KULTURË

SHUHET XHEVDET FERRI/ Xhepa: Vizita në spital, një mbyllje e shpirtit e dhimbje e tmerrshme për mua

12:04 - 17.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Fatmira Nikolli – “Xhoda është sëmurë. Është shumë rëndë”. Është e mërkurë pasdite, kur Ndriçim Xhepa merr një telefonatë të papritur. Në fillim stepet. Pastaj ngrihet nga divani, lë telekomandën, vesh pallton, këpucët dhe niset. Ka një nxitim në ecjen e tij nëpër rrugët e Tiranës të mërkurën mbrëma. Mjegulla sa vjen e i fsheh më shumë ndërtesat. “Duhet të jetë godina aty” thotë me vete. Korridoret e shkallët i duken më të ftohta. I shtrirë në një dhomë spitali. Hera e parë që nuk i fliste me gojë. Ai i trokiti në derë, hyri brenda dhe miku i tij i mirë heshtte. Asnjë tingull nuk dilte prej buzëve që kishin recituar dhjetëra role. Kishin qenë sa e sa herë përballë, kishin luajtur bashkë 4-5 filma që prej fillimviteve 1980. Orë të gjata xhirimesh, net të gjata bisedash, para një gote a disave të tilla. Kineastët, aktorët, ç’botë ëndrrash në çdo kohë! Kishin hedhur e pritur batuta që me të dalë në ekranin e madh bënin për vete publikun. Dhe ata ishin shpesh përballë, si antiteza të njëri-tjetrit.




Derisa një mbrëmje janari, ai nuk foli më. Ai, trimi i përrallës nga e kaluara, që kishte gozhduar në të ritë e tij shqiptarët pas bezes së bardhë. As sytë nuk i hapte. Ndriçim Xhepa doli nga dhoma e spitalit në korridor. Kërkoi me sy një mjek. Pastaj pyeti për të dhe gjeti një reanimator. U ndje ligsht nga përgjigjet dhe e gjeti veten pa fjalë. Asgjë nuk mund të thoshte. Askush nuk mund t’i përgjigjej batutës së tij. Miku i tij heshtte.

“Xhevdeti kishte disa ditë shtruar në spital. Unë e mora vesh të mërkurën dhe shkova në spitalin ku ishte shtruar. Mësova se ishte shtruar diku nga fillimi i vitit të ri dhe më erdhi keq që nuk e dija më parë, më erdhi keq që s’më kishin thënë me idenë që janë festa.

Shkova dhe hyra në dhomën e tij. E pashë dhe… as merrte, as jepte. Ishte në koma. Ishte e tmerrshme dhe e dhimbshme për mua. Mjeku tha që kishte shpresa shumë të vogla”. Nga ana tjetër e telefonit Xhepa hesht një çast. Është ora 18:45 e së enjtes. Lajmi se Xhevdet Ferri u nda nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë sapo ka dalë në media. Kur sapo e konfirmoj lajmin për “News 24”, telefonata e parë që bëj është ajo për Xhepën. Ai hap telefonin dhe thotë “E di ç’koinçidencë? Një pjesë e ekranit të ‘News 24’ jep lajmin e vdekjes e nga pjesa tjetër flitet për filmin e tij të fundit ‘Delegacioni’”. Pohoj se më bëri përshtypje kjo rastësi dhe Xhepa thotë se ishte filmi i tij i fundit. “Është filmi i tij i fundit ku ka realizuar një rol të jashtëzakonshëm. Krejt ndryshe nga gjithë rolet e tjera. Ka sjellë një portret krejt ndryshe nga çka bërë më parë. Ka qenë roli i tij i fundit dhe projekti ynë i fundit së bashku”, tha për ‘GSH’.

Ndodh që përcillet një artist njëherësh me lajmin se filmi ku ai luan përfaqëson Shqipërinë në “Oscar”. Përkimet e kësisojta e bëjnë botën e artistëve ende më magjike, ndërsa ikjet e tyre të parakohshme edhe më të trishta.

