Sociale

Studimi: Rritja e çmimit mund të reduktojë konsumin e duhanit

11:10 - 05.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përpjekjet për të rritur çmimin e duhanit me qëllim reduktimin e konsumit dhe rritjen e buxhetit nga taksat duket se prekin kryesisht vetëm shtresën e mesme dhe të ulët, ndërsa lënë indiferente shtresën e pasur të shoqërisë. Të hënën qendra ‘Development Solutions Associates’ bëri publike të dhënat e një studim në lidhje me efektet e rritjes së taksimit të duhanit në Shqipëri dhe efektet së kësaj rritje në konsum dhe në buxhet. Sipas gjetjeve të këtij studimi, një rritje e çmimit në Shqipëri do të ndikonte pozitivisht në uljen e konsumit të cigareve – sidomos tek konsumatorët me të ardhura ekonomike më të ulëta dhe do të sillte rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Dr. Edvin Zhllima, deklaroi se studimi është bazuar në vrojtimet mbi buxhetin e familjeve (HBS) gjatë vitit 2014-2017. Ky studim ka marrë si kampion 6000-7000 familje në Shqipëri, tek të cilat ka të paktën një duhanpirës në familje. Monitorimi është kryer duke marrë si bazë numrin e paketave të konsumuara për familje. “Prej monitorimeve tona, një pjesë e këtyre familjeve janë shprehur se do ta ulin konsumin në rast se rritet çmimi, ndërsa një pjesë tjetër janë shprehur se do ta ndërpresin atë, por kjo mbetet për t’u parë në praktikë”,-shpjegoi Zhllima, një prej autorëve të studimit.




Taksimi
Shqipëria ka taksimin më të ulët për duhanin në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me normën më të lartë të konsumit të duhanit në rajon. Nga gjetjet e studimit rezulton se 30% e familjeve në Shqipëri ka të paktën një duhanpirës. Ne Shqipëri barra tatimore nga taksimi i duhanit përllogaritet të kenë qenë 35.8 % për vitin 2018, ndjekur nga një rritje modeste në vitin 2019. Ndërkohë të ardhurat nga konsumi i duhanit përbëjnë 5.15% të të ardhurave totale nga taksat, apo në rreth 1.32 për qind të PBB-së së vendit. “Kemi marrë një shifër si shembull për rritjen e akcizës, le të themi një rritje të çmimit me 25%, dhe kemi vërejtur reagimet e mundshme të konsumatorëve për të kuptuar efektin në konsum, përveç efektit në buxhet”, shpjegoi Zhllima. Monitorimet mbi efektet e rritjes së çmimit të duhanit janë kryer në dy aspekte: duke u fokusuar në elasticitetin e kërkesës në lidhje me çmimin, si edhe elasticitetin e kërkesës në lidhje me të ardhurat totale, ku në të dyja rastet studimi thekson se familjet me të ardhura të larta janë shprehur indiferente ndaj ndryshimit të çmimit, ndërsa preken kryesisht ato me të ardhura më të ulëta.

Studimi
Rezultatet e studimit kanë gjetur se mesatarisht konsumohet 1 paketë në ditë për familje, që do të thotë se pothuajse 7.6 % e të ardhurave të tyre shpenzohen për cigare. Pra, ndër familjet me të ardhura të ulëta kjo përqindje është e konsiderueshme, dhe rritja e çmimit qoftë edhe për 1 paketë në ditë ndikon shumë në ekonominë e tyre, duke çuar në më pak investim për grup mallra me dobi jetësore, siç janë ushqimi, veshmbathje, banesa, etj. “Janë më të varfrit ata që cenohen më shumë nga problemet që lidhen me duhanin, përfshi ato shëndetësore, por edhe ekonomike”,-tha Zhllima. Pavarësisht dëshirës për të kursyer, duke qenë se lënia e duhanit tek duhanpirësit e rregullt është një proces tepër i vështirë dhe kërkon një vullnet të fortë, Zhllima paralajmëroi se duhet një studim akoma më i thellë për të vlerësuar nëse kjo rritje e çmimit të duhanit do ishte me të vërtetë efektive në lënien e duhanit, apo moslënia do të përkeqësonte më tej situatën ekonomike të familjeve me të ardhura të ulëta. “Nuk kemi akoma të dhëna vrojtimi në lidhje me sjelljen, prandaj së shpejti do kryejmë edhe një studim posaçërisht për këtë, në mënyrë që të shohim sesi do variojnë sjellja e konsumatorëve të duhanit sidomos në shtresën që preket më shumë nga ndryshimi i çmimit”,-përfundoi Zhllima. Marrë nga BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.