DOSSIER

Dokumenti i dyshuar/ Mehmet Shehu premtoi të helmonte Enver Hoxhën

11:26 - 05.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli Polovina  – Libri i fundit i bashkëshortes dhe bashkëluftëtares së Enver Hoxhës (“Përjetime dhe meditime në jetën time politike”) paraqiste ato që ajo i kishte shkruar në botimet e veta të mëparshme, madje këtë herë rrëfyer me një stil më të vakët dhe më të rënduar prej stërthënieve. Kryetarja e Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe drejtorja e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të para nëntëdhjetës me këtë rast qe kujdesur të vendoste në ballinë të librit edhe një portret të saj të periudhës së dytë të jetës, të pas rënies së modelit shoqëror stalinist.
Kjo politikane që ndryshe nga i shoqi, i cili ka një grumbull justifikuesish dhe një grusht ndjekësish, nuk mundi as në gjysmëshekullin real komunist dhe as pas tij t’u hynte në zemër shqiptarëve, duhet ta kishte shmangur këtë foto-selfie, duke u mjaftuar në kopertinë me vetëm emrin. Gjithsesi kjo vetëparaqitje ambicioze mbetet një mënyrë për të theksuar se detyrohet të mbajë përgjegjësi të dukshme për çfarë ka shkruar. Për këtë arsye i themi publikisht përshtypjen tonë, individuale: ajo nuk është vetëm tërësisht një mendësi dogmatike, por edhe një fshehëse e qëllimtë, madje shumë e zhdërvjellët, e të vërtetës historike.




MEHMET SHEHU
Në këtë vëzhgim po përpiqemi ta dëshmojmë këtë cen me njërin nga manipulimet e shumta që ajo bën: Mehmet Shehun. Në paraqitjen e tij Nexhmije Hoxha ndjek linjën e të shoqit, pra “Tablonë sinoptike”. Shehu për të mbetet poliagjent, duke anuar më tepër nga etiketimi si spiun i anglo-amerikanëve, pra i Perëndimit. Me këtë, duke menduar se e fundos, ajo e shpall njeri të demokracisë. Ndërkaq Mehmet Shehu qe bolshevik i kulluar dhe mirëfilli antidemokrat politik. Aftësia e tij e padyshimtë organizative, inteligjenca e dukshme, simpatia ndaj teknologjisë moderne, nuk ia zbardhin dot një cilësi të tmerrshme të tij: qe vrasës. Ai ta merrte jetën fare lehtësisht, jo rrallë duke ia kaluar edhe vetë Enver Hoxhës.
Jo pak lexues të librit të fundit të bashkëshortes Hoxha vunë re se pa dashje në faqet e tij ajo pati zbuluar arsyen e vërtetë përse ngjarjet në Bllok i shtynë në një mënyrë të tillë që kryeministri ta hiqte qafe veten. Ajo ka shkruar se kur ishte i pranishëm Enveri, Mehmeti sillej urtë, kur ky mungonte shfaqej krejt ndryshe: i frikshëm.

Nuk ka gabuar në këtë konstatim. Veç nuk ka asnjë të drejtë ta bëjë Shehun patjetër spiun. Autori i këtyre radhëve mendon se kryeministri disadekadash i periudhës realkomuniste nuk qe aspak agjent i të huajve. Thjesht ishte ambicioz për pushtet politik dhe i bindur se pas vdekjes së natyrshme të Enverit, postin ekskluziv të tij duhej ta zinte vetëm ai. Dhe askush tjetër. Gjithë të tjerët, po ta pretendonin, duhej të zhdukeshin fizikisht. Ramiz Alia po e po, sepse pas vrasjeve masive të viteve shtatëdhjetë brenda për brenda udhëheqjes dhe jetëndërprerjes për arsye sëmundjeje të rëndë të Hysni Kapos, ky mbeti rivali i vetëm.
Nexhmije Hoxha nuk ka asnjë të drejtë të gënjejë me shpjegime pseudokonspirative, por nuk ka gabuar kur tërhoqi konkluzionin se pasi Mehmet Shehu të hidhte në dorë gjithë pushtetin, do ta zhdukte fizikisht edhe atë, tmerre gjithfarëllojëshe mund të binin mbi familjen e saj.
