KULTURË

“Europa Nostra”, presion Ramës e Veliajt për Teatrin: Shembja, mjerim

11:07 - 21.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Europa Nostra”, organizata e njohur për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Europë, e cila bashkëpunon edhe me Këshillin e Europës, i ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Presidentit Ilir Meta dhe kreut të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj një letër për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.




Drejtori i kësaj organizate Hermann Parzinger, teksa rendit pasuritë e shpëtuara nga kjo organizatë, ndër vite duke sjellë shembull edhe dy të tilla në Shqipëri, siç janë Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, i kërkon kryeministrit, presidentit dhe kreut të bashkisë bashkëpunim për të shpëtuar këtë godinë, duke mos lejuar shembjen e tij. teksti i letrës që mban datën 17 janar është i njëjti dhe në të flitet hapur për ‘plane alarmante për shembjen e teatrit”. Njëherësh, në letër drejtuesi i “Europa Nostra” vë në dukje se asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nuk është prishur deri më tani. Thënë kjo, për Parzinger, nëse kjo do të ndodhte me Teatrin Kombëtar do të ishte risi dhe fat i mjerueshëm i Teatrit, pavarësisht gjithë mbështetjes së treguar në nivel kombëtar dhe Evropian, që gëzon kundër këtij akti. Në fund të letrës drejtuar kreut më të lartë të shtetit, shefit të ekzekutivit dhe kreut të pushtetit lokal që po merret drejtpërdrejt me planet e shembjes, drejtori i “Europa Nostra” iu bën thirrje për mbështetje në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, duke ofruar edhe bashkëpunimin e tyre real. “Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga ‘7 vendndodhjet më të rrezikuara”, – thuhet në letër, duke i paraprirë vendimit të muajit mars dhe duke shtuar njëherësh notat e presionit ndaj aktorëve shqiptarë që për pothuaj dy vite, kanë luajtur role të ndryshme pro e kundra shembjes. Kujtojmë se prej dy vitesh një grup artistësh e qytetarësh mbrojnë teatrin. prej 24 korrikut, kur u shënua përplasje fizike me policinë për mbrojtjen e godinës, teatri është rivënë në funksion nga Aleanca për Mbrojtjen e tij duke vënë në skenë më shumë se 50 shfaqje në mënyrë vullnetare. Kujtojmë njëherësh se teatri ruhet 24 orë me turne nga artistët e qytetarët dhe se të shumta kanë qenë përplasjet me shtetin, duke nisur nga fakti që ky i fundit u ka prerë ujin dhe dritat, çka bën që shfaqejt të vihen me gjenerator. Pos këtyre, mbështetja ndërkombëtre për artistët ka qenë e madhe.

LETRA PËR RAMËN, VELIAJN E METËN
Hagë, 17 janar 2020
I dashur z.kryeministër,
Me siguri jeni në dijeni që “Europa Nostra”, zëri europian i shoqërisë civile e angazhuar në trashëgiminë kulturore, është shumë e shqetësuar nga planet alarmante për të prishur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në vend, por edhe në Europë.
Për këtë arsye, ne ju dërguam një letër edhe në 18 korrik 2018, duke theksuar rëndësinë e objektit dhe duke ju bërë thirrje të përdorni pozicionin tuaj të nderuar dhe ndikimin pozitiv, për të mbrojtur të çmuarin Teatër Kombëtar të Shqipërisë.
Ndërkohë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”. Kjo është një fushatë e shtrirë gjerësisht e shoqërisë civile në mbarë Europën, që identifikon monumentet e rrezikuara dhe vendndodhjet në Europë si edhe angazhon partnerë publikë dhe privatë, në nivel lokal, kombëtar dhe europian për të siguruar një të ardhme rijetëzuese dhe të qëndrueshme për vendndodhjet. Programi “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nisi në 2013 nga Europa Nostra, me Bankën Europiane të Investimeve si partner themelues.
Në Nëntor 2019, paneli korrespondues këshillues, përzgjodhi në një listë të shkurtër me 14 vendndodhje nga të gjitha aplikimet për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” – duke përfshirë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Deklarata për shtyp në lidhje me këtë njoftim, mban datën 10 dhjetor 2019, dhe mori mbulim të gjerë mediak në të gjithë Europën. Nga kjo listë e shkurtuar, Bordi i ‘Europa Nostra’-s, do të përzgjedhë shtatë finalistët në mars 2020.
Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”. Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, ‘Europa Nostra’ e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nuk është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian. Ne sërish shpresojmë shumë që mund të kemi mbështetjen tuaj aktive në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe japim mbështetjen tonë për të vepruar në këtë drejtim.

Prof. dr. Hermann Parzinger
President Ekzekutiv
‘Europa Nostra’


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.