OPINION

Për të luftuar kriminalitetin nuk mjafton OFL-ja, nevojitet reduktimi i pabarazisë dhe varfërisë

07:50 - 12.02.20 Dr. Klodian Muço
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Raporti ndërmjet kriminalitetit dhe kushteve ekonomike ka qenë një ndër temat klasike të kriminologjisë dhe ekonomiksit të zhvillimit.




Studimet e ndryshme ekonomike konkludojnë se pabarazia e të ardhurave është një ndër faktorët kryesorë, që çon në rritjen e kriminalitetit.

Përveç aspektit të rishpërndarjes së të ardhurave, në princip nuk duhet nënvlerësuar po ashtu edhe ndërlidhja që ekziston ndërmjet pabarazisë dhe varfërisë. Pra, sa ndikon pabarazia në reduktimin e kohezionit social apo varfërisë. Kjo e fundit shpesh i detyron individë të caktuar të përballen me situata privuese, të cilat i çojnë në mendime të gabuara të tipit: kriminaliteti është e vetmja zgjidhje për të jetuar denjësisht, për t’u pasuruar apo për të garantuar një të ardhme më të mirë fëmijëve. Për më tepër, në studimet e ndryshme mbi kriminologjinë, rezulton se pabarazia sociale krijon një ndjenjë padrejtësie dhe një frenim për aksesin ndaj të mirave të konsumit, por që për këto të fundit nuk mund të hiqet dorë për arsye të lidhura me ndjenjën e krenarisë së individëve. Nisur nga këto fakte, le të shohim në vijim se si ka ecur niveli i pabarazisë, varfërisë dhe kriminalitetit në Shqipëri përgjatë viteve të fundit.

Përsa i përket pabarazisë, një tregues që përdoret gjerësisht në ekonomi është ai i Gini, por që për Shqipërinë të dhënat e fundit janë të 2012-ës, gjasat janë që ky indeks të jetë përkeqësuar.

Një tregues tjetër i pabarazisë është ai i rishpërndarjes së të ardhurave, ku në Shqipëri vërehet se për pagat shkojnë më pak se 20% e të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër shkon si fitim për kompanitë apo sipërmarrësit. Përsa i përket pabarazisë së konsumit vërehet një rënie graduale në Shqipëri, por gjithsesi kjo rënie është shumë më e lehtë sesa në Kosovë apo Bosnje.

Përsa i përket Indeksit të Zhvillimit Human të publikuar nga UNDP, e cila nxjerr në pah edhe defektet e politikave qeveritare, mund të themi se ky indeks na rendit të 68-të në botë, ku lëmë pas vetëm Bosnjën dhe Maqedoninë, por që gjithsesi ecuria e këtyre të dyjave është më dinamike sesa e Shqipërisë dhe me shumë gjasa në vitet në vijim do na i kalojnë.

Si indeks për kriminalitetin do të marr në konsideratë numrin e të burgosurve për çdo 100 mijë banorë. Në Shqipëri ky tregues për 2017-ën rezulton se janë të dënuar 194 persona për çdo 100 mijë banor nga 158 që kanë qenë në 2010-ën.

Nëse do të krahasojmë këtë tregues me vendet e tjera, vërejmë se Shqipëria ka një nivel shumë më të lartë nga mesatarja botërore (143); nga mesatarja e vendeve të zhvilluara (114) apo nga vendet e Ballkanit si: Serbia (123), Maqedoni (146) apo Mal i Zi (178).

Një tregues tjetër interesant i kriminalitetit është qëllimi i burgosjes. Në Shqipëri dominojnë të burgosurit për vrasje apo vjedhje, ndërsa ata për krime ekonomike janë pothuajse inekzistentë. Ndërsa në vendet e zhvilluara të burgosurit për krime ekonomike, në 2014-ën kanë qënë përkatësisht 4.1% në Bashkimin Europian, 23.1% në Principatën e Monakos, 18.2% në Angli, 14.1% në Gjermani dhe 6.1% në Finlandë.

Në Shqipëri edhe pse kemi një rritje të ndjeshme të korrupsionit, evazionit fiskal, shpërdorimit të fondeve publike, apo kemi funksionarë të lartë që përgjatë tri dekadave të fundit kanë pasur rroga modeste, çuditërisht disponojnë pasuri miliona euroshe. Të gjitha këto fakte nuk kanë mjaftuar për të çuar ndonjë nga këta në burg.

Këto të dhëna të çojnë të mendosh se kriminaliteti në parim luftohet me reduktim të pabarazisë pasi kjo e fundit “redukton dëshirën për krim”.

Një formë tjetër efiçiente për të luftuar kriminalitetin është ajo me anë të rritjes së investimeve në arsim. Ndërsa ndërhyrjet ekstreme si këto të ditëve të fundit në Shqipëri, në të kaluarën kanë treguar se nuk funksionojnë.

Në 2 vitet e fundit rreth 70% e pronave që u janë sekuestruar personave që kanë qënë të akuzuar për trafikun e drogës, prostitucionit, që kanë kryer krime ekonomike apo evazion fiskal u janë kthyer përsëri pronarëve të mëparshëm. Këto sekuestrime kanë pasur kosto për arkat e shtetit, pasi individët e dëmtuar jo pak herë kërkojnë edhe dëmshpërblim për humbje të kuotave të tregut, dëmtim prone apo dëmtim imazhi. E përkthyer në vlerë, rreth 17% e vlerës totale të sekuestrimeve u konfiskua dhe shkoi në arkat e shtetit.

Është shumë e rëndësishme që qeveria duhet të bëjë kujdes, pasi OFL-ja mund të jetë një kosto e shtuar për arkat e shtetit, nëse operon në këtë mënyrë.

Nëse vërtet dëshirojnë të luftojnë krimin, një nismë me vlerë do të ishte realizimi i dixhitalizimit të hipotekës dhe nga hipoteka dixhitale të niste analiza se kush dhe sa prona disponojnë persona të caktuar, të cilët nuk justifikohen me të ardhurat që kanë.

[1] Profesor ekonomie i Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe “Zoja e Këshillit të Mirë”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.