KULTURË

Përkujtohet datëlindja e Musine Kokalarit

13:06 - 11.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të “Muajit të kujtesës” Muzeu Historik Kombëtar dhe shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari” organizuan veprimtarinë me titull “103-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit”. Veprimtaria u çel një kumtesë ku paraqitej jetëshkrimi dhe këndvështrimi i përgjithshëm i veprimtarisë së Musine Kokalarit dhe vijoi me pjesëtarët e Klubit të Historisë të shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”, të cilët interpretuan materiale nga krijimtaria e saj. Muzeu Historik Kombëtar kishte përgatitur edhe një pyetësor mbi biografinë e Musine Kokalarit. Besim Cengu, drejtori i shkollës “Musine Kokalari”, falënderoi Muzeun Historik për bashkëpunimin duke shprehur vlerat e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.




Ndërkaq, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit risolli në vëmendje, dosjen që Sigurimi kishte krijuar për të, së bashku me raportet e survejimit të 28 bashkëpunëtorëve dhe esetë e saj të rralla.
Dosja e Musine Kokalarit u hap në 100-vjetorin e saj, me kërkesë të familjes, e para dosje e vënë në dispozicion pas krijimit të AIDSSH. Që atë ditë, studiues të shumtë kanë aplikuar për të njohur mekanizmat e makinerisë së shtypjes ndaj Musine Kokalarit. Një vit më parë, AIDSSH përkujtoi ditëlindjen e saj në qytetin e Gjirokastrës, ku studiues, profesorë, studentë e të rinj kontribuan për të plotësuar profillin e saj shqip në Wikepedia, bazuar në dokumente dhe të dhëna burimore.
Në këtë përvjetor, personaliteti i Musinesë do të studiohet në mënyrë multidisiplinare nëpërmjet projektit mbi “Mendimin politik të së majtës shqiptare”, që hedh dritë në profile intelektualësh të lirë dhe mënyrën se si u përballën me regjimin. Vepra e plotë e Musine Kokalarit është botuar në kujdesin e familjes, po ashtu versioni i përshtatur për fëmijët e të rinjtë, shkolla e biblioteka mbajnë emrin e saj dhe studiues të shumtë kërkojnë që, përmes hulumtimit, të zbulojnë përmasën e plotë të personalitetit të saj shumëplanësh. Megjithatë, shoqëria shqiptare ende nuk e ka njohur Musinenë dhe nuk ka reflektuar mbi fatin e saj, qëndrimet e hapura publike, dinjitetin njerëzor, atdhedashurinë, inteligjencën dhe vlerat perëndimore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.