Çifti Hoxha dhe pasardhësi i dëshiruar prej tyre, personi që nuk anonte shumë nga dhuna, Ramiz Alia, e vranë Shehun para se ky t’i bënte copa. Partia Komuniste e Shqipërisë, me rol të qartë pozitiv gjatë luftës çlirimtare kundër pushtuesve fashistë, në disa drejtime edhe në rindërtimin e vendit, në thelbin e kauzës së vet shoqërore, qe e profilit terrorist. “Blloku” ishte ai territor i bunkerizuar në qendër të Tiranës, ku kishte edhe njerëz të mirë, ku ndonjëherë buiste edhe liberalizëm perëndimor, hapësirë e fshehtë ku jo rrallë nuk mungonte as seksi jashtëmartesor, por gjurma më e fortë që ai la në histori ishte pamja e krimit, intensiteti i lartë i veprimit të tij dhe mizoria makabre. “Blloku” më parë se në historinë e shqiptarëve të romantizohet duhet të tregohet me pamjen e vërtetë të kriminalitetit politik që pati. Ai qe më së pari streha e Makbethëve.

02.MPJ 04.RamizAlia1986 01.MehmetShehuOKBShtator1960 03.NexhmijeHoxha
<
>

M-008, NJË SHKRESË E
DYSHIMTË NË BUENOS AIRES
Në vitin 2009 ambasadori shqiptar në Argjentinë gjatë gjysmës së dytë të viteve tetëdhjetë, Piro Andoni, kishte botuar librin “Atje larg…në fund të botës”. Qe një treqind e pesëdhjetë faqesh, ku dhjetë të tilla i kushtoheshin një episodi agjenturor për Mehmet Shehun. Duke pasur në duar një projekt analize për të qartësuar manipulimin e Enver Hoxhës tek “Tabloja sinoptike”, gjatë motit 2010 u takova dy herë me ambasadorin. Në pranverë 2012 më në fund botova librin “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Gjatë punës për të, me temë vizitën e Mehmet Shehut në Nju Jork, në OKB, në shtator 1960, isha këshilluar shumë me dokumentacion të ruajtur në arkivin e ministrisë sonë të Jashtme. Pata shkëmbyer po ashtu informacion me Agim Popën, përkthyesin e kryeministrit në këtë prani shumëditore në SHBA.

Sipas meje, gjithçka kishte ndodhur gjatë lundrimit nëpër oqeanin Atlantik, në ditët e punimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po ashtu edhe në rikthim për në Tiranë, ato akuza që kish bërë Enver Hoxha tek “Tabloja sinoptike” qenë sajime. Në librin tim ndiqet edhe filli i dokumentit agjenturor, sipas ambasadorit Piro Andoni, të gjetur në bibliotekën e ambasadës amerikane në Buenos Aires. Kjo shkresë ekziston dhe parë jo vetëm nga një historishkrues. Aty thuhet: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Buenos Aires – Argjentinë
Përkthim i teletekstit nr. 321-40-60, nëntor 1975.
Objekti: Për t’u vendosur në bibliotekën e ambasadës. Shumë sekret. Vetëm për njohje të zotit ambasador.
Çështja: Shqipëria.
Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit.
Propozon të veprojë kështu:

Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, të njëjtë si ajo e Gandit. Miku ynë e konsideron plotësisht të mundshme, se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:
1. Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet e Perëndimit më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.
2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.
3. Të bëjë paqe me fqinjët e tij (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit, që hap kufijtë e vendit.
4. Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.
5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3/5 vjetësh duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë. Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do t’i jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t’i jepen 3.000.000 dollarë amerikanë.
Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjithë llojet e krimeve, që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen:
Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. I tillë është edhe plani i tij. Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me Perëndimin dhe me fqinjët e tij. I kemi sugjeruar, që deri sa të kryhen veprimet të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij. Në rast të kundërt mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh, në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota.

Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do t’i jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë njoftoheni nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi”.
