Intervista

Anjeza Kuçi: Veshi i brendshëm dhe problemet e ekuilibrit

11:42 - 10.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Zhurma në vesh, humbja e ekuilibrit, ulja e dëgjimit si dhe të vjellat mund të jenë një shenjë paralajmëruese që mund të vuani nga sëmundja e veshit të brendshëm. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja otorinolaringologe (ORL), Anjeza Kuçi tregon se shpeshherë pacientët mund të ngatërrohen e të mendojnë se vuajnë nga veshi i mesëm, kur realisht patologjia nga e cila janë prekur është ajo e veshit të brendshëm. Më tej, ajo shton se sëmundja e veshit të brendshëm prek të dyja organet; si atë të dëgjimit dhe shoqërohet me ulje të dëgjimit edhe ai i ekuilibrit, por ndonjëherë kjo sëmundje mund të jetë selektive, pra prek ose vetëm dëgjimin ose vetëm ekuilibrin. Gjithashtu Kuçi sqaron të gjitha mënyrat e diagnostikimit, trajtimit dhe jep këshilla të vlefshme për të mbajtur këtë patologji nën kontroll.




Shpeshherë pacientët ankohen se kanë problematika me veshin e mesit. A është realisht kjo pjesë e veshit që preket?
Në punën tonë të përditshme me pacientët tanë shumë shpesh dëgjojmë pyetjen: Doktoresha a kam unë veshin e mesit? Ky është një term i gabuar, i cili ndonjëherë artikulohet jo vetëm nga pacientët, por edhe nga mjekët. Patologjitë e pacientëve tanë që shoqërohen me marrje mendsh, zhurmë në vesh, ulje të dëgjimit, humbje të ekuilibrit, të vjella, nazuze etj., janë probleme të veshit të brendshëm dhe jo të veshit të mesëm. Veshi i brendshëm është kompartimenti i tretë, në të cilin e ndajmë veshin për lehtësi studimi. Në të janë të përqendruar dy organe: ai i dëgjimit, që është kërmilli dhe ai i ekuilibrit ose kanalet gjysëmrrethore dhe vestibulumi. Veshi për lehtësi studimi ndahet në 3 pjesë: veshi i jashtëm, që është i përbërë nga aurikula apo llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit; veshi i mesëm i përbëre nga daullja e veshit ose membrana timpanike dhe kaviteti timpanik dhe veshi i brendshëm.
Çfarë është sëmundja e veshit të brendshëm dhe cilat organe prek?
Sëmundja e veshit të brendshëm prek të dyja organet, si atë të dëgjimit dhe shoqërohet me ulje të dëgjimit edhe ai i ekuilibrit dhe shoqërohet me marrje mendsh, të vjella, nauze, rënie tensioni etj. Ndonjëherë kjo sëmundje mund të jetë selektive pra prek ose vetëm dëgjimin ose vetëm ekuilibrin. Patologji të tjera që mund të shoqërohen me marrje mendsh, janë: ato kardiake me krizën hypertensive; diabetikët me nivelin e sheqerit të pastabilizuar, problemet cervikale dhe spondiloartrozat e shtyllës kurrizore, astma bronkiale dhe problemet alergjike, arterioskleroza dhe dislipidemitë e ndryshme që japin ngushtime të enëve të gjakut, anemitë, sëmundjet degjenerative të sistemit nervor qendror si myeloma multiple, parkinsoni dhe tumoret e trurit, migrena, patologjitë e gjëndrës tiroide, mungesa e vitamins D. Prandaj duhet bërë një diagnozë e mirë diferenciale me sëmundje sistemike që imitojnë krizën e veshit. Ndërkohë, përveç sëmundjes së veshit të brendshëm, që është me tipikja, ka edhe sëmundje të tjera të veshit që japin marrje mendsh, si otitet kronike të riakutizuara me rrjedhje veshi, me sekrecione purulente me erë të keqe. Sëmundje të tjera orl që mund të japin marrje mendsh janë edhe sinusitet akute etj.
Cilët janë faktorët e riskut të kësaj sëmundjeje?
