AKTUALITET

“Lidershipi në Politikë”, Klajda Gjosha e ftuara speciale te “Luarasi”

11:27 - 25.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në universitetin “Luarasi” vijojnë sesionet e trajnimit “Lidershipi në Politikë” nga “McCain Institute Arizona State University”. E ftuara speciale e kësaj jave ishte Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit si dhe ish- deputete e Kuvendit të Shqipërisë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në një bashkëbisedim të hapur me studentët e këtij programi, Gjosha foli mbi eksperiencën e saj në politikë e lidership.
“Jam shumë e privilegjuar që jam përzgjedhur nga Instituti ‘McCain’ në bashkëpunim me universitetin ‘Luarasi’ për të trajnuar disa të rinj mbi lidershipin në politikë, ku mbi të gjitha duhet patjetër të japim modelet më të mira për të rinjtë, t’i stimulojmë ata dhe t’u japim mundësinë për të qenë liderë të së ardhmes”, – tha Gjosha.




Ndryshimi i mentalitetit
Ish-ministrja e Integrimit e vuri theksin mbi promovimin e një lidershipi me vlera dhe me integritet, që mund të krijohet me ndryshimin e mentalitetit të partive politike. “Pas viteve ‘90 ne e keqkuptuam institucionin, demokracinë, lirinë e individit për të ecur përpara dhe për ta fituar vendin e punës. Shpeshherë këto janë nocione që lidhen me partinë. Unë mendoj që këtu duhet të fillojë ndryshimi, por që të arrish këtë, duhet të ndryshojnë partitë politike. Nëse duam të shohim se si do të funksionojë vendi nesër, le të shohim sesi funksionojnë së brendshmi partitë politike. Duhet t’u tregojmë të rinjve se sidomos në vendin tonë ka nevojë për një lidership të ri, me një energji pozitive për njerëz që e duan Shqipërinë dhe duan të bëjnë më të mirën për të. Besoj se nga këtu duhet të fillojmë. Dhe ne kemi nevojë për pasion në lidership”, – theksoi ish-ministrja e Integrimit. Kjo e fundit më tej shtoi se duhen aplikuar vlera si meritokracia dhe konkurrueshmëria për pozicionet e punës. “Njerëzit duhen stimuluar. Por edhe duke aplikuar meritokracinë dhe konkurrueshmërinë në pozicione të tilla, si drejtues institucionesh, por edhe drejtues të një biznesi. Sepse lider nuk do të thotë vetëm të drejtosh vendin, por edhe të jesh lider i biznesit tënd, që ke ngritur apo çdo sektori që drejton. Është e rëndësishme që t’i aplikojmë këto vlera kur ne duam të nxjerrim pikërisht figura të reja që të jenë në drejtim të vendit”, – nënvizoi Gjosha.

Strategjia për ekonominë
Përsa i përket largimit masiv të të rinjve nga Shqipëria, Klajda Gjosha propozoi një analizë të mirëfilltë mbi këtë fenomen. Ish-deputetja e LSI-së e vuri theksin mbi hartimin e një strategjie kombëtare për ekonominë në funksion të mirëqenies së qytetarëve. “Ne kemi nevojë për një strategji kombëtare mbi ekonominë. Duhet të biem dakord njëherë e mirë që një reformë në ekonomi, që merret nga një qeveri nuk duhet të ndryshojë nga tjetra. Duhet të biem dakord që ekonomia duhet të shkojë në një linjë për të ndihmuar qytetarët. Ka nevojë për një analizë të mirëfilltë për shkaqet pse largohen shqiptarët. Këtu kthehemi sërish te besimi që kanë te lidershipi. A ka njerëz te të cilët mund të shohin të ardhmen e tyre, por edhe një lider që të sigurojë në fund të fundit qëndrueshmërinë e tyre në këtë vend? Këto janë nocione që do të vlejnë në këtë seminar, por nga ana tjetër le të zgjojmë tek ata dëshirën për të qëndruar këtu dhe për të ofruar më të mirën që ata kanë brenda vetes së tyre dhe dashurinë që kanë për vendin”, – përfundoi ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë për LSI. Politikanët e ftuar në dy javët e mëparshme ishin Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, anëtar i kryesisë së PS-së, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe së fundmi edhe i dërguar special i vendit tonë në OSBE, si edhe Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Kryesisë së PD-së.

Certifikimi
Programi “Lidershipi në Politikë” ka si synim ekspozimin e liderëve të rinj shqiptarë ndaj personaliteteve të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Bashkëbisedimet e hapura mbi lidershipin në politikë do të finalizohen javën e ardhshme me certifikimin e të gjithë studentëve që ishin pjesë e këtyre sesioneve trajnuese. “McCain Institute for International Leadership” pranë “Arizona State University” është një organizatë e përkushtuar në avancimin e lidershipit të udhëhequr nga karakteri, bazuar në sigurinë, oportunitetin ekonomik, lirinë dhe dinjitetin njerëzor në rang global. Organizatat partnere lokale të këtij instituti, “Optima Foundation” dhe universiteti “Luarasi”, duke filluar nga viti 2018 janë duke identifikuar, trajnuar dhe fuqizuar grupe të larmishme liderësh të rinj nga Shqipëria, me një fokus të veçantë në vlera, etikë dhe lidership. Të trajnuarit asistohen nga trajneri për të realizuar në mënyrë të suksesshme PPL-në e tyre. Të gjithë pjesëmarrësit pajisen me certifikatë të lëshuar nga “McCain Institute, Arizona State University”, SHBA dhe universiteti “Luarasi”. Trajnimi është pa pagesë, zhvillohet kryesisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në anglisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.