KULTURË

Arrestimet për tërmetin, shoqata: Arkitektët nuk kanë faj për dëmet

12:45 - 22.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në as edhe një rast dëmet fizike të godinës nuk kanë lidhje me profesionin e arkitektit, funksionet profesionale të të cilit janë parashtruar nga ligji”. Është ky thelbi i deklaratës publike që Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka bërë dje pas hetimeve dhe arrestimeve për shkak të dëmeve në banesa pas tërmetit të 26 nëntorit. Në një prononcim publik me synimin sqarimin e institucioneve ligjzbatuese në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive për dëmet e tërmetit dhe rolin e Arkitektit në procesin e projektimit, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, thotë se e ka parë të nevojshme të “specifikojë disa elementë kyç për profesionin e arkitektit në lidhje me situatën e krijuar”.




“Mendojmë se është e rëndësishme që të Përgjegjësitë profesionale të arkitektit si projektues i lirë janë individuale të ndërlidhura me pikat e licencës profesionale të cilën shteti ja jep dhe njeh gjatë ushtrimit të profesionit”, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, roli profesional i arkitektit në procesin e hartimin të një projekti të plotë është ligjërisht i mirëpërcaktuar në funksionet e mëposhtme: 1-Zgjidhje volumetrike; 2-Zgjidhje funksionale dhe 3- Zgjidhje estetike për godinat që financohen nga një subjekt/institucion privat/publik, i cili kontrakton shërbimin e projektimit tërësor të saj.

“Pra, sipas legjislacionit në fuqi”, thekson SHASH, “por edhe atij analog ndërkombëtar, arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhoje nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale të lidhur me qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj”.
Sipas saj, roli, detyrat dhe përgjegjësitë profesionale të arkitektit në Republikën e Shqipërisë janë të rregulluara me legjislacionin shqiptar (VKM Nr. 759, datë 12.11.2014 “Për Liçensimin profesional të individëve dhe subjekteve juridike që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”) etj.
Në vijim, SHASH thotë se mbështet nxjerrjen e përgjegjësive profesionale të lidhura me dëmet e tërmetit, por çdo hetim duhet të jetë i mbështetur me ekspertizën serioze profesionale sipas metodologjisë së përcaktuar nga organet shtetërore lidhur me fazat e përcaktimit të dëmeve siç janë: 1. Akt – konstatimi; 2 Akt- ekspertimi, të drejtuara dhe koordinuara nga institucioni përgjegjës, Instituti i Ndërtimit me grupet e ekspertëve të autorizuar nga Institucionet e shtetit. “Akt konstatimi nxjerr në pah dyshimet lidhur me problemet potenciale, që mund t’i jenë shkaktuar godinës dhe vlerësimin a është fizikisht e banueshme apo jo. Në qoftë se godina konstatohet si e pabanueshme kalon në fazën e 2-të të akt ekspertimit ku në bazë të dyshimeve të konstatuara në fazën e parë bëhet një vlerësim tërësor teknik lidhur me projektin, zbatimin apo edhe ndërhyrjet potenciale që mund t’i kenë ndodhur godinës. Është pikërisht kjo fazë që ndan qartë përgjegjësitë teknike dhe ligjore të secilit aktor në procesin e ndërtimit” shton Shoqata e Arkitektëve.
Sipas saj, ekzekutimi i masave ekstreme nga institucionet ligjzbatuese pa u thelluar më parë në metodologjinë dhe procesin e përgjegjësive të dëmeve të tërmetit sipas fazave të përcaktuara me ndalime me arrest / apo tjetër, është e papranueshme në një shoqëri të lirë, duke shkaktuar dëme traumatike për jetën dhe aktivitetin profesional individual apo familjar, për secilin qytetar dhe profesionist të lirë të këtij vendi.
Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë mbetet në dispozicion për çdo ndihmë apo sqarim teknik profesional për institucionet përkatëse ligjzbatuese për të ndihmuar në saktësimin përgjegjësive profesionale të Arkitektit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.