AKTUALITET

XHEZAIR ZAGANJORI: Labirintet e një konflikti të ndërlikuar, kambanë alarmi… për Shqipërinë

11:30 - 28.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Profesor i së drejtës ndërkombëtare, ambasador, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kryetar i Gjykatës së Lartë. Karriera e Xhezair Zaganjorit ka kaluar nëpër etapa të rëndësishme, por një nga momentet më të spikatura të punës së tij ishte kur ai u caktua relator i çështjes së “paktit detar” Shqipëri-Greqi, që u rrëzua në Kushtetuese me votimin e famshëm 9 me 0. Një dekadë pas atij vendimi historik, Zaganjori rrëfen në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” konceptim e tij se si mund të arrihet në një marrëveshje të pranueshme dhe të drejtë mes palëve. Për këtë, ai shtjellon historinë e një konflikti të ngjashëm mes Sllovenisë dhe Kroacisë për Gjirin e Piranit, në veri të Adriatikut.




Z.Zaganjori, po bëhen 10 vjet nga vendimi që Gjykata Kushtetuese ka dhënë lidhur me Marrëveshjen e Ndarjes së Hapësirave Detare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ende nuk ka zhvillime konkrete mbi këtë çështje. Çfarë mendimi keni?
Keni të drejtë. Po bëhen 10 vjet nga dhënia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e ndarjes se hapësirave detare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë dhe për fat të keq ende nuk është bërë asnjë hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi tepër të rëndësishëm, që ka të bëje drejtpërsëdrejti me çështje të sovranitetit territorial si dhe ushtrimin e të drejtave sovrane të shtetit shqiptar në hapësirat detare që i takojnë në bazë dhe për zbatim të së drejtës ndërkombëtare. Fatmirësisht, deri tani nuk ka pasur incidente. Megjithatë, shfrytëzimi i plotë, shumëdimensional dhe efektiv i tyre bëhet i mundur vetëm pas përcaktimit të qartë të kufijve respektivë. Dhe kjo vlen jo vetëm për ujërat territoriale, të cilat janë pjesë integrale e territorit të shtetit bregdetar, por edhe për shelfin kontinental, zonën e puqur dhe zonën ekonomike ekskluzive, pavarësisht se mbi to shteti respektiv nuk ka sovranitet të plotë, ashtu si në ujërat territoriale, por që ushtron aty të drejta shumë të rëndësishme sovrane, përfshirë këtu të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit ekonomik të tyre.

Po si e shpjegoni këtë vonesë? E pengon politika…?
Në fakt, politika duhet ta zgjidhë apo t’i japë rrugë këtij problemi e jo ta pengojë. Por ngarkesa politike sigurisht që është e pashmangshme. Problemi në vetvete është delikat, shumë i rëndësishëm dhe tepër sensitiv, sepse bëhet fjalë për sovranitet territorial dhe të drejta sovrane të shtetit shqiptar në hapësira të konsiderueshme detare. Ato janë pasuri e patjetërsueshme e shqiptarëve, pasuri e pandarë e këtij shteti. Askush nuk ka të drejtë të çedojë qoftë edhe një metër katror të vetëm nga kjo pasuri që na ka dhënë natyra. Ndaj kërkohet përgjegjësi, seriozitet, profesionalizëm dhe angazhim maksimal.

Ju mendoni se politikës shqiptare i mungon dëshira dhe vullneti për t’u marrë me këtë çështje?
