Intervista

Anxhela Peza: Gratë e vajzat në Shqipëri vriten dy herë, fizikisht e moralisht

11:11 - 04.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Dy ditë më parë një tjetër vrasje brenda familjes i ka marrë jetën një 33-vjeçareje, e cila u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj 45- vjeçar. Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT-i, ka një rritje të numrit të të prekurve nga dhuna në familje. Numri i të regjistruarve varion nga 1.998 raste në vitin 2010-ën, në 2.951 raste në vitin 2018. Në tri vitet e fundit ka pasur një rritje me 9% të rasteve të regjistruara për çdo vit. Por cilat janë shkaqet e përhapjes së dhunës në këto përmasa në shoqërinë tonë?




Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Anxhela Peza, psikologe klinike dhe këshillimi, tregon se gratë në Shqipëri vriten dy herë, një herë fizikisht dhe herën tjetër moralisht. Ajo shton se koncepti mbi raportin burrë dhe grua, emigracioni, emigrimi, kultura, ekonomia si dhe psikozat e fshehura janë shkaqet kryesore të dhunës në familje. Peza bën me dije se ka raste kur vetë nga organet kompetente kanë dalë informacione se kush ka denoncuar, nuk është dhënë ndihma e zgjidhja problemit dhe thekson se nuk ka mbështetje institucionale, programe sociale që t’i japë sigurinë e plotë një gruaje.

Dy ditë më parë një 33-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj. Çfarë po ndodh me familjen shqiptare, pse kaq shumë dhunë ndaj femrave?
Përderisa rastet e dhunës janë të përditësuara në lajme dhe në realitetin që ne jetojmë, shifrat janë në rritje. Me lajme të tilla duket sikur familja ka humbur funksionin e saj. Përshkrimi i lajmit me kaq detaje e bën popullin të fitojë një lloj indiferencë ndaj dhunës dhe vrasjeve të grave. Në dukje, vërehet një lloj pandjeshmërie duke thënë se: “Kushedi se çfarë ka bërë ajo, që e ka vrarë ai”. Ne gruan e vrasim dy herë, njëherë fizikisht dhe njëherë moralisht.

Cilat janë shkaqet kryesore të dhunës së ushtruar ndaj grave e vajzave?
Ne jemi konsideruar si një shoqëri e dhunshme dhe e tregojmë këtë edhe në gjërat më të vogla që bëjmë. Nga një dhunë e vazhdueshme vjen pasojë edhe vrasja. Mund të themi disa shkaqe: koncepti mbi raportin burrë dhe grua, emigracioni, emigrimi, kultura, ekonomia si dhe psikozat e fshehura.

Pse arrijnë deri në vrasje agresorët? Si e gjykoni ju si psikologe?
Shkaqet që përmenda pak më sipër kompletojnë kornizën e një agresori. Një njeri atakon kur viktima nuk kundërshton dhe e pranon dhunën. Nuk ka reagim qytetar ndaj dhunës që shihet e dëgjohet brenda komunitetit ku jetojnë. Që kur janë hapur depot e armëve, shumica e popullit tonë ende e posedon një të tillë në shtëpi.

Mund të na tregoni se cilat janë veprimet që duhet të kryejë një grua apo vajzë që është viktimë e dhunës?
Me rastet e mia klinike gratë rrëfejnë se kanë qenë të dhunuara herët në fëmijëri nga prindërit apo babai ka ushtruar dhunë tek ato. Kur fëmijët janë ankuar për jetën e tyre, dhunën psikologjike apo fizike që po i ushtrohet, ata i kanë thënë ky ishte fati yt dhe duhet ta pranosh këtë gjë. Përpiqu ta zgjidhësh. Ka pasur edhe raste që i kanë akuzuar fëmijët se faji është i yti. Kemi dhe sindromën e Stokohlmit ku viktima dashurohet me dhunuesin e saj. Profili i një dhunuesi është i veçantë në specifikën e tij për mënyrën se si i manipulon gratë. Ata premtojnë se nuk do të dhunojnë më. Dhe nëse e kanë bërë, është faji i tyre që ata arritën deri në dhunë. Arrihet një pikë ku të dyja palët kanë nevojë për ndihmën e specializuar psikologjike.

Sa e mbrojtur është realisht nga dhunuesi një femër pasi kryen denoncimin?
Jo, nuk është. Politikat sociale në vendin tonë janë të tilla që asnjëherë nuk je i sigurt. Duhet që shteti të sigurojë në fillim mbrojtje fizike, një strehim, më pas punësim dhe personin dhunues ta ndjekë deri në fund. Duke e izoluar apo mbajtur larg viktimës që në këtë rast mund të jetë gruaja me fëmijët dhe duke rehabilituar atë, ndoshta me punësim, me ndjekjen e një psikologu apo trajtime të natyrave të ndryshme. Vetë nga organet kompetente kanë dalë informacione se kush ka denoncuar, apo nuk është dhënë ndihma e zgjidhja problemit. Kështu ka humbur disi besimi. Madje kemi plot raste të historive ku bashkëshorti ka dalë nga burgu dhe ka vrarë gruan. Format e rebelimit të grave janë të dukshme, ndryshe nuk do kishim vrasje. Nga ana tjetër nuk ka mbështetje institucionale, programe sociale që t’i japë sigurinë e plotë një gruaje. Nuk kemi shembuj pozitivë, të suksesshëm që janë mbrojtur plotësisht.

