Sociale

Vendimi: Bonus deri në 2.5 milionë lekë për mjekët specialistë në rrethe

12:02 - 23.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Qeveria ka vendosur një bonus prej 2.5 milionë lekësh të vjetër në muaj për të gjithë mjekët specialistë që do të kontraktohen për të dhënë shërbim mjekësor në spitalet rajonale e bashkiake. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave ka shpallur vendimin ku theksohet se specializantët përveç bonusit që do të përcaktohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të marrin edhe pagën mujore. “Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar”,-theksohet në vendimin e qeverisë, efektet e të cilit fillojnë që prej 1 janarit 2020. Në këtë të fundit bëhet me dije se numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare do të miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe pagesa e tyre bëhet nga buxheti i spitalit.




Financimi i shërbimeve shëndetësore
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka vendosur dje edhe financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike. “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre dhe financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me këto metoda: a) Buxhetim me zëra shpenzimesh, për: i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit; ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit; iii. mallra e shërbime të tjera. b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. c) Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon spitalet, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”,-bëhet me dije në vendim. Ndërkohë rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve do të bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Një fond jo më i madh se 32% e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht, për: financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit; pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit; pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit; pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara; pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat; transferta për individët (mjekë specialistë).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.