Kryesore

Shpallen 296 kuotat e lira për specializantët e Mjekësisë

11:25 - 07.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret, tashmë mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e një prej programeve të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë për vitin akademik 2019-2020. Sipas vendimit të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, firmosur nga kryetari Arben Gjata, janë në dispozicion plot 296 kuota për aplikantët. “Gazeta Shqiptare” publikon sot numrin e kuotave të lira në 35 programet e studimit në degë si anestezi-reaminacion, gastrohepatologji, kirurgji e përgjithshme, kardiologji, mjek familjeje, nefrologji, neurologji, okulistikë, pediatri, psikiatri, reumatologji, kirurgji plastike etj. Ndërkohë janë të lira 5 vende për ata që dëshirojnë të transferojnë studimet në Universitetin e Mjekësisë për programet e specializimeve afatgjata. “Kandidatët aplikojnë për një program specializues afatgjatë në fushën e mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në vitin akademik 2019-2020, në zbatim të Vendimit nr. 8, datë 3.2.2020 “Për miratimin e shpërndarjes së kuotave të pranimit dhe tarifave të shkollimit në programet e ciklit të tretë të studimeve, specializime afatgjata në fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2019-2020 të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, nga data 10.02.2020 deri më datë 22.02.2020. Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe konkurrimit bëhen konform rregullores së specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë”,-theksohet në udhëzimin e rektoratit të Universitetit të Mjekësisë. Do të jetë Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë Dentare, në UM, që do të organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë. Ky proces do të monitorohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.




Kriteret
Të gjithë ata kandidatë që kanë përfunduar me sukses studimet e janë pajisur me diplomën përkatëse në një program Master Shkencor, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë të aplikojnë për specializim. Ndërkohë në rastet kur kandidati plotëson kriteret e sipërpërmendura, por ka përfunduar shkollën jashtë vendit, duhet të ketë bërë edhe njehsimin e diplomës pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë.

Dokumentacioni
Kandidati duhet të paraqitet personalisht për të bërë aplikimin dhe të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar si: formular aplikimi, letër motivimi, fotokopje të mjetit të identifikimit, si dhe një kopje të njehsuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë të diplomës universitare të programit të studimit të ciklit të dytë, ku i bashkëngjitet edhe lista e notave. Gjithashtu aplikanti duhet të paraqesë edhe një kopje të njësuar të dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj anglisht, italisht frëngjisht apo spanjisht në nivelin C1. Bashkangjitur me dokumentacionin duhet dorëzuar edhe: një fotokopje e noterizuar e licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe e dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin profesional përkatës; një dëshmi penaliteti e vlefshme; dy foto personale; si dhe një mandat pagese për tarifën e konkurrimit prej 5,000 (pesëmijë) lekësh. “Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi është 115000 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë, tarifa e konkurrimit, aplikimit dhe tarifa e shkollimit është e njëjtë me tarifat e vitit të mëparshëm akademik). Studentët e shpallur fitues paguajnë/arkëtojnë menjëherë 30% të tarifës vjetore të shkollimit ndërsa këstet e tjera arkëtohen sipas afateve dhe masës në përqindje të përcaktuara nga fakultetet përkatëse”,-citohet në vendimin e senatit. Ndërkaq, dekanatet brenda datës 28 shkurt 2020 do të shpallin në faqen zyrtare web të fakulteteve dhe/ose UMT-së lisën emërore të kandidatëve të regjistruar për konkurrim, të cilët plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit. Kandidatët kanë mundësinë të verifikojnë listën emërore dhe në rast pasaktësish mund të bëjnë një kërkesë për saktësim pranë dekanantit të Fakultetit të Mjekësisë dhe Mjekësisë Dentare brenda 2 marsit të këtij viti. Lista përfundimtare e kandidatëve dhe kalendari i zhvillimit të intervistave me gojë e testit të informatizuar do të shpallen brenda datës 3 mars 2020.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.