KULTURË

1944, kur politikanë e të pasur dyndeshin të iknin nga Shqipëria

11:00 - 23.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vjeshtën e vitit 1944, qyteti i Shkodrës përjetoi grumbullime të shumta njerëzish në kërkim të një mjeti transporti që do t’i largonte ata nga Shqipëria. Pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë të pasur dhe të shkolluar, të cilët kishin pasur pozicione të rëndësishme në administratat e krijuara nga pushtuesit italian dhe gjerman, por edhe disa nga krerët e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe organizatave të tjera politike të krijuara gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Vendimet e Kongresit të Përmetit dhe të mbledhjes së dytë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar kishin vulosur marrjen e pushtetit nga PKSH-ja e, së bashku me të, edhe drejtimin që do të merrte Shqipëria në të ardhmen. Për këto personalitete, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar hakmarrjes së pushtetarëve të rinj ishte të zgjidhnin këtë rrugëtim larg atdheut, i cili për një pjesë të madhe të tyre rezultoi pa kthim. Kësaj vale të parë të emigracionit politik shqiptar, kohë pas kohe, iu shtuan edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët u detyruan të largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar represionit komunist, apo sepse refuzonin të jetonin midis telave me gjemba të imponuar nga regjimi.
Në Shqipëri, drejtuesit e lartë të regjimit i konsideruan emigrantët politikë shqiptarë si “tradhtarë të atdheut”, për shkak të qëndrimeve që kishin mbajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore; të angazhimit të tyre në mjaft operacione të organizuara nga shërbimet e huaja të inteligjencës, por edhe për shkak të kundërshtimit të hapur ndaj regjimit totalitar të vendosur në Shqipëri. Në emigracion, shumë prej tyre u shndërruan në zëra të spikatur në jetën akademike dhe shoqërore dhe nuk reshtën duke ngritur zërin kundër totalitarizmit shqiptar, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në institucionet ndërkombëtare si OKB, “Amnisty International”, Parlamenti Europian, Senati i SHBA, apo Këshilli i Evropës, kohë pas kohë, do të dërgoheshin letra dhe peticione nga individë apo organizata të emigracionit politik shqiptar, në të cilat shprehej shqetësimi për problematika të ndryshme që lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mbi veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar, për fat të keq, ende nuk ka botime akademike serioze. Për të mundësuar nxitjen e një debati të shëndetshëm shkencor mbi veprimtarinë dhe personalitetet shqiptare të emigracionit politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990
Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike,
në bashkëpunim me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin për Integrimin të ish-të Përndjekurve Politikë organizojnë një konferencë shkencore.




KONFERENCA SHKENCORE
Konferenca shkencore “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990” do të trajtojë më 19 shkurt disa tema që lidhen me këtë dukuri. Në konferencë do të flitet për veçoritë e krijimit të emigracionit politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990 si edhe shtrirjen gjeografike. Nga profilet e emigrantëve politikë dhe veprimtaria e tyre te shoqatat e krijuara nga emigracioni politik shqiptar dhe qasja e tyre kundrejt Shqipërisë komuniste. Njëherësh preket edhe operacioni “Rollback” dhe përfshirja në të e emigracionit politik shqiptar siç edhe reagimi i shtetit komunist shqiptar ndaj emigracionit politik shqiptar, veprimtaria e emigracionit politik për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare, kampet e emigrantëve në Europë dhe Lufta e Ftohtë, marrëdhëniet e shtetit shqiptar me jugosllavët, grekët dhe italianët.

DIVERSANTË?
Pranë arkivit të AIDSSH-së ruhet dhe administrohet një larmi e madhe dokumentesh arkivore, të cilat përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Këto dokumente konsistojnë në raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë etj..
Dokumentet e mësipërme përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991. Shumica prej këtyre dokumenteve pritet të bëhen publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit.
Ndërkohë, prej një viti Autoriteti ka ndërmarrë projektin e mbledhjes së dëshmive gojore të të mbijetuarve të përndjekjes, pjesë e të cilit janë bashkësia shqiptare në SHBA dhe ajo në Belgjikë. Marrëveshja e AIDSSH-së me “Zërin e Amerikës” dhe bashkëpunimi me Federatën Panshqiptare “Vatra” ka mundësuar realizimin e intervistave me të arratisur në Shtetet e Bashkuara, të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit, dëshmitë e të cilëve janë depozituar pranë arkivit digjital të Autoritetit. I njëjti projekt vijon në Belgjikë, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar atje. Përfaqësues të këtyre komuniteteve ftohen të japin kontributin e tyre në konferencë.
Komiteti Organizativ i konferencës përbëhet nga Akademik Beqir Meta (ASA), dr. Marenglen Kasmi (AIDSSH), dr. Adriana Topi (AIDSSH),
prof. asoc. dr. Sonila Boçi (ASA) dhe dr. Çelo Hoxha (ISKPK).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.