Nuk mundem dhe nuk kam të drejtë ta them. Unë tashmë gjykoj mbi këtë çështje si një qytetar i thjeshtë. Theksova politizimin e këtij problemi për shkak të rëndësisë që paraqet ai në vetvete. Por nga ana tjetër, veçanërisht në realitetin shqiptar, ky politizim i tejskajshëm, ashtu si për shumë e shumë gjëra të tjera shumëfishohet për shkak të natyrës së ballafaqimit politik në tërësi, duke vënë në plan të parë ndikimin në elektorat apo interesa të tjera të çastit. Pak u diskutua dhe u bënë edhe anatemime të skajshme herën e parë, në vitin 2009, por edhe kohët e fundit kur u tentua zgjidhja e problemit përmes bisedimeve dypalëshe. U përmendën përgjegjësia penale, tradhtia, shitja e interesave të vendit e të tjerë, të përfaqësuesve politikë të palës kundërshtare, në një kohë që shumica e negociatorëve, në varësi të orientimit politik, janë promovuar dukshëm në karrierë. Unë mendoj se në të dyja rastet nuk është negociuar siç duhet, bazuar në praktikat, parimet dhe normat bashkëkohore të së drejtës ndërkombëtare detare. Duhet përzgjedhje më e mirë e grupit negociator, me përfaqësues e specialistë të njohur të disa fushave, e pse jo edhe të huaj. Duhet më shumë angazhim profesional e transparencë. Nuk duhet harruar që përballë tryezës se bisedimeve (pra pala greke), kemi një ekip që e njeh jashtëzakonisht shumë mirë dhe në të gjithë gjerësinë, thellësinë e kompleksitetin e saj të drejtën e detit në përgjithësi, në kuptimin praktik dhe doktrinar. Mjafton të përmendet këtu fakti që Akademia Detare e Rodosit është një nga qendrat më të njohura e më autoritare në fushën e së drejtës së detit në nivel botëror. Por ajo që ka rëndësi gjithashtu është edhe mbështetja politike e këtij procesi të rëndësishëm e të vështirë njëkohësisht, nga forcat kryesore politike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë nga Kuvendi. Nuk duhet harruar që në raste analoge, edhe në rajonin tonë, vetëm kërkesa për t’iu nënshtruar një arbitrazhi ndërkombëtar apo për të trajtuar aspekte shumë herë më të vogla se sa ai që kemi ne në rastin konkret është dashur të mbështetet jo vetëm politikisht nga parlamenti, por edhe përmes referendumit popullor. Dua të shtoj edhe një argument të fundit mbi nevojën e përshpejtimit, (por gjithnjë me hapa të matur) të zgjidhjes së çështjes së ndarjes së hapësirave detare me Greqinë, atë të integrimit në BE. Padyshim që nëse vonohemi, ajo mund të bëhet pengesë si për hapjen e negociatave (shpresoj shumë që jo) por edhe më pas, gjatë negocimit të kapitujve të ndryshëm si dhe në vetë anëtarësimin e plotë e të shumëpritur të Shqipërisë në BE.

Po ju vetë theksoni se çështja është e vështirë, sensitive dhe e ndërlikuar. Mos është më mirë që në marrëveshje me Greqinë, ta dërgojmë çështjen në një arbitrazh ndërkombëtar?
Mendoj që jo. Zgjidhja më e mirë sigurisht që janë bisedimet diplomatike direkte mes palëve, megjithëse edhe përmes tyre, tendenca e palëve për të marrë apo “fituar” sa më shumë sipërfaqe ujore ose shelf kontinental është natyrshëm problem kryesor. Prandaj duhet përgatitje e negocim shumë i përgjegjshëm, bazuar në logjikën e gjërave, në praktikën dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Nëse nuk arrihet diçka e tillë, atëherë shumë mirë palët mund dhe duhet të merren vesh për të shfrytëzuar për këtë qëllim një nga mjetet e tjera paqësore për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Por nëse vijmë në këtë situatë, unë personalisht kam bindjen absolute se garancia më e madhe për një zgjidhje të drejtë e të paanshme do të ishte investimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ajo ka një trupë gjyqësore më të madhe dhe një autoritet më të pranueshëm për raste të tilla. Arbitrazhi Ndërkombëtar, megjithëse mund të operojë disi më shpejt, mund ta ndërlikonte shumë problemin. Shikoni ç’po ndodh në konfliktin ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë për ndarjen e hapësirave detare mes tyre. Një eksperiencë për t’u harruar, megjithëse në këtë çështje, dashur pa dashur, është përfshirë tashmë edhe Bashkimi Europian dhe Gjykata Europiane e Drejtësisë.

Po. Dihet që këto dy shtete kanë një konflikt të gjatë mes tyre për ndarjen e hapësirave detare. Nga ana tjetër, muajin që kaloi është folur për një mendim të Avokatit të Përgjithshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë mbi këtë çështje. Mund të thoni për lexuesin diçka më shumë rreth kësaj situate mes tyre?