Jo rrallëherë, pas denoncimit dhunuesi qëndron në një shtëpi me të dhunuarën. Sa është propabiliteti që ajo grua të dhunohet sërish?
Nuk ka asnjë shans që dhuna të mos ndodhë përsëri. Kemi raste të urdhrave të mbrojtjes dhe pavarësisht se gruaja qëndron më urdhër mbrojtjeje, i cili ai duhet të qëndrojë 500 metra larg saj. Ata jetojnë në një shtëpi dhe ajo dhunohet përsëri.

Cilat janë kategoritë më të dhunuara të grave?
Kur flitet për dhunë jo domosdoshmërish duhet të specifikojnë zonën urbane apo rurale, dhuna është kudo. Mund të them se gratë intelektuale kanë turp, frikë të pranojnë se dhe ato dhunohen. Për shkak të pozitës që kanë në shoqëri, për shkak rrethanave kërcënuese etj.

A duhet të ketë ashpërsim të ligjit ndaj dhunës në familje?
Lind nevoja për rishikim të ligjit me numrin e lartë të dhunës brenda familjes. Vëmendje më e madhe të drejtohet ndaj gruas, sepse duket sikur jemi kthyer në një vend që vetëm vrasim gratë.

Shkaqet e dhunës në familje sipas psikologes:

  • Koncepti mbi raportin burrë dhe grua: Ne kemi jetuar në një shoqëri maskiliste ku burri është dominat ndaj gruas. Dhe ajo është nënshtruar gjithë jetën duke e parë babain, vëllain, burrin si një “zot” nëgjithçka. Pa fjalën e tij, asgjë s’mund të ndodhë. Keqedukimi i nënave jo i njëjtë midis djalit dhe vajzës së saj. Nuk edukohen për barazi gjinore.
  • Emigracioni: Një burrë emigrant dhe një grua e cila qëndron vetëm në shtëpi pas viteve ’90 është rasti klasik e një familjeje shqiptare. Burrat të cilët kanë emigruar nuk kanë investuar në arsimimin e tyre apo formimin drejt zhvillimit dhe kanë mbetur me mentalitetin e viteve që kanë emigruar. Ndërkohë, gratë e tyre mund të kenë investuar në formimin e tyre dhe kjo ka sjellë pasoja të tilla si kontradiktat në çift, mospërputhje karakteri, dhunë psikologjike e fizike deri edhe në vrasje. Pasi shumë gra kanë reaguar ndaj pakënaqësive, kanë kundërshtuar dhunën në format e saj derisa kanë mbetur të vrara.
  • Migrimi: Në vitet e diktaturës komuniste ishte e vështirë lëvizja brenda Shqipërisë pa miratimin e partisë. Ndërsa sot pas viteve ’90-të kemi migrime të shumta në vend. Këto migrime nga zonat rurale në ato urbane kanë sjellë kontradikta në përshtatje, komunikim dhe kuptimin e vërtetë të një situate. Edhe lajmet kur shkruhen apo shfaqen theksojnë ende origjinën e personit që ka dhunuar ose vrarë, edhe pse vendbanimi mund të jetë në Tiranë për shembull.
  • Mbivendosja kulturore ka sjellë konflikte edhe konfuzione të natyrave të ndryshme.
  • Kultura: Në vendin tonë vlen shumë për t’u përmendur faktori kulturor. Trashëgimia kulturore e vlerave morale shoqërore ka qenë se femra duhet të ketë një rol jo aq dominant sa burri. Të jetë në shërbim të familjes, bashkëshortit. Ne kemi krijuar një mendësi se kur ka probleme, duhet ta asgjësojmë atë, ta zhdukim, ta vrasim. Një perceptim i gabuar drejt destruktivitetit. Kështu mendojmë se kemi eliminuar shqetësimin apo problemin. Nuk kemi zgjidhje të tilla si komunikimi, divorci, ndihma e specializuar për çiftin apo familjen. Modelet e gabuara nga e kaluara se si duhet të jetë një “burrë”.
  • Ekonomia: Papunësia sjell probleme në çift dhe në familje gjithashtu. Sot ne jetojmë në një botë, ku ekonomia është shndërruar gjithçka në jetë. Kur nuk plotësohen elementët bazikë të jetesës është vështirë të ketë komunikim, harmoni, bashkëpunim në çift. Nga konflikti lind dhe dhuna.
  • Psikozat e fshehura: Dihet se përballja me idenë se individi ka një problem të shëndetit mendor nuk pranohet kollaj jo vetëm nga vetë ai, por nga familjarët dhe shoqëria gjithashtu. Nuk ndiqen nga psikologu dhe psikiatri, duke përkeqësuar shëndetin e tyre mendor dhe arrihet deri në dhunën fizike e përfundimi në vrasje të natyrave të tmerrshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.