Teksti i kësaj shkrese nuk i dha asnjë garanci autorit të këtij shkrimi se qe autentik dhe jo i shpikur, me porosi nga lart, prej legjendëthurrësish specialë në Komitetin Qendror por sidomos në Sigurimin e Shtetit Shqiptar që vepronte jashtë vendit. Konceptimi dhe gjuha qenë të një mendjeje që jetonte në Tiranë dhe jo në Uashington, Londër, Beograd apo Moskë. Me pak fjalë ishte një lojë.
ENIGMA GERARDO
FARRAN
Sipas Piro Andonit dhe librit të tij, në Buones Aires jetonte personi me emrin Gerardo Farran, i cili në vitin 1985, tamam kur ambasadori qe duke mbyllur vitin e parë të shërbimit diplomatik, u zgjodh kryetar i Shoqatës së Miqësisë Argjentinë-Shqipëri. Në mes të vjeshtës 1986, në tetor siç lihej të kuptohej, në prag të mbrëmjes së një dite, ai i telefonoi Andonit dhe i kërkoi takim të menjëhershëm. Ambasadori, siç thotë vetëm ai, e priti Farranin dhe mësoi se një punonjës i ambasadës së SHBA në Buones Aires me emrin Mendes e kish vënë në dijeni këtë se “Çështja është për një dokument rreth njërit prej udhëheqësve kryesorë të vendit tuaj. I përket të kaluarës, por përmbajtja e tij ka rëndësi aktuale, sidomos për ty dhe miqtë e tu”. Piro Andoni pasi atë natë e njoftoi në mënyrë sekrete ministrin e Jashtëm Reiz Malile në Tiranë, diplomat i sprovuar, i cili qe edhe kunati i Ramiz Alisë, mori urdhrin që po të ishte e mundur ky dokument të merrej, madje me të gjitha shenjat identifikuese shkresore të CIA-s. Të nesërmen këtë detyrë Piro Andoni ia ngarkoi Gerardo Farranit.
Kur ndërsa po mbyllej muaji tetor 1986 ky dokument në spanjisht u sigurua prej këtij të fundit pa prani të ndonjë dëshmitari të dytë. Fytyrën e Mendesit nuk e pa kurrë ndonjë punonjës i ambasadës shqiptare, përfshi edhe shefin e saj. Pasi e përktheu nëpër natë, Piro Andoni u nis urgjentisht me të drejt Shqipërisë. Rrugëtimi, siç tregon vetëm ai, zgjati dy ditë. Në aeroportin “Sharl De Gol” të Parisit e priste një makinë e ambasadës dhe dy nga zbuluesit e saj. Kur mbërritën në përfaqësi, valixhen e mbyllën në dhomën sekrete. E nxorën prej andej vetëm të nesërmen kur po e njëjta makinë dhe të njëjtët njerëz e shoqëruan deri sa kaloi pikën doganore dhe ngjiti shkallët e aeroplanit për në Romë. Këtu qe transit dhe Piro Andoni nuk lëvizi nga salla e pritjes. Kur avioni i “Alitalia” u ul në Rinas, e priste një nga makinat e ministrisë si edhe dy kolegë të zbulimit. Sapo kaloi portën e madhe të hekurt të hyrjes së MPJ-së i thanë se po e priste në zyrën e tij vetë Reiz Malile.
Datuar 1 nëntor 1986 letra e ministrit të Jashtëm shqiptar për Ramiz Alinë me bashkëngjitur dokumentin e ardhur nga Argjentina, e cila duhet të jetë hartuar këtë çast, pra sapo Andoni pas dy ditësh udhëtimi pati mbërritur në Tiranë, përmban këtë tekst: “Bashkëlidhur ju dërgojmë kopjen e një dokumenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në spanjisht dhe në shqip, për të cilin ambasada jonë në Argjentinë ka njoftuar edhe me radiogram. Ambasada na njofton se ky dokument i është dhënë asaj nga kryetari i Shoqatës së Miqësisë Argjentinë-Shqipëri, Gerardo Farran. Sipas tij, ky dokument ishte gjetur nga një miku i Gerardos në skedarin e bibliotekës së ambasadës amerikane në Buenos Aires, i cili punon në këtë ambasadë”. Në fund të letrës me shkrim dore rreshtoheshin fjalët e këtij shënimi “A.A. Me porosi të shokut Ramiz Alia ky material të vendoset me materialin që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë për armikun Mehmet Shehu”. Pas spërdredhjes së zakonshme të një firme tjetër, këtë herë e personit që e ka bërë shënimin, ndodhet edhe data për dhënien e porosisë së Alisë: 15 nëntor 1986. Pra dy javë shkresa enigmatike ka qenë në duart e Alisë.
