Kryesore

Avenir Balili: Rritet numri i operacioneve plastike vaginale në Shqipëri

12:30 - 20.01.20 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Për arsye estetike, por edhe shëndetësore, shumë gra e vajza zgjedhin të kryejnë operacione plastike vaginale. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare, mjeku obstetër gjinekolog, Avenir Balili tregon se korrigjimet e menjëhershme në sallën e lindjes mund të mos jenë efektive për arsye të veçanta, e kështu që gratë I drejtohen specialistit për ndërhyrje. Por sipas mjekut, jo në pak raste, pacientet nuk informohen sa duhen dhe realizojnë operacionet në klinika që iu shkaktojnë dëmtime të pariparueshme. Balili këshillon që para operacioneve plastike për rinimin e vaginës, pacientet duhet të rifitojnë peshën ideale trupore dhe të kryejnë ushtrime gjimnastikore.



Çfarë ndodh me trupin e femrës pas lindjes? A ekziston kompleksi i ndryshimit të organit gjenital pas sjelljes në jetë të një fëmije?
Sipas anketimeve anonime periodike rezulton gjithmonë i njëjti përfundim se meshkujt kanë kompleksin e madhësisë së “aseteve” të tyre seksuale ndërsa femrat mbeten te kompleksi i “gjerësisë”. Gratë pas lindjeve mendojnë se s’janë më ato që ishin përpara dhe nuk e tërheqin më partnerin e tyre seksual, sepse tashmë janë ndryshe pra të “zgjeruara”. Në të vërtetë shumë të reja pas lindjeve normale mund të ankohen për një lëshim të përkohshëm të mureve të vaginës si pasojë e tërheqjes së tepruar të indeve të saj, humbjes së tonusit dhe elasticitetit të muskujve rrethues. Pas lindjeve të shumta, lindjeve traumatike me fëmijë të mëdhenj ose të shpejta, rrugët e lindjes edhe mund të dëmtohen në disa raste edhe në mënyrë të rëndë. Arrihet deri në rënien e tamponeve vaginalë dhe pakënaqësi seksuale.

A nuk janë efektive korrigjimet nga ana e mjekëve direkt në sallën e lindjes?
Korrigjimet e menjëhershme në sallën e lindjes mund të mos jenë efektive për arsye të veçanta të kësaj periudhe. Pas disa kohësh ndryshimet mund të jenë më të qarta si nga syri i gjinekologut ashtu si dhe nga ndjesia e prekjes ose të funksioneve fiziologjike e të eksperiencës seksuale të vetë gruas. Ekziston edhe një kategori e veçantë shumica vajza të reja, të palindura, që pasi i vërejnë direkt me sy e i ekzaminojnë me kujdes me gishtërinj organet e tyre të jashtme mbeten të zhgënjyera nga identiteti genital. Partneri seksual mashkullor ose femëror mund të amplifikojë këto përshtypje në shumicën e rasteve të gabuara. Këta faktorë i shtyjnë të kërkojnë operacione transformuese plastike për të përmirësuar look-un seksual.

Si paraqiten kërkesat për transformimet plastike të organeve seksuale te femrat?
Operacionet më të zakonshme janë vaginoplastica, labioplastica, clitoroplastica, mons pubis liposuction ose lipofilling. Disa praktikojnë edhe tatuazhe, piercing, depilime definitive ose mbjellje, implante nën lëkurë, zbardhje të lëkurës vulvare etj. Kërkesat ndonjëherë janë sa absurde aq edhe fantasioze. Për shumë paciente kjo tendencë kthehet në një obsesion e fobi se mos janë të papëlqyeshme dhe të refuzuara. Krahas rritjes së numrit dhe varianteve të operacioneve plastike që modifikojnë pothuajse të gjitha pjesët e trupit e të fytyrës edhe operacionet e transformimit të organeve seksuale kanë bërë përparimet e tyre. Me kalimin e viteve për gruan, me përfundimin e planit riprodhues, me ndryshimin e ekuilibrit hormonal, shtimit në peshë, me pakësimin e aktivitetit fizik ndryshon edhe vetë pamja e funksionimi i vaginës. Shumë gra duan ti rikthejnë këto transformime në gjendjen e tyre rinore me të gjitha mundësitë. Me moshë mund të kenë edhe mosmbajtje të urinimit e të njomjes sidomos mbas sforcimeve fizike, kollitjes, teshtitjes etj. sidomos në periudhën e menopauzës.

