OPINION

Ringritja e shkencës shqiptare

07:31 - 18.01.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë, Akademia e Shkencave organizoi një takim ndërkombëtar për gjeofizikën dhe sizmologjinë shqiptare, me gjeofizikantë dhe sizmologë të njohur nga Italia, Greqia, Mali i Zi dhe Kosova. Me nismën e prof. dr. Shyqyri Aliaj, sizmologut të njohur që nëpërmjet medias vizive dhe të shkruar kontribuoi aq fort për të qetësuar panikun e qytetarëve nga pasgoditjet e shpeshta pas tërmetit të 26 nëntorit, u formua një grup me të dhe një gjeolog e një inxhinier ndërtimi, për të punuar për përshtatjen e kushteve teknike shqiptare me eurokodet për mbrojtjen nga rreziku sizmik. Prof. dr. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave pati meritën që kuptoi menjëherë vlerën e punës shkencore të këtij grupi dhe e ngriti atë në nivelin e Njësisë kombëtare të Kërkim-Studimit për Gjeofizikën dhe Sizmologjinë.




Në vetëm pak javë të dhjetorit 2019 dhe në fillim të janarit 2020, njësia e ngritur dhe që po funksionon pranë Akademisë prezantoi punën e bërë deri tani për përcaktimin e akteve që duhen miratuar nga qeveria për futjen e Eurokodeve në sigurimin e ndërtimeve të reja tek ne. Janë standarde që garantojnë projektimin e strukturave ndërtimore të qëndrueshme ndaj tërmeteve në Shqipëri, sipas klasifikimit të objekteve në fushën e ndërtimit. Kjo punë u vlerësua si thellësisht shkencore dhe e parametrave evropianë nga dr. Massimo Chiappini i Institutit Kombëtar italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, si dhe nga sizmologu i njohur Spyros Pavdiles, zv.president i Shkollës së Gjeologjisë në Universitetin “Aristotel” të Selanikut në Greqi. Në këtë mënyrë, kërkimi shkencor shqiptar po rilind nga gërmadhat e pseudoreformës në shkencë të 13 viteve më parë, ku edhe ata pak kërkues të mirëfilltë shkencorë që kishim u detyruan të përfundonin në mësimdhënien pranë universiteteve publike, të kthyera në bursa të ndyra diplomash dhe bankina shitjeje provimesh. Vetë prof. Aliaj pa Institutin e Sizmologjisë të drejtuar prej tij me 40 punonjës dhe në pararojë të kërkimit sizmologjik në Ballkan, të mbyllej dhe të katandisej një grup prej tetë punonjësish, që vetëm mirëmbanin dy qendra matjeje të lëkundjeve sizmike. Krijimi i Njësisë së Kërkim-Studimit për Gjeofizikën dhe Sizmologjinë pranë Akademisë merr edhe një vlerë tjetër, pasi ripërmason dhe aktualizon ndihmesën e vyer të shkencëtarëve shqiptarë në fushën e sizmicitetit dhe përcaktimit të riskut sizmik, të nisur me botimin e  monografisë “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi i rrezikut sizmik në Shqipëri”, në vitin 2010. Njësia planifikon që brenda një periudhe dy ose tremujore t’i bëjë detyruese kushtet teknike të ndërtimit që po përcakton, duke rinovuar normat teknike, për të garantuar ndërtime të standardeve antisizmike në të ardhmen dhe riforcimin e normave ekzistuese. Ajo do të propozojë pranë Këshillit të Ministrave dhe institucioneve përkatëse masat ligjore për zbatimin e plotë të eurokodeve në fushën e ndërtimit në Shqipëri. Ndërsa Akademia e ringritur në profilin e saj si nxitëse dhe mbështetëse lëvruesish të mendimit shkencor synon që në planin afatgjatë njësi të tilla të shndërrohen në qendra kërkimore shkencore të akredituara pranë saj. Në takimin ndërkombëtar të Tiranës, dr. Massimo Chiappini mbështeti idenë që u hodh në takim nga prof. Aliaj, që të niset një projekt europian për studimin në fushë të sizmikës dhe të mbrojtjes nga tërmetet. Më tej, në një intervistë për një televizion shqiptar, ai e konkretizoi mbështetjen, duke ofruar eksperiencën e tij dhe kontaktet për të lobuar për ndihmesën me fonde pranë Komisionit Evropian, për një projekt të tillë. Njësia kërkimore shkencore për gjeofizikën dhe sizmologjinë shqiptare, edhe pse deri tani e angazhuar pa asnjë kontratë financiare dhe vetëm me vullnetin e dëshirën e mirë për të ndihmuar, në bashkërendim me qendrat simotra ballkanike dhe europiane do të organizojë në Tiranë një konferencë të përmasave europiane në shtator 2020, në bashkëpunim me institucionet e tjera shqiptare dhe me homologët në rajon e më gjerë. Kur e sheh profesorin veteran të sizmologjisë shqiptare Shyqyri Aliaj aq aktiv dhe kontribuues, të vjen vërtet të thuash me gjithë zemër: Po. Shkenca jonë po ringrihet gërmadhash!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.