KULTURË

Eleganca e padurueshme e komunizmit

11:45 - 28.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Si është të shohësh në një film dokumentar, një jetë të manipuluar? Të dokumentosh një jetë që nuk ishte ashtu siç dukej, të shfaqësh realitete paqësore të shtetit që kujdeset për shtetasit në një kohë që vendi zhdukte elitat e veta, deri edhe te trupat e tyre? Në sisteme diktatoriale, është mendimi i lirë që ndalohet dhe manipulohet i pari. Teksti që përdorej në mjetet e komunikimit publik kthehej në propagandë duke i riformuluar qëllimet fillestare të materialit që prodhohej. Mendja e njeriut në të njëjtën kohë që mendonte përgjigjen e beftë të një pyetjeje, duhej të përpunonte përgjigjen që pritej prej tij dhe madje deri edhe se si mesazhi që jepte, mund të (keq)interpretohej apo përdorej. Komunikimi ishte përtej semiotikës. Ndaj dokumentari nuk ishte më dokumentues në kuptimin e parë të fjalës. Ose jo doemos. Çesllav Milosh në librin e tij “Mendje e robëruar” ka krijuar konceptin e “Ketmanit” duke diskredituar tërësisht makinerinë kulturore e psikologjike të komunizmit. Duke dashur të shpjegojë devijimin nga ajo që mendohej në atë që thuhej në publik, ai sugjeronte pikërisht një metodë të huazuar nga lindja e largët që e fuste si koncept në ligjërimin e vendeve diktatoriale të Lindjes së Europës si metodë mbijetese. Ketmani nënkuptonte pranimin në publik të komunizmit, ideologjisë dhe politikave të tij, teksa privatisht të gjithë e kundërshtonin. Fraza “nuk ka një mysliman të vërtetë në Persi” tashmë vinte në formën “nuk ka një komunist të vërtetë në Lindje”. Komunizmi mbahej në këmbë nga lidhja e fortë e këtyre fasadave përmes një filli frike që aq sa qe i padukshëm, po aq shenjonte ata që devijonin Ketmanin. Ketmani në përdorimin e origjinës nënkuptonte një lloj maturie e fshehjeje. Dhe i kishte të dyja. Por kishte edhe bashkëjetesën e dy kontradiktave të mëdha brenda njeriut, të asaj që doje e të asaj që bëje; të asaj që besoje dhe të vrasjes së besimit; t’i shërbeje forcimit të sistemit dhe përhapjes së ideologjisë kur doje në fakt ta minoje atë. Megjithëkëtë, koncepti i Milosh shkonte përtej dyzimit, duke shquar mes ushtruesve të Ketmanit ata që i njësonin kontradiktat, që shijonin rolin skenik dhe që humbnin dallimin thelbësor mes vetes së tyre dhe vetes së imponuar.




TRE FILMAT
DOKUMENTUES
Drejtuesja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, bëri një prezantim për kineasten Adriana Elini(1937-1994) të premten. Në një takim ku ju bashkuan familjarë dhe miq të kineastes dhe të bashkëpunëtorit të saj, skenaristit Ilia Dede ajo organizoi shfaqjen e tre dokumentarëve të regjisores. Elezi vlerësoi realizimet e Elinit me fëmijët duke i shpëtuar skematizmit të kohës, kurse vajza e regjisores, Etleva Xhajanka, rrëfeu mungesën e së ëmës në shtëpi prej profesionit. Ndërkaq, Kristaq Mitro u ndal edhe te problemet e Kinostudios. “I vizatonte gjërat mirë, të emociononte, dinte raportet në mizanskenë, njihte mjeshtërinë e aktorit. Por, Kinostudio, kishte edhe gjëra, të cilat…ishin negative”, tha ai.

“Shtëpitë malore të pushimit” (1976), “Çdo vijë, një vizatim”(1984) dhe “Fanfara e të vegjëlve” (1985). Gra elegante, burra të pashëm. Të gjithë të veshur bukur. Një autobus që zbriste kodrinat e Thethit, Voskopojës, Pogradecit, Qafështamës sillte në plane të afërta portrete të bukura njerëzish të lumtur. Fëmijë që vizatonin traktorë, trena e pallate me portretin e diktatorit. Fëmijë që i zë gjumi me portretin e tij në dorë. Ndërtimi i kampeve të pushimit për punonjësit dhe vënia e fokusit te ‘jeta cilësore kulturale’. Të dielat e pushimit me veprën e diktatorit në duar. Denoncimi i borgjezëve që dikur shijonin pasuritë e natyrës që tani i shijon populli dhe kujdesi i partisë për masat punonjëse. Parulla që kërkojnë lavdi për PPSH shenjojnë në plane të afërta e të largët tre filmat e prodhuar në një hark kohor 10-vjeçar, 1976-1985. Shtëpitë e pushimit janë të pastra, lulet kanë mbushur oborret e tyre aq sa të duket se do ndjesh aromën. Ndërsa kuzhinat, kuzhinat kanë bollëk ushqimesh ndonëse Shqipëria do të njihte tollonat, radhën dhe racionet. Cila ishte Shqipëria? Ajo e dokumentarëve apo ajo e rrëfimeve për skamjen? Kineastë e fotografë që kanë punuar para 1990-ës e kanë treguar se planet dhe fotografitë duhej doemos të shfaqnin parullat dhe portretet e diktatorit që t’u lejohej publikimi. Filmat e Elinit janë “Ketmani” i Ish-Kinostudios.
Dokumentari i parë, “Shtëpitë malore të pushimit” (1976) është një vështrim i pushimeve të kaluara mes bukurisë natyrore të fshatit. “Çdo vijë, një vizatim” (1984) ndjek fëmijët kureshtarë gjatë një klase vizatimi, ndërsa “Fanfara e të vegjëlve” – një prodhim i vitit 1985, dëshmon punën e një grupi të ri muzikor me vegla tunxhi dhe mësuesin e tyre të durueshëm. Me gjithë manipulimin e imponuar të realitetit, filmit të 1985-ës nuk i shpëton varfëria e tejskajshme që përjetonte vendi- rrobat e fëmijëve, fytyrat e vrara dhe marshimi në qytet nuk e fsheh tërësisht ‘zinë e madhe të bukës’.

Pos ndikimit të propagandës, dokumentarët e Adriana Elinit kapin në celuloid një Shqipëri që prej kohësh nuk është më si në këta filma, Edhe në ta, regjisorja duket se gjen shtigje arratisjeje. Eleganca e padurueshme e komunizmit që shquhet te zonjat e filmit të 1976-ës ka humbur ngjyrat te ai i 1985-ës. Duket se për pak edhe propaganda po bëhej bardh e zi.
As shtëpitë e pushimit, as kampet e pionierëve me gjithë qëllimet ‘kulturale’ që bërtitën në film nuk duket t’i kenë edukuar ata fëmijë. Një grup zonjash, fëmijë të asaj kohe, komentojnë me zë të lartë çdo gjë pas meje. Shpesh, nostalgjia për fëmijërinë ngatërrohet keq me kohën në të cilën fëmijëria përkoi, duke na bërë të duam zinë e madhe të bukës. Kurbanet e padijes mbi fatet njerëzore mohojnë dyzimin që imponon Ketman-i duke i dhënë një koncept të ri tij; në përkujtime të persekutuarish flitet për lirinë e shtypjen ndërsa në raste të tjera për nostalgjinë e keqkuptuar mbi komunizmin. Ky nuk është më dyzim i njëhershëm,


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.