Kryesore

“Kam një problem të pazgjidhur”, Rama intervistë për prestigjozen gjermane, ja çfarë thotë për integrimin dhe Reformën në Drejtësi

18:18 - 31.01.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për prestigjozen gjermane “Spiegel”, ku ka folur në lidhje me çeljen e negociatavë të Shqipërisë me Bashkimin Europian, Reformën në Drejtësi dhe gjithë aktualitetin politik në vend.




Më poshtë intervita e plotë e kryeministrit Rama për “Spiegel”:

SPIEGEL: Zoti kryeministër, vitin e kaluar u shty fillimi i bisedimeve të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë dhe MV. Kjo gjë do të diskutohet sërish në samitin e BE-së në mars. A prisni një vendim pozitiv?

RAMA: Nuk jam as optimist, as pesimist. Praktikisht, vendimi për të filluar negociatat e anëtarësimit nuk thotë asgjë për ne, sepse mbi të gjitha dëshmon për polemikat e brendshme në BE. Ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat për të filluar negociatat. Shtyrja e tyre nuk ishte aspak e mirë për ne. Fatkeqësisht, disa politikanë në vendet e BE-së harrojnë se ne kemi nevojë për procesin e bisedimeve si një udhëzues për modernizimin e shtetit dhe të institucioneve tona. Nëse Shqipëria do të bëhet anëtare varet më pak nga ne sesa nga vetë BE-ja.

SPIEGEL: Opozita bojkotoi edhe parlamentin edhe zgjedhjet, ndërkohë që reforma zgjedhore është ende në pritje. Ju jeni akuzuar për blerjen e votave. A është Shqipëria në një krizë të demokracisë?

RAMA: Ne nuk jemi ende plotësisht të pjekur për praktikat demokratike, sepse Shqipëria ka qenë diktatura komuniste më e izoluar në Europë. Bojkotet parlamentare janë një traditë te ne. Edhe partia ime e ka praktikuar atë, por, një bojkot zgjedhor është një përshkallëzim që kërcënon sistemin demokratik. Kjo gjë duhet të ndalet. Kohët e fundit kemi vendosur së bashku me opozitën që të hartojmë një reformë zgjedhore. Shpresoj se do të funksionojë. Përsa i përket blerjes së votave unë nuk e diskutoj problemin. Ky fenomen ka rënë ndjeshëm dhe kurrë nuk ka qenë kaq i fortë sa të ketë ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve.

SPIEGEL: A jeni përfshirë personalisht në blerjen e votave?

RAMA: Jo. Vitin e kaluar unë padita gazetën ‘’Bild’’ për këtë pretendim. Procesi është ende në vazhdim.

SPIEGEL: Sistemi gjyqësor në Shqipëri funksionon shumë ngadalë dhe shumë gjyqtarëve të korruptuar iu desh të linin postet e tyre, ndërkohë që reforma nuk po bën përparime të dukshme. A është Shqipëria një shtet i së drejtës?

RAMA: Unë shoh suksese. Ne jemi në procesin e pastrimit të gjyqësorit tonë. Ne po operojmë kancerin në trupin e pacientit. Ai mund të ngrihet në këmbë vetëm pas operacionit. SPIEGEL: Krimi i organizuar është një kërcënim kryesor për Shqipërinë. Klanet shqiptare të drogës janë gjithashtu aktive në vendet e BE-së si Gjermania. Qeveria juaj po përpiqet ta luftojë atë. RAMA: Jo, nuk është e vërtetë. Shqipëria është një vend shumë më i mirë se katër apo pesë vite më parë. Nuk ka më prodhim në shkallë të gjerë të kanabisit, numri i vrasjeve nga krimi i organizuar ka rënë ndjeshëm. Ne kemi burgosur anëtarët kryesorë të klaneve të drogës. Gjatë javëve të ardhshme ne do të fillojmë një ofensivë shumë të ashpër kundër krimit të organizuar dhe do të konfiskojmë pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme.

SPIEGEL: Presidenti Ilir Meta refuzoi të firmoste ligjin e ri të diskutueshëm për mediet. Nga jashtë vendit erdhën kritika, sipas të cilave ai kufizonte lirinë e shprehjes. A do ta tërhiqni?

RAMA: Nuk ka arsye për ta bërë një gjë të tillë, kjo është qesharake. Gjatë bisedimeve me OSBE-në, ne kemi vazhduar ta zbusim ligjin për mediet. Ligji përfshin një dispozitë, sipas së cilës viktimat e shpifjes duhet të kontaktojnë një rregullator dhe të kenë të drejtën të kërkojnë një përgënjeshtrim dhe falje.

SPIEGEL: Një vit më parë, një raport hetimor e keni konsideruar “gazetari’ kazan”. A keni ndonjë problem me median kritike?

RAMA: Pranoj se kam një problem të pazgjidhur. Dikur kam qenë një zë i fuqishëm për medien e pavarur. Ju mund të krahasoni problemin tim me gazetarinë dembele me atë të një ish-yllI basketbolli, që tani rri ulur në stol dhe fishkëllen lojtarët mediokër. Megjithatë, i përmbahem asaj që kam thënë, nuk e kam problem këtë. Nëse dikush thotë se jam idiot, nuk e kam problem, por nuk mund të hesht përballë akuzave të rënda të rreme.

SPIEGEL: Vitin e kaluar, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia krijuan bashkëpunimin e ashtuquajtur miniSchengen. A është ky hapi i parë drejt një modeli alternativ të anëtarësimit në BE, sipas të cilit rajoni do të jetë i lidhur ngushtë me BE-në, por vendet e tij nuk do të jenë anëtarë me kohë të plotë?

RAMA: Jo nuk është një alternativë, por një fazë në rrugën drejt përafrimit me BE-në. Nga ky bashkëpunim përfitojnë ekonomitë tona. Thjesht, konsideroni këtë shifër: Koha e pritjes që kalojnë njerëzit dhe mallrat në kufij, në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të llogaritet si 1 000 vjet në një vit. Kjo është tronditëse! Ne kemi nevojë për një qarkullim dhe transferta të lira të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve tona.

Edi Rama, 55 vjeç, është drejtuesi i Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe është kryeministër që nga viti 2013. Ai filloi të pikturojë herët, studioi art dhe luajti në ekipin kombëtar shqiptar të basketbollit. Në vitin 2000 ai u bë Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në 2004 fitoi çmimin “Kryebashkiaku i Botës” për ridizajnimin me ngjyra të ngrohta të ndërtesave të kryeqytetit shqiptar. Pas marrjes së detyrës si kryeministër në 2013, ai fillimisht u vlerësua për disa reforma qeveritare dhe administrative. Ndërkohë, kritikët akuzojnë Ramën për një stil drejtimi gjithnjë e më autoritar dhe se nuk e ka luftuar fort korrupsionin dhe krimin e organizuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.