A kryhen operacione të tilla plastike edhe për arsye shëndetësore?
Operacionet plastike bëhen jo vetëm për arsye estetike por edhe për arsye shëndetësore. Ngushtimi i kanalit vaginal ose vaginoplatica është një operacion tashmë “antik” me të mirat dhe mangësitë e tij. Teknika e kësaj ndërhyrje qëndron në heqjen e një pjese të tepërt të mukozës (shtresës së brendshme) vaginale dhe afrimin e muskujve perivaginal. Operacionet vulvo-vaginale janë intervente si gjithë të tjerët me kushtet, kërkesat, komplikacionet e tyre, regjim shtrati postoperator dhe ndonjëherë në distancë plagët operatore mbeten të dhimbshme ose japin bezdi gjatë raporteve seksuale. Mjaft paciente për të realizuar këto operacione udhëtojnë jashtë dhe rikthehen me dëmtime tashmë të pariparueshme prandaj duhet që më parë të zgjedhin profesionistin e specializuar dhe të shpjegojnë mirë pretendimet e tyre.

Mund të realizohen kirurgji mini invasive në këto raste?
Përveç kirurgjisë tradicionale ekzistojnë edhe zgjidhje të tjera të ashtuquajtura “mini invasive” që janë të pa dhimbshme, mjaft të efektshme dhe relativisht të sigurta.

Çfarë nënkupton rinimi vaginal?
Rinimi vaginal nënkupton rikthimin e gjendjes së vaginës në një situatë më rinore të saj. Kjo ndihmon në ngushtimin e vaginës, pakëson tharjen e kruarjen, eliminon urinimin e pavullnetshëm (gjatë ngritjes së peshave, vrapimit, kollitjes, teshtitjes etj). Këto procedura kirurgjikale “jo invasive” i ndihmojnë gratë të kenë seksualitet më të mirë, të ushtrojnë sport e të jetojnë jetën e tyre të lira pa u alarmuar gjithmonë për praninë e tualeteve në afërsi. Rinimi vaginal me Laser, me anë të pajisjes “Monna Lisa Touch”, është një nga metodat e reja që ka gjetur aplikim të gjerë. Kjo teknikë bazohet në efektin delikat të rrezeve Laser mbi mukozën dhe muret vaginale nëpërmjet një sonde të vogël të penetruar në brendësi të saj. Energjia e rrezeve Laser që i transmetohet mukozës vaginale shton fluksin sanguin në të duke përmirësuar furnizimin me lëndë ushqyese dhe prodhimin e kolagjenit e fijeve elastike. Kolageni dhe fijet elastike nuk futen nga jashtë si në shumë procedura estetike por nxitet prodhimi i brendshëm i tyre. Mukoza vulvo-vaginale fiton trashësinë, elasticitetin dhe funksionimin e humbur duke u bërë më e hidratuar, më e lubrifikuar, më elastike dhe përmirësim të funksionit seksual e urinar. Çdo trajtim zgjat 15-20 minuta pa asnjë lloj anestezie dhe përmbledh si trajtimin endovaginal ashtu edhe atë vulvar.

Çfarë këshilloni për pacientet para se të kryejnë këto ndërhyrje plastike?
Përpara se pacientja ti drejtohet gjinekologut për ndërhyrje plastike ose për Laser terapi duhet ti rekomandohet rregullimi i dietës për rifitimin e peshës ideale, ushtrimin e sportit, gjimnastikën e muskujve perineal, ushtrimet e Kegelit etj. Fakt është qe ne SHBA dhe Angli aplikimi i Laserit është kritikuar me gjithë përhapjen e gjere te klinikave që e praktikojnë. Ne Evrope ka një rritje si të numrit të operacioneve plastike ashtu edhe të Laserit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.