonjë përplasje mes Ramizit dhe Nexhmijes?

Jo, nuk e kam parë diçka të tillë.

Po vetë Ramizi, si reagonte ndaj telefonatave që ju përmendni, kur informohej për rrëzimin e bustit?

Nuk dëgjohej zëri nga radiomarrësi… Hekuran Isai i tha: Ra statuja, si të veprojmë? Në këtë çast, Ramizi i përgjigjet: Sipas udhëzimeve.

“Por është një turmë e madhe, shikoje më me qetësi këtë çështje”, i tha ai. Dhe siç dihet, nuk pati reagim, Policia u tërhoq. Se çka ndodhur pastaj, para dhe pas rrëzimit të statujës, janë çështje ku nuk jam dëshmitar.

Zonja Nexhmije, në librin e saj, flet edhe për zhgënjimin ndaj anëtarëve të Byrosë, duke u shprehur se nuk e kanë përkrahur…

Kjo është e vërtetë, anëtarët e Byrosë, apo ata që konsideroheshin si figura shteti në atë kohë, rrinin si të trullosur. Unë pashë një rrëmujë të madhe, një mungesë qartësie, se si do të vepronin… Një mungesë qartësie në idetë e tyre. Kjo mua më krijoi një ndjenjë alergjie të madhe. Si ka mundësi këta njerëz, që ishin të frazave, të një lloj përkushtimi politik etj., qëndronin kaq të hutuar dhe s’dinin të thoshin asgjë.

Madje edhe lidhur me një diskutim të thjeshtë si ai i imi, ku u shpreha që kërkesa e studentëve të respektohej, pasi ata kishin hyrë në grevë urie për atë çështje. Dhe të mos harrojmë se kjo ngjarje ka ndodhur në 20 shkurt 1991, shumë më përpara se sa të reagonte PD-ja, përpara se të krijohej PS-ja, më 12 qershor të po atij viti etj. Ajo që unë mund të konfirmoj, është se ndihej ajo braktisja nga të gjithë, braktisja nga figurat “legjendare” të bashkëshortit të saj, për të cilën zonja Nexhmije flet në librin e saj.

Profesor, përpos diskutimeve që ka ngjallur libri i zonjës Hoxha, sot (dje) në Ditën e Republikës, 74 vite pas nga shpallja, ende diskutohet nëse duhet njohur kjo ditë si festë zyrtare. Nëse kthehemi pas në kohë, çfarë ndodhi konkretisht pas ‘44-ës me formën e shtetit shqiptar, për të arritur më tej te 11 janari i ’46-ës?

Pas ’44-ës, Lufta u fitua nga partizanët dhe kjo ka qenë një ngjarje shumë e madhe për gjeopolitikën. Nëse nuk do të ishte fituar kjo luftë, Shqipëria e Jugut do të kishte pasur probleme shumë të mëdha dhe kjo çështje është diskutuar deri në Konferencën e Paqes. Duhet ditur se teorikisht shteti ka dy forma, atë monarkike dhe formën republikane. Në vitin 1925, kur president ishte Ahmet Zogu, ne nuk patëm një Republikë Parlamentare të vërtetë, derisa më vonë u kalua në monarki.

Në 2 dhjetor të vitit 1945 u bënë zgjedhjet për të përcaktuar formën e shtetit. Ishte zgjedhur një Asamble Kushtetuese, me 82 deputetë nga të gjitha krahinat. Këto zgjedhje, për mendimin tim, kanë qenë demokratike, pasi janë vëzhguar edhe nga Aleatët e mëdhenj. Asokohe ka pasur përfaqësues të Amerikës, Britanisë, Francës etj., madje të pranishëm kanë qenë edhe gazetarë nga agjencitë kryesore të Europës. Me pak fjalë, shndërrimit juridik të karakterit të shtetit shqiptar i është dhënë vëmendje e madhe nga fuqitë e mëdha. Kështu, më 11 janar, një ditë pas mbledhjes së Asamblesë u vendos që Shqipëria të ishte republikë. Ky titulli pati një apelacion nga pas, pasi u konsiderua si Republikë Popullore. Si republikë ajo presupozonte të kishte Kuvend, por përcaktimi i vërtetë i pozitës, nuk mund të ishte Republikë Parlamentare, sepse fuqia më e madhe ekzekutive qe e partisë në pushtet.

Çfarë ndryshoi pas viteve ’90 në dokumente, por edhe në mënyrën e funksionimit të Republikës?

