Sociale

Hyn në fuqi vendimi: Mbi 22 mld lekë, fondi për shërbimet spitalore në vend

11:32 - 25.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbi 22 miliardë lekë në total është buxheti i parashikuar për shërbimet spitalore në 39 institucione shëndetësore në të gjithë vendin. Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi vendimi nr. 42 i datës 22.01.2020 “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2020”. “Gazeta Shqiptare” publikon sot tabelën për ndarjen e këtij buxheti në institucionet shëndetësore si dhe për paketat e shërbimeve, trajtimet në VKM, transfertat për mjekët specialistë, pagesat e shërbimeve PPP si dhe buxheti për rezervat. “Një fond jo më i madh se 32% e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht, për: a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit. b) Pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. c) Pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave. ç) Pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara. d) Pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat. dh) Transferta për individët (mjekë specialistë)”, – theksohet në vendim. Në këtë të fundit bëhet me dije se shpenzimet kapitale për investimet në spitale do të mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sakaq, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor vlerëson kërkesat e spitaleve (rajonale/bashkiake) për investimet dhe ia paraqet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për miratim.




 

Spitalet universitare e paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit. Në vendim bëhet me dije se Spitali Psikiatrik Vlorë, Spitali Psikiatrik Elbasan, Shërbimet e shëndetit mendor në rrethe, Shërbimi i Psikiatrisë Shkodër, Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve; Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit; Qendra Kombëtare Biomjekësore nuk do të financohen nga FSDKSH. Spitalet publike të përgjithshme në nivel qarku ofrojnë shërbimin e urgjencës, shërbimin e mjekësisë së përgjithshme, shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme, ortopedi-traumatologjisë, urologjisë, ORL, okulistikës, angiologjisë, max-facial, shërbimin e obstetrikë-gjinekologjisë, shërbimin e neonatologjisë, shërbimin e pediatrisë, shërbimin e radiologjisë, shërbimin e fizioterapisë, shërbimin e anatomisë dhe histologjisë patologjike, shërbimin e laboratorëve kliniko-biokimikë e të mikrobiologjisë, shërbimin e anestezi-reanimacionit, shërbimin e farmacisë, shërbimin e onkologjisë, kontrollin e infeksioneve spitalore, shërbimin psiko-social, shërbimin e konsultave të specializuara, bankën e gjakut. Spitalet publike të përgjithshme në nivel bashkie ofrojnë: shërbimin e urgjencës, shërbimin e mjekësisë së përgjithshme, shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme, shërbimin e pediatrisë dhe obstetrikë-gjinekologjisë, neonatologji, shërbimin e radiologjisë, shërbimin e laboratorëve kliniko-biokimikë e të mikrobiologjisë, shërbimin e anestezi-reanimacionit, shërbimin e farmacisë, shërbimin ambulator i specializuar, bankën e gjakut. Trajtimi i kimioterapisë do të ofrohet nga shtatë spitale: spitali i Durrësit, spitali i Vlorës, spitali i Shkodrës, spitali i Korçës, spitali i Lezhës, spitali i Fierit dhe spitali universitar “Shefqet Ndroqi”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.