Problemet e veshit të brendshëm, të palidhura me patologji të tjera mund të jenë të lindura dhe të trashëguara. Pra, faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm. Në pacientët e tjerë, mosha më me risk është 40-60 vjeç, kryesisht gratë në periudhën e menopauzës apo edhe pacientët e tjerë me sëmundje të tjera sistemike si hipertension, diabet, dislipidemi, nefropati, etj. Faktorë të tjerë risku janë edhe puna me zhurma dhe frekuentimi i ambienteve me ndotje akustike, përdorimi jo adekuat i antibiotikëve kryesisht i grupit të makrolideve, në veçanti gentamicina si një ototoksik i fuqishëm, por edhe klarithromycina, eritrimicina për një kohë të gjatë, përdorimi i alkoolit dhe duhanit, i pijeve energjike dhe stimulantëve të sistemit nervor qendror si kafeina, dieta e pasur me kripëra. Në shumë sraste pacienti referon një aksident apo goditje në kokë ndoshta edhe para shumë kohësh, që është një nga arsyet më të fuqishme që mund të japë marramendje.
Cilat janë simptomat e sindromës vertiginoz?
Sindroma vertiginoz ka shenja tipike, që për pacientët që bëhen kronike, është e kuptueshme që në momentin e parë kur shfaqet. Mund të fillojë me ndjesinë e veshit të mbushur ose zhurmë, rreth 2 ditë përpara krizës. Marrja e mendve është e tipit rrotullues dhe pacienti ka ndjesinë sikur i rrotullohen objektet ose vjen ai rrotull objekteve. Shenjë tjetër klinike janë edhe simptomat vegjetative si të vjellat, nauzeja, lipotimia, dhimbja e kokës etj. Në këto momente pacienti duhet të masë tensionin arterial nëse kemi një krizë hipertensive, e cila mund të imitojë krizën e veshit. Përgjithësisht, kriza e marrjes së mendve nga veshi vjen pa luhatje tensioni, por mund të jenë edhe që të dyja. Ndonjëherë, pacienti ka edhe ndjesinë e marrjes së mendve kur rrotullohet në krevat, kur ul kokën poshtë apo kur ngre kokën lart për të bërë një veprim mbi nivelin e shpatullave, që zgjat me sekonda. Kjo ka të bëjë me lëvizjen e kristaleve të kalciumit në brendësi të veshit të brendshëm, nëpër kanalet semicirkulare, prandaj lëvizja e kokës në hapësirë e vë në pah këtë dukuri. Kriza e veshit të brendshëm mund të vijë edhe pas një gjendjeje virale, pra pas një gripi dhe prek në mënyrë selektive vetëm organin e ekuilibrit, pra pacienti nuk ka zhurmë në vesh apo rënie dëgjimi por vetëm marrje mendsh të fuqishme, të vjella, humbje ekuilibri.
Cilat janë diagnostikimet që duhet të kryejë pacienti?
Me mjekim neuroniti vestibular, shërohet për një periudhë 3-javore deri në një muaj dhe nuk ka përsëritje. Ndryshe nga sëmundja e Menierit, e cila prek ekuilibrin dhe dëgjimin dhe kronicizohet. Pra, në të gjithë sëmundjet e veshit të brendshëm, ajo që na shqetëson më shumë është sëmundja Menier, sepse na kompromenton dëgjimin dhe dëmtimet mund të jenë të parikthyeshme. Për vendosjen e diagnozës mjeku ORL bën otoskopinë dhe këqyrjen e membranës timpanike dhe veshit të jashtëm, audiometrinë, timpanometrinë, vestibulometrinë dhe provat kalorike që është një ekzaminim bazë për sindromin vertiginoz dhe në fund nëse shenjat nuk janë tipike ekzaminimi i fundit është rezonanca magnetike e kokës me lëndë kontrasti gadolinium. Informacioni që mund të na japë videonistagmografia dhe provat vestibulare në këtë rast është edhe më i vlefshëm se rezonanca magnetike, që shërben më tepër për një diagnozë diferenciale sesa për të vendosur një diagnozë.
Si trajtohet kjo sindormë dhe cilat janë pasojat e mosmjekimit?
