Kryesore

Veliaj akuzon televizionet: Vënë “gjoba” për shtesa katesh te Bulevardi i Ri. News24: Kreu i bashkisë të bëjë transparencë!

17:00 - 23.01.20 gsh

Tirana do të ketë një tjetër pol zhvillimi përgjatë bulevardit të ri. Bashkia e Tiranës është e para që do të ndërtojë në këtë zonë shtëpinë e saj të re. Kryebashkiaku Erion Veliaj hapi garën për projekt-idenë e ndërtesës së re të bashkisë, e cila do të jetë moderne dhe ekologjike.



“Duam të jemi të parët në Shqipëri, ndoshta edhe në rajon, me një ndërtesë që i ka emetimet zero, pra një ndërtesë 100% ekologjike, që do të vendosë një standard edhe për ndërtimet në të ardhmen. Jemi duke projektuar pjesën fundore, ku duam të kemi gjithashtu një shesh ceremonial, por modern. Pra, nëse kulmi është sheshi “Nënë Tereza”, një shesh klasik i ndërtuar nga arkitektët italianë me ndërtesat përreth, me të njëjtën logjikë të kemi një përfundim të bulevardit, tani modern, për të bërë një balancim mes modernes e klasikes.” – tha ai.

Bashkia ka përfunduar studimet e planeve të detajuara vendore për këtë zonë e cila paraqet interes të madh për t’u zhvilluar nga pronarët që kanë banesat, por edhe nga ndërtuesit. Por kryebashkiaku Erion Veliaj ka gjetur një mënyrë për t’iu përgjigjur akuzave ndaj tij, me sulm ndaj pronarëve të televizioneve që sipas tij i kanë vendosur gjobë për të përfituar ndërtime me shumë katë në këtë zonë të Tiranës.

“Tashmë kanë mbaruar PDV e Bulevardit, ka mbi 10-12 shprehje interesi për të zhvilluar pronat e tyre ketu. Sigurisht, Shqipëria dhe Tirana është vendi i gjobave të mëdha, këtu të gjithë duan nga 30 kate, por do marrin aq sa është plani. Kështu që, mund të bëjnë çfarë të duan me TV e tyre, por jo tek unë gjobë dhe jo gjobë te Bashkia e Tiranës sa të jem unë” – tha Veliaj.

“News24” i bën apel kryebashkiakut Veliaj të bëjë transparencë dhe të tregojë emrat e pronarëve të mediave, që siç tha i kanë kërkuar nëpërmjet gjobave të ndërtojnë kate mbi projektin në këtë zonë të re të Tiranës.

Transparenca është detyrim ndaj interesit publik për kryebashkiakun Veliaj, i cili nën regjinë e kamerave të Bashkisë zgjedh të lëshojë akuza pa emër, në vend që të japë llogari si administrator i taksave të qytetarëve të Tiranës.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.