KULTURË

Mitrush Kuteli/ Një grua, një këngë dhe netët moldave mes luftës

12:52 - 19.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Para gruas bionde, rioshit shqiptar që ish gjendur në një luftë që s’i përkiste, i ndërmendet një melodi e largët që diku e ka dëgjuar. Nëse do mund të imagjinohej disi kjo skenë, para gruas me sy të kaltër, djaloshi me shikimin e thellë, sytë e zinj, e mustaqet pic, ka një hije të rëndë. Kapela e errët i thekson tiparet duke i dhënë djaloshit hijeshinë e një ushtaraku e sharmin e një princi. Në pushim mes marshimeve ai pëshpërit melodinë dhe i drejtohet gruas së re “Ti që ku e di këtë këngë?”




Nadia Verzar vonon të përgjigjet. Lëngata e tifos ia ka bërë frymëmarrjen e ngadaltë, por brishtësia e së resë dhe portreti i akullt njëherësh nga vetëdija e një gruaje që përdor po aq mirë pushkën edhe mitralozin sa edhe të kuqtë e buzëve.

“Të të them të vërtetën, kjo këngë nuk është nga vendi im, por nga Basarabija. Unë në Basarabi nuk kam qenë se na ndante Nistri dhe kufija. Më patnë nisur, si ushtar, në fillimin e luftës po më lanë përsëri, se kisha djalën e vogël. Këngën e kam dëgjuar një verë se e këndonin ndajnatave vashat ‘përtej’, shata e mistrit. Dëgjohej sikur ish aty pranë se e sillte era e ndajnatës edhe unë e mësova fort e shpejt, sepse këngët i mbaj mënd mirë. Edhe këngët tona gjithë era i shpinte përtej, kështu që ata të Basarabisë këndonin shpesh herë këngët tona dhe ne këngët e tyre, se një gjuhë janë të gjitha. Këtë punë kaq të thjeshtë, po të vërtetë: se era shpje e sjell këngët dhe përtej kufireve politike e mbase edhe përtej ujërave”.

Ky detaj i jetës së Mitrush Kutelit që sa rrok figurën e tij po aq grish drejt zbulimit të shënimeve të një prej emrave më me peshë në letrat shqipe, është një prej ndalesave të Alda Bardhylit në librin e saj “Letërsia e turpit”. Një përmbledhje esesh e kritikash mbi autorët e poetë që dashuruan marrëzisht gratë dhe letërsinë duke lënë pas vetes qindra faqe që sot joshin botën drejt letërsisë.

“Të mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë sidomos analizat e librave të Italo Svevos, përkthimet e munguara të Follknerit, Petro Zheji, Robert Shvarc dhe modelet e reja të përkthimeve, eseja

Një histori mungese- një ese për fatin e gruas në letërsi, që nga Penelopa apo Andromaka deri te Ana Karenina apo Lara e Zhivagos”, thotë Rudolf Marku për librin e Bardhylit. Mes shënimeve të saj për autorët dhe “letërsinë e trupit”, shkëpusim Kutelin dhe jetën e tij gjatë luftës që shënjoi në shumë mënyrë fatin e tij tragjik.