Mjekimi i sindromit vertiginoz varet nga lloji i tij dhe ndahet në mjekim të urgjencës dhe në mjekim mbajtës. Në mjekimin e urgjencës aplikojmë solucionin e manitolit me doza zbritëse deri në një javë në varësi të gravitetit të krizes, injeksione kundër të vjellave dhe qetësues të sistemit nervor qëndror. Gjatë fazës së krizës mund të jepet edhe kortizonoterapi me doza zbritësi. Në mjekimin mbajtës që mund të shkojë 6 deri në 9 muaj jepen diuretike, vazodilatatorë, vitaminoterapi, preparate nootropike, gingo biloba etj. Në rastin e krizave të forta të marramendjes, që shoqërohen edhe me rënie apo jo të dëgjimit mund të bëhen edhe injeksione retrotimpanike pra pas hapësirës timpanike me gentamicinë apo edhe me kortizon. Në pothuaj të gjitha rastet mjekimi merret në vazhdimësi aq sa e përshkruan mjeku sepse marramendja përveç ndjesisë rrotulluese, humbjes së ekuilibrit, zhurmës në vesh, uljes së dëgjimit shoqërohet edhe me ndjesinë e frikës së një krize tjetër dhe kjo është një fobi për pacientin, sidomos në brezninë e tretë ku kemi edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Por, ka edhe raste kur pacienti bëhet mirë dhe e ndërpret terapinë, pastaj ai paraqitet te mjeku pas një periudhe më të shkurtër sepse kriza është përsëritur, pra pasojë e një keqmjekimi është rikthimi i sëmundjes.
A ka rrezik që të përsëritet problematika?
Pasojë e një keqmjekimi apo edhe gravitetit të vetë patologjisë sindromi mund të kronicizohet. Në 10% të rasteve mund të preken të dy veshët. Incidenca në popullatë e vertigos dhe çrregullimeve të ekuilibrit është 5-10%. Në SHBA nga viti 1995 deri në 2004, 2.5% e vizitave tek mjeku ishin për shkaqe të çrregullimeve të ekuilibrit. Sigurisht që faktori gjenetik është shumë I pranishëm në ripërsëritjen e krizave.
Çfarë këshilloni për të mbajtur nën kontroll këtë patologji?
Rekomandohet që këshillat e mjekut të zbatohen deri në fund, sidomos në terapinë e parë në një sindrom vertigionoz të diagnostikuar me origjinë nga veshi i brendshëm. Në një sëmundje të Menier mjekimi mund të shkojë deri në 6-9 muaj, një neuronit vestibular deri në një muaj etj. Të bëhet vizita me mjekun ORL, që ka bërë një minispecializim për problemet vertiginoze dhe të bëhen provat vestibulare dhe videonistagmografia për një diagnozë përfundimtare, që ndan patologjitë perferike si problemet e marramendjes nga veshi me ato centale si tumoret e trurit, krizat e migrenës, sëmundjet degjenerative si meloma multiple, parkinsoni, epilepsitë etj., që mund të shoqërohen me marrje mendsh apo edhe me rënie të menjëhershme në tokë. Nëse diagnoza vendoset e saktë pacientët me sëmundje shoqëruese të mbajnë nën kontroll të gjitha patologjitë e tjera dhe sidomos një dietë të rregullt pa konsumim alkooli, duhani dhe një reduktim të kripës dhe kafesë si dhe substancave të tjera stimuluese të SNQ. Të mënjanohen gjatë krizës udhëtimet e gjata ku pacienti është vetë shofer në drejtimin e mjetit, apo edhe ngjitja në lartësi shumë të mëdha, deri sa mjeku ta këshillojë. Të mënjanohen frekuentimet e ambienteve me një zhurmë të madhe mbi nivelin e lejuar të tingullit dhe përdorimi jo adekuat i antibiotikëve sidomos të grupit të gentamicines, amikacinës, sidomos për periudha mbi 10-ditore pasi njihen si ototoksike apo dëmtues të nervit të dëgjimit, por mund të japin edhe probleme në ekuilibër. Të gjithë ne, përpiqemi që në jetën tonë t’i rrotullojmë gjërat rreth një të mesmeje të artë apo të arrijmë një balancë të caktuar, të njëjtën gjë kërkon edhe veshi ynë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.