OPINION

Udhërrëfyes për bashkëpunimin Shqipëri–Kosovë në arsim

07:40 - 10.02.20 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje (5 shkurt), në sallën e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në praninë e mjaft të ftuarve (akademikë, deputetë, specialistë arsimorë, pedagogë e studentë) u publikua “Udhërrëfyesi Bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë në sektorin e arsimit”. Dokumenti është produkt i projektit të zbatuar nga 2 organizata joqeveritare shqiptare dhe kosovare, të financuara nga fondacionet për Shoqëri të Hapur për Shqipërinë dhe për Kosovën. Një projekt i tillë përbën risi në kontekstin e nismave për bashkëpunimin në arsim të dy shteteve tona.




Udhërrëfyesi, i hartuar nga studiues të Shqipërisë dhe të Kosovës informon për 4 marrëveshje ndërshtetërore dhe 1 protokoll shkencor-teknologjik, për 34 marrëveshje ndërinstitucionale të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë publik, gjatë 10 viteve të fundit; informon për nivelin e zbatimit të secilës prej tyre; ofron objektiva konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit dhe i konkretizon ato përmes një plani veprimi, që besohet se i shërben cilësisë së arritjeve të nxënësve dhe të studentëve, në të dy shtetet tona.

Sikundër kemi informuar në shkrimet e mëparshme, propozimet e përfshirë në Udhërrëfyes (gjithsej, 38 propozime të organizuar në 4 fusha – kurrikula, zhvillimi profesional, mobiliteti i pedagogëve/studentëve dhe kërkimi shkencor) janë përftuar nga analiza e dokumentacionit ndërqeveritar ekzistues për bashkëpunimin në arsim; nga intervistat me specialistët e fushës; nga respektimi i dallimeve e afërsive të dy sistemeve arsimore, i traditave pedagogjike, i nevojave dhe mundësive të secilit sistem, si dhe nga njohja e tendencave dhe risive bashkëkohore, në Evropë dhe më gjerë. Gjithashtu, për dizenjimin e propozimeve, ka ndihmuar konsensusi i ekspertëve shqiptarë e kosovarë, i arrirë në takimet e organizuara në Prishtinë dhe Tiranë.

Kuadri konceptues i propozimeve tona integroi disa ide kyçe.

  1. a) Objektivat dhe veprimtaritë përkatëse duhet të prodhojnë rezultate ndërveprimi, disa syresh të unifikuara. Të tilla do mund të jenë tekstet shkollore të njësuara për fushat e identitetit kombëtar dhe krijimi i grupeve të përbashkëta të recesentëve kompetentë. Këto plotësohen me përgatitjen dhe zbatimin e procedurave të reja për të miratuar materiale mësimore ndihmëse për shkollat, të përgatitura në secilin shtet, si: librat për lexime, përmbledhje detyrash, fjalorë, platforma “online” në shqip, burime dhe mjete elektronike etj. Miratimi për sa më sipër duhet bërë nga të dy ministritë e Arsimit. Këtyre u shtohet vlerësime të përbashkët për cilësinë e zbatimit të kurrikulës së re në Shqipëri dhe në Kosovë, përmes një ekipi të përbashkët vlerësuesish i cili, bazuar në metodologji dhe instrumente bashkëkohore vlerësimi, të realizojë vlerësimin e parë për zbatimin e kurrikulës aktuale në klasat 1-5. Me vlerë shihet bashkëpunimi profesional ndërmjet Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Shqipëri dhe Njësisë për Vlerësim dhe Standarde të MASHT në Kosovë për hartimin e pyetjeve për testimet kombëtare në arsimin parauniversitar.
  2. b) Disa rezultate të tjera duhet të jenë komplementarë. Përkundër faktit që Shqipëria dhe Kosova kanë sisteme arsimore të ndryshme, të dyja shtetet mund të përfitojnë nga shkëmbimi i përvojave dhe i kapaciteteve respektive. Zhvillimi dhe përfarimi i standardeve për drejtuesit e shkollave, për çka Shqipëria po zhvillon një përvojë interesante me shkollën e drejtorëve, mund t’i shërbejë Kosovës si një kuadër i gatshëm. Për këtë, ekspertët e të dy anëve të kufirit janë të aftë të përgatitin module që ofrohen “online” për kualifikimin e drejtuesve, të cilët akreditohen nga autoritetet e të dy vendeve. Ndërkaq, mësuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga përvojat e mjaft shkollave në Kosovë, të cilat kanë arritje në fushën e përdorimit të mjeteve digjitale në procesin mësim-edukativ. Po kështu, mund të përfarohen sistemet për certifikimin fillestar të mësuesve (provimi shtetëror për marrjen e licencës), ku Shqipëria ka krijuar përvojë, ndërsa Kosova ndodhet në prag të krijimit të strukturës institucionale për zbatimin e ligjit për profesionet e rregulluara etj.

Mjaft institucione të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunimin e ndërsjellë, me theks të veçantë në shkëmbimin dhe mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve. Nxitja e këtij mobilitetit do të ndikojë në bartjen e shpejtë dhe të nevojshme të përvojave të mira të institucioneve të arsimit të lartë të dy vendeve për ngritjen e cilësisë së planeve dhe të programeve të studimit. Në këtë drejtim, krijimi i skemave të mbështetura financiarisht që mundësojnë mobilitetin, si dhe programet e përbashkëta të studimit në arsimin e lartë përbëjnë një mundësi të mirë për bashkëpunim (Objektivi 3).

