OPINION

Për Tiranën

07:45 - 11.02.20 Fatjola Lubonja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

FATJONA R. LUBONJA




Mendimet e saj ishin si qukat në lëkurë sa herë që ajo vizitonte atë qytet. Fillonte lehtësisht me të nxehtin e ditës, që lodhte edhe pluhurin përreth dhe përfundonte me netët e Jazz-it. Ky qytet ishte si një rrjet i pluhurosur në trupin e saj, që ndryshonte forma sa herë që ajo e vizitonte. Instinktivisht, qyteti kishte një efekt të çuditshëm tek ajo, pothuajse një koktejl bukurie dhe shëmtie, një fushëbetejë mes groteskes dhe thjeshtësisë.

Nuk e vizitonte shpesh atë qytet. Çdo herë që ata përballeshin me njëri-tjetrin dukej sikur udhëtonin në drejtime të kundërta. Ajo plakej dhe qyteti rinohej. Me ledhatime narciziste, qyteti vazhdimisht vetëreklamohej sikur kishte vajzat më të bukura, kafetë më të mira, dhe thashethemet më të imagjinueshme që i quanin pa ndrojtje, “terapike”. Çudia fillonte me dritat, në mënyrë alergjike kishte një problem me energjinë elektrike, pasi lidhja vinte dhe ikje kur kishte qejf, edhe pse për habinë e saj lidhjet e internetit kishin pushtuar në perfeksion të gjithë qytetin. Shtëpitë në ndërtime e sipër ishin të shpërndara kudo, nga të dyja anët e rrugës. Jeshillëku mezi dukej vërdallë, si jetimë, jo aq i fuqishëm sa pisllëku. Por për atë, nuk ishte dhe aq pamja që e impresiononte, sesa aroma që vinte.

Qyteti kishte një diçka të veçantë, që ngacmonte kujtesën e saj dhe ishte ndjesia e aromës së çuditshme. Ky qytet mbante erë si qumësht i djegur.

Grupe vajzash shiheshin të shpërndara nëpër qytet, ndiheshin të pakujdesshme, si personazhe thashethemesh nëntokësore. Nën bukurinë e një nate i rastisi të rinte me një grup të mahnitshëm vajzash. Edhe pse i njihte shumë pak, u ndie në mënyrë spontane e mirëpritur. Feminiliteti ishte një komponent i detyrueshëm, ndërsa ndjeshmëria delikate ndihej herë pas here gjatë bisedës së pacensuruar. Qëndrimi rebel ishte prezent në ç’do moment, kur trazonin koktejin me pije të buta, deri në madhështinë e duhanpirjes i eksituar nga kuqësia e buzëve. Seksualiteti ishe më shumë se prezent, i vetëkënaqur, xheloz dhe i pudrosur me arrogancë joshëse.

Me koketëri, mendimet e saj rrugëtuan përgjatë mbrëmjes pa dashje, moment pas momenti, ç’do lëvizje sensuale. Një ngrohtësi që vetëm ajo e ndjehu, surprizoj edhe atë kur papritmas, një kujtimi nga dashuria e saj e hershme u shfaq në imagjinatën e saj. Duhet të ketë qenë diçka e pandërgjegjshme që ngacmoi mendimet e saj, megjithëse asaj i pëlqeu kjo ndjesi. Mendja e saj i kujtoi momente që ajo besonte se i kishte harruar plotësisht. Koha ishte kalimtare, si ajo, u largua për të mos u kthyer më kurrë.

Do ishte e pamundur për t’u ndjerë ndryshe, megjithatë ajo ende besonte si atëherë, që dashuria ia vlente më shumë edhe pse me cinizëm shqetësonte vëmendjen e kujtdo. Në mendjen e saj, ai ishte i ulur para saj. Ajo kujtonte të njëjtat karakteristika si të ishin lënë më bujari të paprekura ndër vite. Megjithëse mendimi ishte një grimcë e kujtesës së saj pas një përgjumësie të gjatë, nuk ndjeu aspak nostalgji, por kujtimet ishin të mjaftueshme për të kënaqur vrullin e momentit rebel të saj.

Çfarë e tërheq apo rebelon një person shumë vite më pas, edhe pse në mungesë? – pyeti ajo rastësisht.

Vetëm kujtimet, ose vetëm perceptimet e kultivuara, ndoshta të ndërlikuara me histori të tjera. Sofistikimi i gjuhës që shkaktoi fluturimin e mendjes së saj diku tjetër, papritur u shndërrua në mendim elegant. Lëkura e saj ndjehu se po luante një lojë erotike, jo aq seksuale, por më tepër estetike. Ajo e quajti një orgazëm intelektual, që të kënaqte po aq sa një gjëegjëzë që të lë pa fjalë.

Ndjehu se ishte e dashuruar atë moment me ndjenjën vet. Mendimet e saj kënaqën imagjinatën duke u harruar paksa në flladin e ëmbël të mesnatës që ky qytet dhuronte me zemërmadhësi. Për disa çaste, ishte ai fllad që skllavëroi atë të ndjente diçka që s’e kishte vëne re ndër vite, shikimin me mall të dikujt për të, buzëqeshjen, qetësinë që të jep një ndjenjë edhe pse padrejtësisht e harruar. Atë mbrëmje ajo e pranoi të ishte robëruar nga kujtime që i ishin ngjitur si qukat në lëkurën e saj. Një sekret ky që i takonte vetëm asaj, duke e fshehur me naivitet midis të qeshurave çapkëne të vajzave përreth. Përgjatë natës ajo udhëtoi e zbathur nëpër rrugicat e qytetit e flirtuar nga flladi i mbrëmjes duke lënë pas qukat e vizatuara në lëkurën e saj.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.