Fol me Psikologen

Ervisa Lula: Pse duhet të flasim me fëmijët mbi seksin

10:57 - 27.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në ditët e sotme, me zhvillimin e vrullshëm teknologjik, informacionet për seksin mund të gjenden kudo, por në vendin tonë bisedat prind-fëmijë rreth kësaj teme vazhdojnë të mbeten një tabu. Shpesh prindërit ngurrojnë dhe frenojnë komunikimin me fëmijët e tyre adoleshentë, pasi mendojnë se mund të ndikojnë negativisht në formimin e tyre. Por, sa i rëndësishëm është realisht komunikimi rreth seksit me fëmijët? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, psikologia Ervisa Lula tregon se bisedat rreth seksit me fëmijët mund t’i ndihmojnë ata të marrin vendime të duhura për veten dhe jetën e tyre. Ajo më tej sqaron fazat nëpër të cilat kalon një adoleshent mbi edukimin seksual dhe shton se maturimi i hershëm është rrezik, pasi këta adoleshentë janë të predispozuar më shumë për përdorimin e drogave, alkoolit, për t’u përfshirë në aktivitete delinkuente dhe aktivitet të hershëm seksual. Psikologia sugjeron që përpjekjet e prindërve për të folur rreth seksit me fëmijët e tyre duhet të vazhdojnë derisa të jenë të bindur që kanë arritur më të mirën për ta.




A duhet t’u flasim fëmijëve për seksin?
Nëse iu flasim fëmijëve tanë për seksin kemi bërë zgjedhjen e duhur. Nuk i kemi shtyrë ata drejt seksit, përkundrazi i kemi ndihmuar të marrin vendimet e duhura.

Sa të vështirë e kanë prindërit shqiptarë të bashkëbisedojnë me fëmijët mbi këtë tematikë? Ku mund të informohen për të realizuar një bisedë që t’u vijnë në ndihmë fëmijëve të tyre?
Për shkak të natyrës së kësaj lloj bisede është pak e vështirë që prindi të hyjë me fëmijën në situata të tilla, por lajmi i mirë është se ka mundësi për të gjetur literaturë të mirë për t’u informuar, informacione me bollëk (por sigurisht kujdes në përzgjedhje). Kjo është rruga për të mos e lënë fëmijën tënd në errësirë e të paorientuar, por të mirinformuar, për zhvillimin e tij fizik, për ndjesitë e tij, për kënaqësitë.

Në periudhën e adoleshencës, individi bëhet më i ekspozuar ndaj seksit. Por, a është ky një sinjal që ne t’i kyçim fëmijët adoleshentë e të mos i lejojmë ata të kalojnë kohë me njëri-tjetrin pa i kontrolluar?
Në botën e adoleshentëve seksi bëhet më i dukshëm, më i pranueshëm. Ata shpenzojnë më shumë kohë me bashkëmoshatarin e gjinisë tjetër dhe kanë më pak supervizim nga prindërit apo të rriturit. Në këtë periudhë ata japin më shumë mesazhe të tipit “Hej, ti më pëlqen shumë”. Jemi të bindur se nëse do t’i detyronim ata të rrinin larg njeri-tjetrit e të mos shiheshin, atëherë do të përballeshim me rebelimin e tmerrshëm të tyre. Në fakt, kjo është një nga detyrat ndoshta më të vështira që ju si prindër keni dhe besoj jeni të papërgatitur për ta bërë këtë.

Cilat janë fazat nëpër të cilat kalon një adoleshent në edukimin e tij mbi seksin?
Hapi i parë është pikërisht edukimi i vetes dhe marrja e njohurive të munguara, për shkak edhe të edukimit tuaj në një tjetër periudhë. Janë disa faza në të cilat kalojnë dhe stadi i parë është sjellja autoerotike, sigurisht këtu futet eksplorimi i vetes, masturbimi, fantazitë seksuale etj.. Pra, sjellja seksuale në këtë fazë përjetohet vetëm, pa prezencën e dikujt tjetër. Fillimi i gjimnazit përkon me fazën kur ata kërkojnë të hyjnë në ndërveprim, ata tashmë kanë interes të hyjnë në një sjellje seksuale, ku përfshihet një tjetër person. Ajo që duhet të theksojmë është se nuk përjashtohet asnjë prej gjinive. Ashtu sikurse djemtë, edhe vajzat kanë të njëjtin zhvillim vetëm se përjetohet në faza të ndryshme.

Në cilën moshë ndodh puberteti në kohët e sotme? A është e rrezikshme kjo fazë?
Puberteti tashmë ndodh më herët se më parë, fëmijët zhvillohen më herët që do të thotë rreth moshës 12-vjeçare. Te vajzat fillon rreth moshës 7-vjeçare, ndërsa tek djemtë në moshën 9 e gjysmë. Maturimi i hershëm është rrezik, pasi këta adoleshentë janë të predispozuar më shumë për përdorimin e drogave, alkoolit, për t’u përfshirë në aktivitete delinkuente dhe aktivitet të hershëm seksual. Fëmijët tuaj do të kalojnë fazën e pubertetit, kjo është e pashmangshme ashtu sikurse është i pashmangshëm fakti që do të kenë interes për seksin. Ky është një fakt i bukur sepse ata po rriten, por edhe i frikshëm, por që ne duhet ta pranojmë. E dimë shumë mirë që kur kanë të tilla interesa për të marrë informacion, ata kërkojnë në internet apo pyesin shokët e tyre, burime këto shpesh të pasigurta.

Çfarë këshilloni për të gjithë prindërit që e kanë të vështirë të komunikojnë me fëmijët e tyre adoleshentë mbi seksin?
Këto lloj bisedash mendohen tepër të vështira për t’u bërë me prindërit, madje të pamundura. Shumë prej fëmijëve tuaj ndoshta do ta refuzonin një gjë të tillë, por ju duhet të përpiqeni derisa t’ia dilni. Flisni me ta derisa kjo të bëhet e mundur, flisni me ta shpesh dhe të jeni të bindur se keni bërë më të mirën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.