Patjetër. Por për t’u kuptuar më mirë ky konflikt, do të përpiqem shumë shkurt të përshkruaj origjinën dhe natyrën e tij. Ai ka filluar në fakt që në vitin 1991, kur të dyja vendet u shkëputen nga ish-Jugosllavia, më parë Sllovenia e më pas Kroacia. Dhe sot pas gati 30 viteve, situata për mjaft çështje të përcaktimit të kufirit mes tyre është sërish shumë e ndërlikuar. Por, padyshim që konflikti më i madh mbetet ai i Gjirit të Piranit, i cili shtrihet në pjesën fundore të Golfit të Triestes. Për shkak të pozicionit të papërshtatshëm gjeografik, Sllovenia përfiton një sipërfaqe të kufizuar ujërash territorialë në të gjithë Gjirin e Triestes, e për më tepër, kjo sipërfaqe ujore mbetet e mbyllur, duke mos i garantuar asaj akses të lirë në ujërat ndërkombëtare të detit Adriatik. Me Italinë, kufiri ujor i saj (Sllovenisë) është ndarë e njohur prej dekadash, pas Luftës II Botërore, në kuadër të marrëveshjeve respektive ndërmjet Jugosllavisë dhe Italisë. Me Kroacinë, Sllovenia ka tentuar që në vitin 1991 të përcaktojë kufirin ujor në Gjirin e Piranit si dhe ka kërkuar në vazhdimësi marrjen e një korridori ujor për lundrim përmes ujërave territoriale kroate, në drejtim të ujërave ndërkombëtare. Kroacia ka kundërshtuar duke kërkuar zbatimin strikt të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare detare, bazuar kryesisht në parimin e ekuidistancës, si vijë e drejtë e baraslarguar ndërmjet brigjeve përballë apo pranë njëri-tjetrit. Sllovenia kërkon njohjen e të drejtave historike të saj mbi këtë gji, ose zbatimin e parimit ex aequo et bono. Sërish kundërshton Kroacia, që thotë se të drejtat historike duhet të njihen e pranohen si të tilla paraprakisht nga shtetet fqinje dhe ato përreth, gjë që nuk është rasti për Gjirin e Piranit dhe se parimi ex aequo et bono mund të zbatohet vetëm në rastet kur për zgjidhjen e çështjes konkrete mungojnë normat e së drejtës ndërkombëtare. Në këto kushte, Sllovenia kërkon që për zgjidhjen në tërësi të të gjithë konfliktit ujor me Kroacinë të zbatohet parimi i ekitese, i cili merr në konsideratë të gjithë faktorët relevantë për ndarjen e ujërave territorialë dhe hapësirave të tjera detare mes tyre. Në planin politik, të dyja vendet kanë bënë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e këtij konflikti me një nga mjetet paqësore që ofron e drejta ndërkombëtare, por pa sukses. Problem kryesor ka qenë debati i brendshëm në secilin prej tyre, lidhur me përzgjedhjen e mënyrës dhe mjeteve për zgjidhjen e këtij konflikti, duke u kthyer me të vërtetë në luftë politike me tensione dhe anatemime ekstreme, pa i shpëtuar kësaj edhe drejtuesit më të lartë politikë të të dyja shteteve. Sllovenia shkoi deri aty sa edhe bllokoi përfundimin e disa kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Kroacisë në BE. Por më në fund, me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian, në vitin 2009, gjatë Presidencës suedeze në Këshillin e Ministrave të BE-së, Kroacia dhe Sllovenia arritën të nënshkruajnë një marrëveshje të veçantë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kufitare me anë të arbitrazhit ndërkombëtar. Kjo marrëveshje e konsideruar më në fund si një sukses i jashtëzakonshëm për palët si dhe për kapërcimin e pengesës kryesore të Kroacisë për anëtarësim të plotë, u nënshkrua gjithashtu edhe nga BE-ja, në rolin e dëshmitarit. Në Slloveni, miratimi në parim i saj iu nënshtrua edhe referendumit popullor. Marrëveshja e arbitrazhit përmendet edhe në Traktatin e Anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian, që siç dihet, është realizuar në korrik të vitit 2013, duke u bërë anëtari i 28 i kësaj organizate.