Ky dyjavësh nuk ishte i zakonshëm për Shqipërinë e atyre çasteve: zhvilloheshin punimet e Kongresit të Nëntë të Partisë së Punës, ku pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985, organizohej zgjedhja për herë të parë e Ramiz Alisë si pasardhës i tij. Kjo ngjarje i zhvilloi punimet midis 3 dhe 7 nëntorit 1986. Në 8 nëntor u mbajt mbledhja e parë e Komitetit Qendror të porsazgjedhur. I spikatim lexuesit me këtë rast hollësinë e mëposhtme: Në librin kapakkuq të botuar e të shpërndarë në Kongres, paragrafi i katërt, mezi i faqes së dytë, Ramiz Alia thotë: “Një fitore e madhe për Partinë e popullin tonë ishte zbulimi dhe shpartallimi i komplotit të poliagjentit Mehmet Shehu dhe i bandës së tij kriminale. Rreziku që ata përfaqësonin për lirinë e pavarësinë e atdheut dhe për të ardhmen e socializmit në Shqipëri mund të merret vetëm me mend, por nuk mund të llogaritet. Partia e ka analizuar thellë këtë veprimtari armiqësore dhe faktet janë të njohura. Ne mund të themi se tanimë janë likuiduar me sukses pasojat e kësaj veprimtarie në Parti, në ekonomi, në organet shtetërore, në ushtri e në Ministrinë e Punëve të Brendshme”.
Thua qe një mrekulli e fatit dhe e rastit që i gjithë operacioni i marrjes dijeni mbi praninë e topdokumentit për marrëveshjen agjenturore të Mehmet Shehut me amerikanët, dhënia e udhëzimeve për ta siguruar atë me çdo kusht, mobilizimi i Gerardo Farran, gjithë udhëtimi i posaçëm i ambasadorit shqiptar dhe më pas dërgimi menjëherë i paketës së mbërritur në zyrën e Ramiz Alisë, të përfundojnë me saktësi matematikore në ditët e zgjedhjes së tij nga kongresi? Atëherë në librin tim pata shkruar: “Precizioni është tepër i madh për të besuar se kemi të bëjmë me një rrjedhje të natyrshme të një ngjarjeje të premtuar si spontane”.
Ndërkohë pak kohë pasi kishte paraqitur në publik librin e tij memorial dhe në të njëjtën kohë testament politik, “Jeta ime”, në datën 5 qershor 2010, në televizionin “Ora NeCs”, para shikuesve dhe gazetarit Alfred Peza, Alia pohoi se “Më vonë në 1987 (gabon me një vit më tepër-shënimi ynë) ambasadori ynë në Argjentinë merr nga një njeri prapë, një amerikan, një letër, në të cilën thotë se dokumentet që u janë dhënë ju në Vjenë janë të sakta. Ky ambasador, në atë kohë, dërgoi një letër për Komitetin Qendror të Partisë. Unë e kam marrë atë letër, në mbledhjen e parë, në fund të mbledhjes, ua kam lexuar anëtarëve. U thashë që “Po ua lexoj këtë letër”. Thashë “Unë nuk dua asnjë koment, asnjë diskutim, thjesht ua lexova për dijeni dhe kjo letër të futet në arkiv”. Duhet të jetë në Arkivin e Shtetit. Pse unë nuk kërkova diskutim? Sepse janë diskutime në erë”.
