KULTURË

Gazmend Kapllani: Kujtimet e Nexhmijes? Fantazma femërore e Enverit

11:30 - 21.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA GAZMEND KAPLLANI* – Më në fund po i hedh një sy “kujtimeve” të Nexhmije Hoxhës, nga burgu, nga “vuajtjet” e saj atje, nga ngashërimet e saj për rrëzimin e shtatores së diktatorit më vrastar, e një vrasësi masiv, e një tirani që shkatërroi një komb të tërë. Dëgjoj dhe lexoj reagime. Si mundet një njeri si Nexhmija, e cila tashmë luan rolin e fantazmës femërore të Enver Hoxhës, të qahet për gjëra që në epokën e regjimit të tyre do ngjanin me çikërrima? Si mund të qahet një njeri që në vend që të dënohej, ajo dhe e gjithë banda e tyre, për krime kundër njerëzimit (sipas përcaktimit të krimit kundër njerëzimit të OKB-së) u dënua për numrin e kafeve të pira? Si mundet “strategu” i një prej regjimeve më mizore dhe paranojake që ka njohur akoma edhe historia e kampit komunist të akuzojë si “vandalë” dhe “përdhunues” protestuesit që rrëzuan dhe hoqën zvarrë shtatoren e një vrasësi masiv, Enver Hoxhës?




Bien në kurth ata që e trajtojnë Nexhmije Hoxhën dhe të gjithë tiranët dhe vrasësit e tjerë totalitare si ajo në bazë të vlerave morale dhe të psikologjisë së njerëzve “normale”. Jo vetëm në rastin e Shqipërisë por në gjithë historinë e re botërore nuk ka asnjë tiran totalitar që të pendohet për krimet e tij/saj.
Për të gjetur një përgjigje të shkaqeve lexoni “Zanafillën e Totalitarizmit” të Hannah Arendt apo veprën e George Orëll. Që të dy duke i bërë një analize të thellë dhe nga brenda sistemit totalitar na thonë që sisteme të tilla janë një risi llahtari e paparë në historinë e mëparshme politike. Regjime të tilla “çarmatosën” gjithë arsenalin tonë logjik dhe politik për të kuptuar dhe interpretuar sjelljet e sistemeve politike dhe të njerëzve. Liderët totalitare dhe regjimet e tyre nuk mund të krahasohen, thotë Arendt, me regjimet e mëparshme, diktatura apo tirani, sado të egra qofshin. Regjimet totalitare dhe “logjika” e tyre bëjnë një “hop cilësor”. Hapi i parë është shtrembërimi i plotë i logjikës së mëparshme njerëzore. Në diktaturat klasike, terrori dhe dhuna përdoreshin për një qëllim të caktuar politik. Në regjimin totalitar terrori përdoret si qëllim në vetvete, thotë Arendt, duke shndërruar jo vetëm të pafajshmit por edhe ata që janë të bindur ndaj sistemit në viktima të terrorit. Është përmbysja e çdo lloj modeli logjik dhe moral të njohur deri atëherë, anulimi i plotë i kufirit të njohur më parë mes logjikës dhe paranojës, mes faktit dhe gënjeshtrës, mes të pafajshmit dhe fajtorit (në regjimin totalitar të terrorit të gjithë shihen si fajtorë potencial, ata që janë kundër sistemit (në fakt shumë pak guxojnë t’i rezistojnë sistemit) dhe ata që janë të bindur ndaj sistemit (shumica e shoqërisë është e bindur dhe e terrorizuar nga sistemi). Prandaj në një shoqëri totalitare, shoqëria i ngjan një arene ku njeriu është ujk për njeriun, ku nuk mund t’i besosh më askujt, ku “edhe muret kanë veshë” dhe “nuk mund t’i besosh as këmishës që vesh”).
Vetëm duke kuptuar faktin që regjimet totalitare janë fabrika moderne prodhimi terrori pa kufi dhe pa fund, mund të kuptosh pse regjimet totalitare, sidomos stalinizmi, bënë kërdinë jo vetëm kundër “armiqve” por edhe kundër vetë “miqve” të tyre – duke ngrënë të gjallë deri edhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë në krim.

Vetëm një person nuk mund të preket nga terrori totalitar: Udhëheqësi. Ai është krijuesi i terrorit, urdhëruesi i terrorit, ai luan me shoqërinë që sundon si një foshnjë me rreken e tij, ai është arkitekti i paranojës, në atë gradë që Udhëheqësi bëhet edhe vetë, mishërimi i paranojës, sepse ne thelb i beson edhe vetë paranojës së tij/saj. Është e qartë që ky “rregull” (mos-prekja e tiranit totalitar) në Shqipëri u prish kur ra shtatorja e diktarorit. Për këtë arsye, Nexhmija nuk qau kur vdiq diktatori dhe bashkëshorti i saj (në këtë rast duhet të qanin “skllevërit”, jo ajo) por kur skllevërit u rebeluan dhe rrëzuan shtatoren e tiranit totalitar: në fakt Nexhmija vajtonte rrëzimin e regjimit totalitar. Rënia e shtatores do të thoshte vdekjen pa kthim të terrorit totalitar.
Nexhmija Hoxha është shembull ende i gjallë i paranojës totalitare. Atë që na thotë në fakt, në personazhin e “viktimës”, është se sikur të kishte mundësinë ta merrte sërish pushtetin do bënte të njëjtat gjëra, të njëjtin terror, të njëjtin izolim, të njëjtat krime, madje më shumë se atëherë.

Në vend që të merremi më Nexhmijen, e cila është një figurë e kobshme tashmë, përtej aftësisë sonë njerëzore për të kuptuar, përtej aftësisë sonë njerëzore për të qarë apo për të qeshur, madje edhe përtej aftësisë sonë njerëzore morale për t’u indinjuar me “kujtimet” e saj prej viktime, le të shkruajmë një vepër teatri absurd për një tiran totalitar që nuk vdes dot sepse nuk gjendet një nga “shokët e Partisë” ta eliminojë – në një nga fushatat e spastrimit kundër “armiqve të brendshëm”. Në dramën absurde Zoti e ka dënuar tiranin totalitar, pas rënies së regjimit të tij/saj, të jetojë 300 vjet dhe të shohë shndërrimin e botës rreth saj: rënien e regjimit, fundin e terrorit totalitar, çlirimin e skllevërve nga terrori, zhvarrosjen e kufomës së tiranit nga ish skllevërit e tij, etj.
Mendoni vetëm këtë: këta njerëz si Nexhmija jetuan në një lloj klabi privat kanibalësh totalitare; “sporti” i tyre kryesor në këtë klab ishtr të hanin të gjallë shoshoqin: pak prej tyre patën fatin të vdesin nga shkaqe natyrale. Nga i njëjti “sindrom i bllokut” privat vuan shoqja Nexhmije: 30 vjet tashmë ajo ka humbur klabin e saj privat kanibal, as nuk vret dot njëri as nuk e vret njëri. Ka të drejtë të ndjehet fatkeqe dhe viktimë, të çmendet që bota nuk ja kupton dhe nuk ja qan hallin. Shyqyr që ja kuptojnë hallin ca gazeta dhe gazetarë, të cilët/cilat nën regjimin e saj do të kishin “shkëlqyer” në fillim deri sa ai regjim t’i hante edhe ata, besnikët e tij, të gjallë…
*Shkrimtar. Shënim i marrë nga profili i tij në facebook


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.