Shumë mirë, por edhe pas 11 viteve nga kjo marrëveshje, konflikti vazhdon, megjithëse për zgjidhjen e tij është angazhuar edhe Bashkimi Europian?
Për shumë arsye. Konflikti është bërë madje edhe më i ndërlikuar. Sipas marrëveshjes së vitit 2009, Gjykata e Arbitrazhit do të përbëhej nga pesë gjyqtarë, tre të caktuar nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga një listë që ka Dhoma Ndërkombëtare e Arbitrazhit, ndërsa dy të tjerët nga palët në konflikt, pra një nga Kroacia dhe një nga Sllovenia. Të dyja shtetet krijuan me kujdes gjithashtu ekipet me të cilat do të përfaqësoheshin në këtë Gjykatë Arbitrazhi, duke rekrutuar për këtë qëllim edhe avokatë dhe ekspertë të njohur jashtë vendit, kryesisht britanikë (Kroacia) apo francezë (Sllovenia). Por, pasi mbaroi kjo fazë dhe Gjykata e Arbitrazhit grumbulloi dokumentacionin e nevojshëm, shpërtheu një skandal. Në korrik të vitit 2015, një gazetë kroate botoi të plotë përgjimin e një bisede telefonike ndërmjet gjyqtarit slloven në përbërje të Gjykatës së Arbitrazhit me një drejtoreshë të Ministrisë së Jashtme të Sllovenisë, e ngarkuar për ndjekjen e çështjes. Në bisedën mes tyre, gjyqtari slloven jep disa detaje nga diskutimet paraprake mes pesë anëtarëve të Gjykatës Arbitrazhit si dhe flitet gjithashtu për nevojën e “lobimit” slloven ndaj tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, gjë që natyrisht që është haptazi në kundërshtim me rregullat e arbitrimit. Të nesërmen, në takimin me ambasadorët e huaj në Zagreb, ministrja e Jashtme e Kroacisë informoi për rastin në fjalë si dhe për disa shkelje të tjera të gjyqtarit slloven, mes të cilave edhe për futjen në dosjen e arbitrimit të disa dokumenteve të tjera shtesë për çështjen, pas kalimit të afateve procedurale. Në vijim, gjyqtari slloven dha dorëheqjen nga Gjykata Arbitrazhit, ndërsa Parlamenti kroat, me unanimitet vendosi tërheqjen e menjëhershme nga Marrëveshja e Arbitrimit, për shkak të shkeljeve të palës sllovene, të cilat, sipas tij, binin në kundërshtim të hapur me Konventën e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve. Në këto kushte, sipas Kroacisë, kishte pushuar edhe aktiviteti i Gjykatës së Arbitrazhit, të ngritur nga palët për çështjen në fjalë, ndaj dha dorëheqjen edhe gjyqtari kroat. Por, të këtij mendimi nuk ishin tre gjyqtarët ndërkombëtarë të këtij arbitrimi si dhe presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili në mungesë të dy gjyqtarëve të tërhequr nga palët respektive, caktoi dy gjyqtarë të tjerë ndërkombëtarë për të plotësuar numrin pesë të kësaj Gjykate Arbitrazhi. Gjykata e plotësuar tashmë, vendosi që në fillim të vazhdonte e përfundonte shqyrtimin e konfliktit, pavarësisht se pranoi që sjellja e palës sllovene binte në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe rregullat e arbitrimit. Por sipas saj, kjo sjellje nuk kishte ndikuar tek vetë anëtarët e kësaj gjykate. Në vijim, pala sllovene bashkëpunoi me të, ndërsa ajo kroate jo. Vendimi përfundimtar, marrë me unanimitet nga Gjykata Arbitrazhit, është shpallur në fund të qershorit 2017, në të cilin, referuar mosmarrëveshjes në Gjirin e Piranit, pranohen përgjithësisht pretendimet e Sllovenisë. Sipas parashikimeve ligjore, ky vendim ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2017. Por, vendimi ndërsa është pranuar nga pala sllovene, kundërshtohet kategorikisht nga ajo kroate. Kroacia është shprehur qartësisht që nuk e njeh dhe nuk e pranon atë. Në këto kushte, mosmarrëveshjet për këtë hapësire ujore vazhdojnë, e për më tepër, shpesh ka edhe përplasje kryesisht rreth të drejtës së peshkimit të anijeve apo varkave kroate në ujërat e gjirit.