Kur Alfred Peza e pyeti “Ju mos e lexuat me qëllimin që t’i mbushnit mendjen shokëve tuaj të Byrosë se Mehmet Shehu ka qenë agjent dhe unë meritoja të isha pasardhësi i Enver Hoxhës?”, përgjigja e Ramiz Alisë qe: “Jo, jo, s’kam të atilla punëra. Unë e lexova se erdhi, se po ta kisha futur në sirtar,…po të mos e kisha lexuar unë sot do të ngriheshin të gjithë dhe do të thoshin “Pse e ke fshehur?”
Pikërisht në këtë teleintervistë Alia sqaron për dokumentet e spiunazhit të Mehmet Shehut të gjetura në Vjenë në vitin 1964 dhe më pas ato në Argjentinë: “…, por a janë të vërteta, askush s’e thotë dot. Nuk ka asnjë dokument që të thotë se këto janë të vërteta. Çfarë do të thotë të thuash që janë të vërteta? Ato janë, X-i bëri këtë, takojeni filanin, merrni të dhëna nga filani. Unë mund të them sa të duash. Derisa nuk ka ndonjë dokument që ky ka qenë, ma vërtetoi, tani s’them dot. Nëse më bën mua pyetjen a ka qenë? Unë të them s’di gjë, s’mund të them që ka qenë apo s’ka qenë. S’kam asnjë dokument”.
MANIPULIME DATASH SHKRESORE NË
MINISTRINË E JASHTME
Po të qe se përgatitja për librin “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” do të ishte vonuar nga unë edhe një muaj, çfarë pata shkruar në dyshim të plotë për “Tablonë sinoptike” si një e pavërtetë për Mehmet Shehun, do të qe më e plotë. Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në një kërkim rutinë, gjeta një provë tjetër të lojës që mendoj se është bërë kinse.
Në 4 nëntor 1986, kur Kongresi i Nëntë i PPSH-së qe në hovin e punimeve të tij të vazhdimësisë së enverizmit, nga Drejtoria Ekonomike e MPJ-së, ndoshta nga drejtori i saj (ky ka vënë vetëm firmën poshtë emrit të ministrit Melile), me numrin 3830 ndodhet një shkresë dërguar Ministrisë së Tregtisë së Jashtme. Ajo përmban shënimin: “Dërgohen materiale të ardhura nga ambasada jonë në Argjentinë”. Bashkëngjitur në këtë paketë janë këto materiale të shkruara: 1.Kërkesa e tregtarit Gerardo Farran për ferrokrom ardhur me shkresën nr. 68 datë 20 tetor 1986. 2. Projekt-kontrata që tregtari Gerardo Farran, po këtë datë, 20 tetor, ardhur me shkresën nr.69, i dërgon Mineralimpeksit. 3. Informacioni “Mbi kërkesat e bëra nga tregtari T. Papadopullos për kromin si edhe fotokopja e dokumenteve të dorëzuara nga ai në anglisht dhe në spanjisht, ardhur me shkresën nr. 76 datë 23 tetor 1986. 4. Letër e tregtarit Gerardo Faran lidhur me ankesën e tij për humbjen e 12.000 dollarëve për rolin e ndërmjetësit, gjatë kohës që ka qenë atashe tregtar shoku Andon Ziu, ardhur me shkresën nr. 73 datë 20.10.1986”. Lutemi që problemet e ngritura në materialet e sipërpërmendura të shqyrtohen nga ana juaj dhe të kthehet përgjigje, duke na vënë edhe ne në dijeni”.
Kjo shkresë që u nis më 4 nëntor, shënon se është hartuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në 1 nëntor, pra kur ambasadori Piro Andoni i dorëzoi ministrit Reis Malile dokumentin agjenturor për Mehmet Shehun dhe ku brenda asaj dite ky shkoi vetë në Komitetin Qendror dhe ia dorëzoi atë Ramiz Alisë.