“E dija që kishte bërë një operacion në pranverë”, më thotë Xhepa duke sqaruar se ka qenë një operacion i vështirë, por që i doli mirë. “Mjeku reanimator më tha të mërkurën në darkë se mbase vështirësimi i gjendjes nuk ka të bëjë me operacionin e pranverës. Fola me të shoqen pasi kishim dëshirë që Sanatoriumi të bënte një përpjekje, por fundi erdhi… S’e besoja që do vinte kaq shpejt, brenda 24 orëve”, tha dje për “GSH”. Në rastet ku jetët fiken, më e vështira është të gjesh pyetjet e duhura. Mes gjysmëpyetjeve të mia dhe gjysmëzërit të Xhepës, arrij të kuptoj edhe gjendjen e Xhepës. “Mbeta i befasuar kur e pashë. Ishte shumë e rëndë për mua. Qëndrova gjatë aty. Ishte si një bukosje shpirtërore. Ishte një bllokim. Ne kemi dalë në kinema pothuaj në të njëjtën kohë. Kanë qenë vitet 1982-1983. Ai ishte dy vjet më i ri se unë. Kemi punuar bashkë në disa filma si ‘Treni niset në 7 pa 5’, ‘Hije që mbeten pas’, ‘Dasma e Sakos’. Kam pasur role të plota me Xhevdetin dhe ishim në të njëjtët filma me role kryesore të dy. Ishim shumë miq. Veç marrëdhënieve të punës, kishim edhe miqësi jashtë punës. Ai ka qenë drejtues teatri, drejtues i Qendrës së Filmit dhe kur ai ishte në këto pozicione, kishim shumë marrëdhënie, se diskutoheshin projekte a ligje”, kujton Xhepa.

Kujton se këto dy vitet e fundit kinemaja ka humbur shumë, nga Bujar Lako te Gjergj Xhuvani e Fatos Baxhaku.

“Por unë dua të kujtoj edhe një grimcë lumturie, sepse kështu dua ta kujtoj. Xhevdet Ferri u bë gjysh sivjet. Vajza e tij e vetme u bë nënë dhe ai ishte shumë i lumtur. Sot më vjen mirë që arriti ta shijonte. Pas operacionit e mori veten shpejt”, thotë ai. Kujton se kanë luajtur bashkë edhe në teatër të “Tradhti bashkëshortore” e me ta ka qenë edhe Rozeta, bashkëshortja e Xhodës.

Xhevdet Ferri, aktori i mirënjohur shqiptar ndërroi jetë dje nga një sëmundje e rëndë në moshën 59- vjeçare. Ai lindi në Durrës më 26 nëntor 1960. Është  bashkëshorti i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit”, etj.. Filmi i tij i parë ka qenë kur ishte akoma student.

Varrimi i tij do të bëhet në Sharrë, nesër në orën 13:00 dhe nuk do të ketë homazhe, pasi ishte zgjedhja e tij.

ZHUSTI

I shokuar nga ndarja e parakohshme e aktorit të madh, kolegu i tij Viktor Zhusti e priti shumë keq humbjen. “O Zot, është e paimagjinueshme! Është gjëja më shokuese dhe më tronditëse që kam pasur në këtë periudhë. Kohët e fundit bëmë filmin ‘Delegacioni’ me të, që pati sukses të jashtëzakonshëm. Xhevdeti ka qenë, o Zot, ka qenë studenti im. Ka qenë i shkëlqyer, nuk di ç’të them. Iu shpreh ngushëllime të gjithë atyre që e kanë njohur”, tha Zhusti për “News 24”. Ai shtoi se një vit më parë bënë xhirimet e filmit. “Nuk e dija që ishte i sëmurë. O Zot, në atë kohë pati një incident dhe me një aktor tjetër, por e sollën në Tiranë me urgjencë dhe shpëtoi. Xhevdeti ishte shumë bashkëpunues, shumë i dashur dhe i sjellshëm. Çdo gjë mund të prisja sot, por vetëm këtë jo. Unë kam luajtur disa filma me Xhevdetin. E kuptoni sa e vështirë, pas një lajmi aq tronditës, të përqendrohem dhe të përmbledh kujtimet e mia me të. Sa e rëndë, sa e papritur dhe sa shokues ishte gjithë ky lajm! Me Xhevdetin kam një rrugë 50-vjeçare, ne ishim miq, aktorë, bashkëpunëtorë, studentë, pedagogë, e donim dhe e respektonim njëri-tjetrin… nuk e di”, tha Zhusti.