Si ka mundësi që nuk njihet ky gjykim në një kohë që të gjithë anëtarët e Gjykatës së Arbitrazhit janë ndërkombëtarë, të paanshëm e specialistë të njohur të fushës?
Padyshim që janë të tillë. Mjafton të përmend që dy prej tyre, gjermani Bruno Simma dhe francezi Gilbert Guillaume janë me të vërtetë ekspertë të shquar e me përvojë brilante në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ata janë ikona të së drejtës ndërkombëtare publike bashkëkohore. Është garanci dhe privilegj i padiskutueshëm t’i kesh këto personalitete të së drejtës të angazhuar në zgjidhjen e një konflikti ndërkombëtar. Por megjithatë, mendoj se duhet kuptuar edhe Kroacia. Në këtë rast ajo e kundërshton këtë Gjykate Arbitrazhi si institucion, sepse sipas saj, Marrëveshja e Arbitrimit mbi të cilën ajo është ngritur, ka rënë për shkak të veprimeve të palës sllovene, të cilat sërish sipas saj, bien në kundërshtim me të drejtën e traktateve, konkretisht me Konventën mbi të Drejtën e Traktateve. Neni 60 i saj, në paragrafin e parë të tij parashikon rastet e përfundimit të veprimit të një traktati ndërkombëtar dypalësh, për shkak të cenimit nga pala tjetër të një dispozite të rëndësishme materiale të tij. Nga ana tjetër, në parim është diskutuar edhe çështja e pavarësisë dhe paanësisë objektive të anëtarëve të saj, si një kusht esencial i procesit të rregullt ligjor, bazuar në argumentin e njohur universalisht se “drejtësia jo vetëm që duhet të jepet, por ajo duhet të shihet edhe se si jepet”. Dhe ky gjykim apo vlerësim duhet bëhet si rregull nga një trupë tjetër gjyqësore. Për shkak të përfshirjes në proces, në këtë rast shumë mirë mund të kishte qenë vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kësaj Gjykate mendoj se Kroacia mund t’i ishte drejtuar edhe lidhur me vlefshmërinë e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit të qershorit 2017.

Atëherë si i bëhet? Cila mund të jetë perspektiva apo zgjidhja e kësaj çështjeje kaq të ndërlikuar dhe si ka ndërhyrë BE? Ç’përfaqëson nga ana tjetër mendimi i Avokatit të Përgjithshëm të GjEDr paraqitur para një muaji, për të cilin ju pyeta edhe më parë?
Është edhe më e ndërlikuar se kaq, megjithëse më duket se u zgjata. Sidoqoftë, shkurtimisht mund të them se Sllovenia i është drejtuar për këtë qëllim Gjykatës Europiane të Drejtësisë në Luksemburg, bazuar në nenin 259 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Europian, në të cilin parashikohet që një shteti anëtar në BE i njihet e drejta t’i drejtohet me kërkesë kësaj gjykate, nëse një shtet tjetër anëtar nuk përmbush detyrimet e traktateve. Sipas Sllovenisë, çështja implikon edhe Bashkimin Europian, pasi BE: a) Ka marrë pjesë në bisedimet për përfundimin e Marrëveshjes se Arbitrazhit dhe e ka firmosur atë me cilësinë e dëshmitarit. b) Marrëveshja në fjalë përmendet shprehimisht në Traktatin e Anëtarësimit të Kroacisë në BE. c) Sllovenia nuk është në gjendje të zbatojë në hapësirën e saj detare angazhimet e politikave të përbashkëta të peshkimit në BE si dhe kontrollin e efektiv të kufijve të saj sipas Marrëveshjes Shengen, e të tjerë. Mbi këtë bazë, ajo pretendon se Kroacia, duke mos njohur e zbatuar vendimin në fjalë, ka cenuar nenin 2 dhe 4 të Traktatit të Bashkimit Europian dhe konkretisht e respektivisht, parimin e shtetit të së drejtës (neni 2) si dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë mes shteteve anëtare në BE (neni 4). Në fakt, sipas parashikimeve ligjore, kërkesa sllovene i është dërguar fillimisht Komisionit të Bashkimit