Për rritjen e mobilitetit, propozohet që të dy vendet të synojnë mbështetjen e së paku 40 mobiliteteve të studentëve dhe 40 mobiliteteve të stafit akademik, në baza vjetore, në institucionet e arsimit të lartë. Nga ana tjetër, meqë aktualisht nuk zbatohet asnjë program i përbashkët i studimit, të dyja vendet duhet të synojnë mbështetjen e së paku të 1 programi studimit të përbashkët në vit, fillimisht, në nivelin master ose atë të doktoraturës.

  1. c) Për rezultatet e pritshme të ketë investime paraprake dhe kapacitete institucionale të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova tani kanë kurrikul zyrtare të unifikuar për arsimin parauniversitar. Zbatimi i një kurrikule të tillë paraqet sfidë më vete, pasi kërkon më shumë mbështetje profesionale për mësuesit dhe shkollat, vënie në dispozicion të teksteve dhe mjeteve mësimore që u përgjigjen kërkesave të kurrikulës së re, si dhe monitorimin e përparimit të nxënësve, për identifikimin dhe mënjanimin e të metave.

Nga ana tjetër, të dyja vendet tona kanë krijuar kapacitete dhe përvoja të mjaftueshme për dizenjimin dhe certifikimin e teksteve shkollore. Tashmë, kemi hartuar dhe miratuar për përdorim edhe një tekst shkollor të përbashkët (abetarja e njësuar). Më tej, në secilin shtet ka përvoja për trajnimin e mësuesve/ drejtuesve me programe afatshkurtra. Pikërisht, mbështetja profesionale, tekstet e mjetet mësimore dhe monitorimi profesional shihen si potenciali më i madh për bashkëpunim në fushën e arsimit parauniversitar (Objektivi 1). Sa i takon formimit fillestar dhe zhvillimit profesional të mësuesve, propozohet përfarimi i standardeve për formimin fillestar dhe zhvillimin profesional që të shërbejnë si bazë edhe për hartimin e programeve universitare për profilet e mësuesisë dhe të programeve të trajnimit në shërbim.

  1. d) Për rezultatet të ekzistojë vullneti politik, bazuar në interesat arsimore të shoqërive tona. Fakti që ndërmjet qeverive të dy shteteve, përgjatë 10 viteve të fundit, janë nënshkruar 4 marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin e arsimit, është treguesi domethënës i këtij vullneti. Këtë vullnet e konkretizon dhe nënshkrimi i “Protokollit të bashkëpunimit shkencor-teknologjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, në vitin 2019. Dokumenti nxit e mbështet bashkëpunimin e dyanshëm dhe rajonal në fushën e kërkimit shkencor dhe të inovacionit. Për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kërkimore-shkencore dhe komuniteteve shkencore të dy vendeve do të financohen 10 projekte të përbashkëta kërkimore, për një periudhë 2-vjeçare. Edhe marrëveshjet e bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks të veçantë ato për shkëmbimin dhe mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve, të nënshkruara mes universiteteve publike të dy vendeve tona, shprehin vullnetin për të shkuar përpara. Mundësi tjetër që propozohet në Udhërrëfyes është financimi i projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe zhvillimi i shfrytëzimi i infrastrukturës kërkimore shkencore ekzistuese në universitetet e dy shteteve (Objektivi 4).

Projektet mund të përfshijnë pjesëmarrjen apo organizimin e konferencave ndërkombëtare, hulumtime dhe publikime të përbashkëta të punimeve shkencore, zhvillimin e infrastrukturës kërkimore-shkencore e tjera. Për më shumë, natyra e punës kërkimor-shkencore është multidisiplinare dhe, si e tillë, krijon një mundësi të mirë për qasje të integruar në kërkimin shkencor, për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve njerëzore, të infrastrukturës dhe të hapësirave laboratorike nga institucione të ndryshme kërkimore të dy vendeve. Në këtë drejtim, rekomandohet që vendet të angazhohen për krijimin e regjistrit të përbashkët të hulumtueseve shqiptarë e kosovarë.

Bashkëpunimi mes institucioneve universitare të dy vendeve mund të ndihmohet edhe nga krijimi i skemave të mbështetura financiarisht prej dy qeverive të cilat mundësojnë mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve, si dhe programe të përbashkëta studimi në arsimin e lartë. Për këtë, rekomandohet marrëveshje ndërshtetërore për krijimin e një fondi të përbashkët për mbështetjen e mobilitetit në arsimin e lartë.

Ne që hartuam “Udhërrëfyesin”, besojmë fort te bashkëpunimi e ndërveprimi edhe në sektorin e arsimit. Sakaq, dimë që nuk ka “përgjigje të lehta”, apo “zgjidhje të gatshme”. Përmirësimi kolektiv i koncepteve, përgatitja e modeleve, testimi dhe rindërtimi i ideve përmes bashkëpunimit janë aftësi kryesore të “shekullit XXI”, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për edukatorët, drejtuesit e vendimmarrësit. Në këtë sfond, ne vlerësojmë që, një “mjet” i besueshëm shkencërisht, i mundshëm për t’u zbatuar praktikisht dhe i dëshirueshëm nga shoqëritë tona, është ndërveprimi ndërshtetëror dhe ai mes institucioneve.

 

Tiranë, më 06.02.2020

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.