Sociale

Të dëmtuarit gjatë shërbimit ushtarak kërkojnë dëmshpërblim nga shteti

13:36 - 18.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në periudhën e kryerjes së shërbimit ushtarak të detyruar gjatë komunizimit, jo pak persona janë aksidentuar në krye të detyrës por janë kategorizuar nga shteti si invalidë pune. 70 persona, pjesë e shoqatës Ushtarët e Dëmtuar/ Aksidentuar Gjatë Shërbimit të Detyruar Ushtarak kërkojnë dëmshpërblim prej disa vitesh si dhe trajtim si invalidë ushtrie, bazuar në statusin e ushtarakut. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, kreu i shoqatës, Agim Gjonça tregon se pavarësisht kërkesave të shumta drejtuar instancave përkatëse, zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhët. Ai shton se lekët që marrin nuk iu mbulojnë dot as shpenzimet për medikamente e niveli ekonomik i tyre është tejet i ulët. Shoqata kërkon sigurimin e pensioneve të veçanta dhe ofrimin e kushteve më të mira për trajtimet shëndetësore.




Cili është misioni i Shoqatës Ushtarët e Dëmtuar/ Aksidentuar Gjatë Shërbimit të Detyruar Ushtarak?
Ne, si një kategori e veçantë në Shqipëri morëm nismën për të krijuar Shoqatën Ushtarët e Dëmtuar/ Aksidentuar Gjatë Shërbimit të Detyruar Ushtarak. Kjo shoqatë filloi punën e vet në janar të 2014-ës me vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Organizata përfshin 70 persona të aksidentuar gjatë shërbimit ushtarak të detyruar në kohën e komunizmit, të cilët kanë amputacione, verbim apo dëmtime të tjera që i bëjnë të paaftë për punë.

Në bazë të cilit status trajtohet kategoria juaj?
Shteti nuk na trajton në bazë të statusit të forcave të armatosura, as me ligjin “Për Sigurimet Shoqërore Suplementare”, por na trajton thjesht si invalidë pune. Ne nuk jemi vrarë në punë, pasi kemi qenë pjesë e ushtrisë dhe si pasojë duhet të trajtohemi si invalidë ushtrie. Në vitin 2006, parlamenti miratoi rezolutën për krimet kundër komunizmit ku u përkrahën të përndjekurit, të internuarit dhe të burgosurit politikë, duke iu kërkuar falje dhe duke i dëmshpërblyer këto kategori. Ne na “vrau” shteti i atij sistemi, humbëm mundësinë për të jetuar një jetë si gjithë të tjerët, nuk mundëm të punonim, madje shumë prej nesh nuk kanë arritur të krijojnë as familje. Sa e sa tunele u ndërtuan por në themelet e atyre bunkerëve ka gjak të shokëve tanë prandaj kërkojmë një kompensim për dëmin që na është shkaktuar.

Cilat janë kërkesat tuaja konkrete ndaj shtetit shqiptar?
Kërkojmë dëmshpërblim trupor që prej ditës që jemi aksidentuar, shteti na bëri invalidë, dhe si pasojë na ka borxh jetën. Duam trajtim special në të gjitha fushat. Kategoria jonë duhet të jetë pjesë e statusit të ushtarakut dhe kërkojmë të marrim një përkujdesje të veçantë, kjo pasi ne u aksidentuam kur kemi qenë në krye të detyrës për mbrojtjen e atdheut. Kërkojmë të marrim pensione të veçanta dhe të na ofrohen kushte më të mira për trajtimet shëndetësore. Ne jemi të përbuzur nga shoqëria, dhe niveli ekonomik i kategorisë sonë është i ulët, madje ato lekë që marrim nga pensioni s’na dalin as për paguar ilaçet.

A i keni adresuar kërkesat tuaja drejt instancave përgjegjëse?
Kryeministri nuk do t’ia dijë kush jemi ne dhe çfarë kërkojmë! I kemi drejtuar disa herë kërkesa me shkrim vetë atij dhe ish- ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe pas një viti e gjysmë janë kujtuar të na sjellin përgjigje negative. Edhe ministres aktuale të Mbrojtjes, Olta Xhaçka i kemi dërguar kërkesa me shkrim dhe jemi munduar të krijojmë kontakt për zgjidhjen e problemit tonë, por s’kemi arritur dot asgjë. Në nëntor të 2018, te pedonalja në Tiranë, po zhvillohej parada e armëve të ushtrisë, dhe po vinte ministrja e Mbrojtjes për ta vizituar. Në një moment tentova ti afrohesha për ti kërkuar një takim në emër të shoqatës, por shoqëruesi i vet më shtyu dhe u tregua shumë harbut, më përplasi si qen rruge dhe më larguan. A mund të trajtohet kështu një invalid? Qeveria të ulë nivelin e fudullëkut dhe të lexojë Konventën e të Drejtave të Njeriut.

Si e vlerësoni ligjin e ri për caktimin e aftësisë së kufizuar?
Për sa i përket ligjit të ri, dua të them se është një ligj krejtësisht i gabuar. Unë kam 40 vjet që trajtohem me KEMP, çfarë do më heqin më shumë se kaq, bukën e gojës? Duhej që grupet e interesit të ishin të pranishëm gjatë hartimit të ligjit, pasi ne e kuptojmë më mirë hallin që na ka zënë.

Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të shoqatës suaj?
Kemi shpresë se gjykatat do të funksionojnë këtë herë dhe ne do ta ndjekim çështjen tonë deri në gjykatën e Hagës nëse nuk zgjidhim problemin në Shqipëri. Nëse zbarkojmë para Kryeministrisë, do ketë një reagim të fortë nga ana jonë, sepse do të ndeshemi dhëmbë për dhëmbë me ta. Bëhet fjalë për bukën e gojës e këta kërkojnë të na i heqin, të na shtypin, por duhet të dinë se ne nuk jemi inegzistentë në këtë shoqëri dhe do të luftojmë deri në fund për të drejtat tona.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.