Europian, i cili brenda tre muajve duhet të japë mendimin e tij. Komisioni nuk është përgjigjur brenda këtij afati (me sa duket nga kompleksiteti dhe sensibiliteti i çështjes), ndaj kërkesa sllovene është paraqitur tashmë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Ndërkaq, siç thatë edhe ju, pak më shumë se një muaj më parë, konkretisht më 11 dhjetor 2019, Avokati i Përgjithshëm i kësaj gjykate, Prit Prikame, gjyqtar me shumë përvojë dhe ish- kryetar i Gjykatës së Lartë të Estonisë ka dhënë mendimin për kërkesën sllovene lidhur me juridiksionin e GjEDr. Ai mendon që çështja duhet të dalë jashtë juridiksionit të kësaj gjykate, pra nuk duhet të shqyrtohet prej saj, pasi në thelbin e vet, kërkesa nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me të drejtën e Bashkimit Europian, por me të drejtën ndërkombëtare publike dhe se çështjet e përcaktimit të kufijve territoriale dhe e të drejtave sovrane mbi këtë territor janë çështje që i përkasin ekskluzivisht shtetit respektiv. Kroacia e ka përshëndetur këtë mendim këshillimor të Avokatit të Përgjithshëm dhe e ka ftuar Slloveninë të ulen sërish të tavolinën e bisedimeve. Mbase të lodhur nga kjo situatë, ka pasur mendime që e gjithë hapësira ujore e Gjirit të Piranit të vendoset nën një kondominium, që do të thotë të qeveriset apo shfrytëzohet bashkërish përmes bashkëpunimit mes të dyja shteteve. Sidoqoftë, ritheksoj se mendimi i Avokatit të Përgjithshëm ka ngjallur diskutime të shumta jo vetëm për perspektiven e çështjes, por edhe në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare dhe europiane. Ka vlerësime pozitive, por me shumë kritika. Gjykata Europiane e Drejtësisë pritet të merret seriozisht me këtë çështje në muajt në vijim, brenda këtij viti. Si rregull, në shumicën e rasteve, ajo ndjek mendimin këshillimor të Avokatit të Përgjithshëm, por sigurisht që është e lirë të mbajë edhe një qëndrim tjetër. Padyshim që vendimi i saj do të jetë jo vetëm i rëndësishëm, por edhe me shumë interes. Megjithatë, një gjë është e sigurt. Edhe BE-ja ndodhet në një siklet shumë të madh me këtë çështje.

Po në rastin tonë me Greqinë, si mendoni se do jenë zhvillimet?
Theksova edhe në fillim. Duhet negociuar pa vonesë dhe me shumë seriozitet, gjithëpërfshirje e përkushtim, pa e politizuar çështjen më shumë se ç’duhet. Kjo çështje mund të na krijojë probleme e vështirësi edhe në procesin e integrimit. Përsëris se problemi është shumë i rëndësishëm. Diskutohet për ujëra territoriale dhe hapësira të tjera detare shumë më të mëdha se ato të Gjirit të Piranit. Nga ana tjetër, vendimi nr.15/2009 i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë. Ai është përkthyer të paktën në anglisht e gjermanisht dhe ka pasur vlerësime edhe nga avokatë e ekspertë të huaj për cilësinë dhe nivelin e tij në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare. Aty jepen apo zbërthehen në detaje, me kompetencë e në kontekstin konkret praktikat, parimet dhe normat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e së drejtës së detit. Edhe pala greke padyshim që i njeh këto parime e praktika ndërkombëtare, e ndoshta edhe më mirë, për shkak edhe të rrethanave, kushteve gjeografike dhe eksperiencës së gjatë dhe të suksesshme të saj në këtë fushë. Problemi kryesor është të negociohet në bona fide, në partneritet e barazi të plotë mes palëve. Duhet të përcaktohet qartë e saktë natyra dhe statusi juridiko-ndërkombëtar i secilës prej hapësirave që do të delimitohet. Duhet pasur parasysh se pjesa më e madhe e kësaj