Pas përkufizimit si Republikë Popullore, e mandej socialiste, pas viteve ’90, apelacioni kryesor është Republikë. Nuk pati ndonjë vendim juridik të posaçëm, as ndonjë Asamble të re Kushtetuese, por në kushtetutat e bëra gjatë kësaj periudhe, edhe pse përmendet Republika e Shqipërisë, nuk përcaktohet data e formimit të saj.

A duhet ta njohim ne 11 janarin e vitin 1946?

Për mendimin tim, kjo është një datë që duhet njohur në histori, jo vetëm për formën se si u zgjodh Asambleja Kushtetuese, por edhe për sa i përket karakterit të shtetit si Republikë. Për shembull, konkretisht Italia, pas Luftës së Dytë Botërore, mbasi antifashistët italianë e çliruan vendin nga fashistët italianë (luftë, e cila nuk u konsiderua si civile), krijuan datën e tyre të Republikës Italiane. Ende sot ata e festojnë 2 qershorin e vitit 1946, si festën e tyre të Republikës.

Po kështu, edhe ne kemi sot një Republikë të Shqipërisë, a e mohojmë dot ne këtë datë?

Dhe nëse e bëjmë diçka të tillë, çfarë kuptimi ka? Fakti që në përmbajtjen e Kushtetutës përmendet forma e shtetit si Republikë, por jo data e krijimit, tregon një lloj frike.

Në shtetet moderne si Italia, Greqia, Rumania data e Republikës është festë zyrtare, ndryshe ndodh me ne. Jo se mohohet në dokumentin e Kushtetutës, aty thuhet Republika e Shqipërisë, por sikur nënkuptohet, se nuk guxon njeri të thotë se data është 11 janar 1946.

Ju thoni se zgjedhjet kanë qenë demokratike dhe nën vëzhgimin e fuqive të mëdha. Si e shpjegoni këtë hezitim për të njohur 11 janarin dhe cili është roli i historianëve në gjithë këtë?

Është një lloj kompleksiteti që ne kemi ndaj historisë. Zgjedhjet asokohe u vëzhguan dhe u përshëndetën nga shumë të huaj.

Ndërsa për sa u përket historianëve, për fat të keq te ne nuk i përfill askush. Për mendimin tim, ata që kanë vendosur më shumë mbi historinë, kanë qenë politikanët. Kjo është tanimë një çështje e ftohtë historike, jo një çështje konflikti konceptesh ideologjike. Krahas njohjes së datës, sa të implementuar e shikoni konceptin e Republikës Parlamentare në vendin tonë? Ne sot jemi një Republikë Parlamentare, ku duhet që Parlamenti të ketë fuqi më të madhe se Kryeministri apo Presidenti.

Mirëpo nuk ndodh kështu, alkimia politike e sotme, krijimi i maxhorancave në mënyrë të pabesueshme, të bëjnë të mendosh se ne jemi një Republikë Kryeministrore. Juridikisht nuk është e shkruar, por në realitet, ne kemi një Republikë Kryeministrore, pasi komandon një njeri i vetëm.

Mendoni se po bëjmë regres në këtë aspekt, pra Republika Parlamentare sot, ku rol dominues ka Kryeministri, ka ngjashmëri me ish-Republikën Popullore?

Jo, nuk mendoj kështu. Asokohe shteti ka funksionuar ndryshe.

Për sa i përket përqendrimit të pushtetit…

Në Republikën Popullore vërtetë ka ekzistuar një Parlament që aprovonte ligje, por pushteti ekzekutiv qe i një shteti monist. Në këtë këndvështrim, nuk mund të thuhet se qe një Republikë Parlamentare, madje unë jam kundër që të konsiderohet e tillë.

Përtej pjesës juridike, dëgjojmë shpesh të përflitet se edhe Parlamenti ynë aktual, për mënyrën se si po funksionon po reflekton karakteristikat e një shteti monist, sa me vend e quani një koncept të tillë?

Edhe pse juridikisht ne e quajmë Republikë Parlamentare, ky është një realitet politik dhe historik. Është prishur Gjyqësori, problematika ka edhe në media që konsiderohet si pushteti i katërt. Duket qartë se ka ngërçe, edhe për faktin se në Parlament, tanimë, janë gati të gjithë një ngjyrë.

A ka ndryshime juridike që janë dashur të bëhen pas ’90-ës dhe që nuk janë bërë?

