AKTUALITET

Dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit, verifikim të gjitha pagesave

11:40 - 23.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pagesat që kryen Ministria e Financave për ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist do të kalojnë në “sitën” e një komisioni të posaçëm. Nisma është ndërmarrë nga 9 deputetë të parlamentit shqiptar dhe ka për qëllim “skanimin” e mënyrës së pagesës nga Ministria e Financave, duke marrë shkas edhe nga fati se kjo kategori pret prej rreth 3 dekadash të marrë dëmshpërblimin që i njihet si e drejtë me ligj. “Mbështetur në nenin 24, pika 2 të Rregullores se Kuvendit, nëntë deputetët propozojmë ngritjen e komisionit të posaçëm të mbikëqyrjes së shpërndarjes së çdo dëmshpërblimi të ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist. Ngritja e komisionit të posaçëm është parashikuar brenda tremujorit të çdo viti, i cili verifikon mënyrën e shpërndarjes së dëmshpërblimit për kategorinë shoqërore të ish-të përndjekurve politikë nga Ministria e Financave për vitin pararendës”, – thuhet në projektvendimin e depozituar në parlament, i cili pritet të kalojë së shpejti për diskutim në komisionet parlamentare.




Pagesat
Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore, të përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish-të dënuarve që nuk bëjnë pjesë në këtë kategori, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i vogël se 100 000 lekë dhe jo më i madh se 1 000 000 lekë.
Kategoria parësore
Janë gjashtë kategori parësore dhe janë përcaktuar dokumentet që duhen plotësuar për çdo kategori përfituese. Të parat në listë janë gratë e ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave, në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë, që vuajnë nga sëmundje të rënda. Për kategorinë e katërt prioritet kanë personat ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Ndërsa për kategorinë e pestë prioritet kanë personat ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç. Në kategorinë e gjashtë me prioritet janë personat ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie.

Kategoria parësore

a) Ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës.
b) Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
c) Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm.
ç) Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur në hyrjen në fuqi të këtij ligji.
d) Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
dh) Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që janë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Trashëgimtarët
1. Persona ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës në momentin e pagesës, kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç.
a. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
b. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur.
c. Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur.
d. Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).
2 Persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç.
a. Certifikatë vdekjeje të personit ish-të dënuar.
b. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish-të dënuar që nuk jeton më.
c. Certifikatë familjare të ish-të dënuarit, ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur.
d. Dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor.
e. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më.
f. Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re) në emër të kujdestarit ligjor të të miturit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.