hapësire ka statusin e ujërave territoriale, mbi të cilat secili shtet ushtron sovranitet të plotë, ndaj për këtë hapësirë nuk mund të flitet për caktimin ex nuovo të vijës ndarëse, por për saktësim të kufirit shtetëror ekzistuese, të përshkruar e përcaktuar me Protokollin e Firences të vitit 1925, e të tjerë. E rëndësishme është që në tërësi duhet të kërkohet zbatimi i parimit themelor të Konventës së III mbi të Drejtën e Detit, që është ai i ekitese, mbi bazën e të cilit, për një ndarje të drejtë e të ndershme të hapësirave detare duhet të merren në konsideratë të gjithë faktorët relevantë, si karakteristikat e bregdetit, prania ose jo e ishujve si dhe përmasat e natyra e tyre, heqja e vijave bazë në kushte barazie, e të tjerë. E në fund, padyshim që duhet të bëhet edhe testi i proporcionalitetit. Në praktikë sigurisht që nuk është e lehtë zbatimi i këtyre kërkesave. Megjithatë, nëse ka mosmarrëveshje thelbësore e nuk merren rezultatet e pritshme, sigurisht që me vullnetin e të dyja palëve, konflikti mund t’i përcillet shumë mirë një mekanizmi ndërkombëtar. Përsëris se personalisht, për një sërë arsyesh e avantazhesh, kam bindjen që në këtë rast, ky mekanizëm duhet të jetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e mbani mend mirë edhe sot pas dhjete viteve. Nga ana tjetër, flisni deri në hollësi e me pasion edhe për konfliktin ndërmjet Kroacisë e Sllovenisë. Si shpjegohet ky interes i veçantë për detin?
Vendimin e mbaj mend sepse e kam shkruar vetë, si relator i çështjes, por edhe si njohës i kësaj fushe. Jam pedagog i së drejtës ndërkombëtare publike që nga viti 1981, e për më tepër, kam pasur fatin të punoj me të drejtën e detit edhe gjatë qëndrimeve apo kontakteve të shpeshta me Institutin ‘Max-Planck’ në Heidelberg të Gjermanisë. Për pjesën e dytë të pyetjes, mund të them thjesht se përpiqem të ndjek rregullisht dhe të lexoj vendimmarrjen e disa gjykatave ndërkombëtare, e deri diku edhe të ndonjë prej gjykatave të larta apo kushtetuese me vokacion të njohur europian apo botëror. Lidhur me interesin, në një plan të përgjithshëm mund të them se deti është një nga mrekullitë më të mëdha të jetës dhe zhvillimit në të gjithë globin tokësor. Dua të përmend shkurtimisht vetëm një fakt. Një nga konstitucionalistët më të njohur të shekullit qe kaloi, Karl Schmitt, dekada më parë kë bërë një libër me titull “Toka dhe Deti” (Land und Meer). Është libër i vogël, por shumë interesant, me rreth 100 faqe, i shkruar në formën e një eseje, që ia kushtonte në atë kohë vajzës së tij të vetme me rastin e 15-vjetorit të saj. Ndër të tjera, ai thekson se me të vërtetë që jeta e njeriut është në tokë, por është fakt i padiskutueshëm që ashtu si edhe vetë jeta, edhe zhvillimi i shoqërisë njerëzore në tërësi është kushtëzuar gjithnjë nga deti. Aty janë realizuar të gjitha zhvillimet që lidhen ngushtësisht me njeriun dhe shoqërinë, që nga jeta e hershme e periudhës Potamike (pranë Nilit, Tigrit dhe Eufratit), e më pas në periudhën Talasike (Greqi, Romë e Venedik) dhe periudhën Oqeanike (që fillon me zbulimet e mëdha të periudhës së Mesjetës). Sot është fakt i pakundërshtueshëm që për shkak të zhvillimeve spektakolare në fushën e shkencës e teknologjisë, ka një shfrytëzim të gjithanshëm e shumëdimensional të detit, gjë që shpesh shkakton probleme e konflikte mes shteteve. Pikërisht për këtë arsye vjen në ndihmë edhe e drejta e detit, si një fushë shumë e rëndësishme e së drejtës ndërkombëtare publike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.