KUMBARO

Regjisori Saimir Kumbaro kujtoi se Ferri i kishte thënë se do ia dilte nga sëmundja, por që për fat të keq nuk ia doli. “Ka tre a katër muaj që e kam takuar së fundmi. Ishte shumë mirë. E dija sëmundjen e tij. Sëmundja që kishte po përhapet në mënyrë të madhe sot, ishte e pabesë. Por besoja se do ta mundte atë sëmundje. Është fatkeqësi e madhe që humbëm një aktor karakteri. Ishte aktor i planit dramatik, ka xhiruar edhe një film si regjisor, plus që ka qenë kryetar i Qendrës Kombëtare të Filmit. Xhevdeti ishte njeri i gjerë. Xhod do jetë gjithmonë në kujtesën tonë. Familjarët duhet të bëhen të fortë”, tha regjisori Kumbaro.

POLITIKA

Për Presidentin Ilir Meta, aktori i njohur Xhevdet Ferri do të mbetet i paharruar. Kreu i shtetit shkruan se mësoi me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë. “Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi”, tha Meta.

Ndërkaq, kryeministri Rama ka dhënë një mesazh ngushëllimi për vdekjen e aktorit Xhevdet Ferri. Ai shprehet se nuk ka fjalë në këto momente dhe i drejtohet me emrin që e njihnin miqtë e ngushtë të tij, “Xhodë” duke i thënë lamtumirë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dha mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit të mirënjohur, Xhevdet Ferri. Ndër të tjera, Basha thekson se “Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri”, duke shtuar se humbja e tij për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme.

Një biografi për Xhodën

Xhevdet Ferri, aktor, ish-kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ish-anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve, personalitet i shquar i kinemasë shqiptare, një figurë shumë e dashur për publikun, është ndarë nga jeta sot pasdite në moshën 59-vjeçare. Xhevdet Ferri ka lindur në 26 nëntor të vitit 1960 në qytetin e Durrësit. Në 1982 u diplomua në Akademinë e Arteve dega Dramë dhe më pas mbetet pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit në këtë Akademi. Vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj akademie. Kontributet e tij kanë qenë shumë të mëdha në fushën e artit, kulturës e më gjerë. Deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, në periudhën 1996-1997. Në 1997-1998 ishte kryetari i parë i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e rimarrë sërish këtë post në vitin 2005-2009. Në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Është specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike”.

Filmografia

  • “Delegacioni” – Asllani (2018)
  • “Në kërkim të kujt” – Prokurori (2009)
  • “Gjallë” – Zefi (2009)
  • “Koha e Kometës” – Babai Anjezës (2007)
  • “Gjoleka, djali i Abazit” – Shoferi kamionit (2006)
  • “Saimir” – Edmond (2004)
  • “Dasma e Sakos” – Sako(1998)
  • “Loin des barbares” – Refugjat (1994)
  • “Vitet e pritjes” – Gjoni (1990)
  • “Treni niset në shtatë pa pesë” – Martini (1988)
  • “Përrallë nga e kaluara” – Trimi (1987)
  • “Dhe vjen një ditë” – Gori (1986)
  • “Hije që mbeten pas” – Agron Shkaba (1985)
  • “Vendimi” – Sadriu (1984)
  • “Fushë e blertë, fushë e kuqe” – Petriti (1984)
  • “Besa e kuqe” – Pali (1982)
  • “Era e ngrohtë e thellësive” – (1982)
  • “Gjurmë në kaltërsi” – Astriti (1981)
  • “Skëterrë ‘43” – Arjani (1980)
  • “Vëllezër dhe shokë” – Marko (1980)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.