Për mendimin tim, ne si të vetmin dokument substancial të shtetit, duhet të kishim Kushtetutën. Kushtetuta e Shqipërisë nuk është marrë shumë seriozisht nga shqiptarët dhe këtu kam parasysh ata që e kanë konceptuar, formuluar, institucionet e Kushtetutës etj. Shpesh, konceptet janë lënë të papërfunduara, kjo edhe për shkak të mungesës së përvojës apo paditurisë. Problematike janë edhe ndërhyrjet e shpeshta në Kushtetutë, të cilat vijojnë edhe sot. Më delikatet, unë do të konsideroja ndryshimet që janë bërë në 2008-ën. Në atë vit, ne minuam disa elemente substanciale të Kushtetutës, si për shembull votimin e lirë dhe të fshehtë. Listat e mbyllura u kanë dhënë kryetarëve të partive te drejtën e monarkut për të zgjedhur deputetët.

Krahas ngërçeve në Kushtetutë, në cilat elemente të tjera çalon Republika jonë Parlamentare, që përveçse de jure, të jetë e tillë edhe de fakto?

I mungon çdo gjë për mendimin tim, duke nisur nga estabilishmenti i vjetër politik. Pra, partitë si PS, PD, LSI, se të tjerat janë inekzistente, kanë dështuar në formulimin e një semantike të vërtetë republikane në Shqipëri.

Përgjithësisht, koncepti përqendrohet te kryetari i partisë, dhe partikracia e atij që ka pushtetin për të sunduar. Kështu funksionojnë të gjitha partitë, është i njëjti mentalitet. Nuk ekziston partia, por ekziston vetëm kryetari, dhe ky kryetar ka të drejtë të zgjedhë deputetë, ka të drejtë të zgjedhë edhe pushtetarët vendorë, ka të drejtë të vendosë dhe për ndryshimet në parti etj. Nuk besoj se me këtë estabilishment të vjetër politik ne mund të kthehemi te një koncept i vërtetë republikan i shtetit.

Ju thatë se Shqipëria po shfaqet më tepër si Republikë Kryeministrore, kujt i bie më shumë pesha e fajit që është e tillë, parlamentarëve të tjerë apo vetë Kryeministrit?

Unë them se faji është i të gjithëve. Nëse sot kemi arritur në një Kuvend njëpartiak (them kështu, sepse nuk besoj se opozita e re ka vërtetë deputetë), fajin më të madh e ka opozita. Opozita hoqi dorë nga titujt juridikë të deputetëve, duke shkelur rëndë Kushtetutën. Më tej, me zgjedhjet vendore, faji u dyfishua. Kjo sepse përveç faktit që në Parlament mbetën deputetët e një partie, asaj qendrores, humbën edhe titujt juridikë të kryetarëve të bashkive që kishte opozita.

Lënë mënjanë opozitën, nëse flasim për parlamentarët e tjerë të Partisë Socialiste, te të cilët ka një lloj pritshmërie, përfshirë këtu edhe socialistët e vjetër si Pandeli Majko, shpesh shtrohet pyetja: Ku janë? Përse nuk dëgjohet zëri i tyre?

Mos harrojmë se Partia Socialiste, nga viti 1992 deri në 1996-ën, ka qenë në opozitë. Mandej trysnia e egër e Berishës, bëri që të ishin pak personalitetet që do të rezistonin. Është e vërtetë se pjesa më e madhe e figurave të PS-së, pasi partia mori pushtetin, morën poste si ministra, kryeministra etj., por këta, për mendimin tim, nuk ishin personalitetet të vërteta. Në elektoratin e Partisë Socialiste ka pasur figura të ditura me përvojë, por figurat në pushtet kanë qenë gjithnjë të një niveli mesatar. Asnjëri prej tyre s’ka qenë personalitet i vërtetë, edhe pse mbijetuan.

Ata që kishin një lloj personaliteti u eliminuan që gjatë mandatit të parë në Parlament, ndërsa e vijuan rrugën figura që s’kishin ndonjë peshë. Mandej, raporti mes parlamentarëve, ministra, ish-ministra, ish-kryeministra me kryetarin e partisë dhe Kryeministrin aktual, qe i papërfillshëm. Rama e ktheu në zero këtë marrëdhënie, me pak fjalë, e transformoi në tjetër soj Partinë Socialiste. Nëse disa ide të tijat për të sjellë një lloj modernizmi dështuan, kjo ndodhi sepse ai nuk zgjodhi personalitete.

Pra, sado i zoti të jetë një njeri, nëse nuk ka pranë vetes një grup bashkëpunëtorësh me emër, është e pamundur të ketë sukses. Rama zgjodhi njerëz anonim, madje pati edhe një problem me moshat e mëdha. Unë mendoj se një njeri i moshuar apo me përvojë në politikë, mund të bëjë punë, pasi mund të ketë edhe më shumë vizion./panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.