Sipas kësaj pakete dokumentare që gjeta në arkivin e MPJ-së një muaj pasi publikova librin “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”, fillimisht thuhej se Piro Andoni në udhëtimin e tij urgjent për në Tiranë qe nisur nga Buenos Aires në 18 tetor (18.10.86), por pastaj me një bojë me ngjyrë të ndryshme nga ajo e përdorur për numrin e protokollit, është bërë ndryshimi me shifrën 20. Kështu udhëtimi i ambasadorit Andoni nga Buones Aires në Tiranë ka zgjatur 11 ditë?! Data e korrigjuar (manipuluar) formalisht përkon me datat ku Gerardo Farran ka bërë kërkesat e tij në Buones Aires për të pasur ekskluzivitet në tregtimin e ferrokromit shqiptar dhe që po ashtu kërkon 12 mijë dollarët që paska shpenzuar?!
Në këtë paketë të rrëmujshme dokumentesh, plot korrigjime të dyshimta, gjendet edhe një letër e ambasadorit Andoni, edhe kjo me datën 20 të korrigjuar thotë: “Ambasada e RPSSH ARGJENTINE, nr. 73 Prot., Buenos Aires 20. X.1986. Ministrisë së Punëve të Jashtme Tiranë. Po ju dërgojmë një letër të tregtarit Gerardo Farran, lidhur me ankesën e tij për humbjen e 12.000 dollarëve për rolin e ndërmjetësit, gjatë kohës që ka qenë atashe tregtar shoku Andon Ziu. Letra i drejtohet Ministrisë së Tregtisë, shokut Ministër që t’i jepet një përgjigje sa më e plotë. Gerardo Farran e ka shtruar disa herë këtë problem në bisedë me sh. Piro Andoni, por nuk i është dhënë një përgjigje e plotë, sepse ngjarjet kanë ndodhur më përpara se ai të emërohej me detyrën e ambasadorit. Tregtari G. Farran është mik i Shqipërisë dhe siç e tregon në letër nuk e ka shtruar këtë problem në rrugë tjetër për të ruajtur miqësinë e për të mos cënuar autoritetin e diplomatëve tanë. Aktualisht ai ka ndërhyrë në rolin e komisionerit për të bërë tregti të ferrokromit me ndërmarrjet e Argjentinës. Ambasadori Piro Andoni”.
Në këtë letër katër faqesh për Ministrin e Tregtisë së Jashtme, Gerardo Farran shpjegon po ashtu edhe veten, kontaktet me ambasadën që nga viti 1973, kur u lidhën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, pa lënë mënjanë të theksojë faktin që është kryetar i shoqatës së Miqësisë Argjentinë-Shqipëri. Këtu ndodhet edhe adresa e tij: “NIPCO S.A.Bolivar 218. Piso 5-Of,26 Buenes Aires-Rep. Argentina, tel 34-1849\33-2750”.
Për të gjithë këtë çështje, të cilën ambasadori Piro Andoni e mbarti në Tiranë bashkë me dokumentin e supozuar agjenturor dhe ngulmoi plotësimin e saj, në librin e vet “Atje larg…në fund të botës”, nuk ka asnjë fjalë. Mban heshtje. Përse? Le ta nënkuptojmë. Ekskluziviteti për tregtimin në Argjentinë të ferrokromit shqiptar duke falsifikuar datën e radhës së paraqitjes e mënjanuar kështu një konkurrent tjetër (Papadopullos), po ashtu edhe kërkesa për t’iu kthyer 12.000 dollarët që thotë se i ka humbur për Shqipërinë, mos janë një lloj shpërblimi për historinë e dokumentit agjenturor, rrethanat e të cilit i di vetëm Farran dhe asnjëherë nga drejtoria e Zbulimit Politik të vendosur në katin e katërt të ndërtesës së Ministrisë së Jashtme, nuk u ndërmor, siç qe rregulli, ndonjë përpjekje për të verifikuar vërtetësinë.
Gerardo Farran, i cili patjetër ka ekzistuar, në fillim të viteve nëntëdhjetë mbase ka ndërruar jetë, sepse kemi biseduar me dy ambasadorë shqiptarë në Argjentinë, të pas vitit 1997, të cilët kanë punuar atje me mandate të gjata, por për të nuk kishin dëgjuar asnjë fjalë. (Tiranë, më 26 janar 2020)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.