KËNGË NË LUFTË  

Kënga gjithnjë do të prekte thellë zemrën e shkrimtarit që kur ishte i ri. I mahnitur shpesh prej vargjeve, ai kërkonte me ngulm të gjente të plotë tekstet e këngëve që i kishin mbetur në mëndje, që mund ti kishte dëgjuar rastësisht diku. Këngë që në një minutë kishin zgjuar tek ai, histori, ngjarje, dëshira apo kishin grishur përfytyrime. Këngët e para që mban mënd nga fëmijëria ishin ato që i këndonte nëna (Polja e Pandi Paskos e bija e Ndini Dhamit e Cevo Gushos nga Rrëmënji). Në vogëli ai pat qenë shpesh i sëmurë dhe për shumë kohë s’do të dilte jashtë odës së madhe shtruar me dhe të kuq, me rrogoza ku mëma bënte punët e shtëpisë. Atje do të mësonte për herë të parë brothmat Tu-tu-tu-lëgëza-Vajta për purtegëza; Ariushkë, ariushkë dhe këngët e Kapedan o Kajo, Malit -o përpjetë; Mun de Papa Pavleja, të cilat mëma e tij i kishte dëgjuar nga i ati. E gjithë fëmijëria do t’i kujtohej shpesh përmes vargjeve të këngëve që i dëgjonte lehtë sipas gjendjes së mëmës. Kënga që ajo këndonte ndër dasma ish “S’ka mëkë t’a lozë zonja (hankua) vallenë” së cilës shoqet e saj do t’i thonë më vonë “Kënga e Poles” si edhe “Shkuan djemtë shkuan, shkuan në kurbet”. Pashkëve këndonte e lonte valle me shami në dorë, si gjithë grarija, Këngën e Ristozit…”. Gjithë vogëlija mbaj mënt edhe disa britma të tjera si dhe disa këngë kolendrash, rusicash, këngë dasme , trimërije, dashurije”, kujton Kuteli “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, është libri më i ri i Mitrush Kutelit, i sapo nxjerrë nga botimet “MK”, për Panairin e 19-të të Librit. Një libër që Atalanta, e bija e shkrimtarit e tregon ashtu natyrshëm, bri librave të tjerë të shkrimtarit që këto vite janë ribotuar nën kujdesin e saj dhe familjes. Duke e shfletuar ajo kërkon të tregojë këngë, apo vargje që i kanë mbetur në mëndje. Libri shoqërohet me një parathënie të vetë Kutelit, i cili tregon pasionin e përhershëm ndaj mbledhjes së këngëve. Vetë ai tregon se këngët e gjendura në këtë libër janë mbledhur në Pogradec, midis datës 26 gusht deri më 7 shtator 1943. “Nuk më shkonte asohere asfare nër mënt se do t’i shtyp. Duke i mbledhur mendohesha të kaloj kohën, mbasi qyteti im, për arsye të nalta të strategjis italiane, ish rrethuar me tel me gjemba sa s’kisha mundësi të shoh as varrin e Nënës, sepse varrezat binin përtej telave me gjemba, domethënë dyqind metra më tej se shtëpija e fundit. Njëkohësisht, duke mbledhur këto këngë, ndiqnja qëllimin e plotësimit të frazologjisë që duhej për shkrimet e mija letrare”, shkruan Kuteli. Pasioni i tij si mbledhës i folklorit pat tërhequr atëkohë dhe autoriteteve italiane, të cilat e kishin ndjekur përmes karabineris. “Këngët e kësaj përmbledhjeje nuk janë, pa fjalë, që të gjitha të lindura në Pogradec. Po unë aty i pata gjetur, ashtu sikundër se shumë të tjerë kanë për të gjetur në të tjera vise këngët e lindura në fshatin tim”, shkruan Kuteli. Ata që ia dhanë këngët, ishin kryesisht far e fis apo miq. Rrethi i tyre sipas shkrimtarit është shumë i ngushtë, megjithëse numri i këngëve nuk është i vogël. “Përmbledhja ime nuk duhet quajtur si një vepër folkloristike e plotë, por vetëm një kontribut në arkivin e madh të folklorit shqiptar. Për t’i dhënë një ngjyrë pak a shumë shkencore kësaj përmbledhjeje, këngët i shoqërova me emrin e atyre që mi patnë thënë si edhe, me disa raste me ndonjë shënim shpjegonjës. Si karakteristikë kryesore e këngëve të Pogradecit janë grupet e këngëve pleqërishte, e këngëve të Pashkëve dhe ato të Llazoreve”, shkruan Kuteli. Ai veçon mes tyre këngë si “Fryn veriu në Mal të Thatë” edhe “Ç’u nis plaka edhe djali”. “Nuk e di në do më lejojë fati t’i plotësoj do një herë, sepse pas ngjarjeve të shtatorit dyzet e tre ky vendi im lindor mu bë si vend i huaj…”, shkruan Kuteli.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.