KULTURË

Përvoja polake në zbardhjen e diktaturës dhe rikthimi i dinjitetit të viktimave

12:29 - 12.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një vizitë pune në Varshavë më 3-6 shkurt, me ftesë të Institutit Kombëtar të Kujtesës në Poloni. Takimet e ekipit të AIDSSH dhe përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë u organizuan sipas programit të bashkërenduar me institucionin homolog polak, “Institute of National Remembrance- Instytut Pamieci Narodowej”.




Më 4 shkurt, delegacioni shqiptar u prit nga drejtues të kërkimeve historike në IPN, Jerzy Bednarek, Rafal Leskiewicz dhe Agnieszka Jedrzak, drejtuese e departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Presidentit të IPN. Veprimtaria e AIDSSH-së, shtyllat mbi të cilat institucioni organizon punën e vet dhe mundësitë për bashkëpunim, u trajtuan nga kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, dhe anëtarët, Simon Mirakaj, Marenglen Kasmi dhe Altin Hoxha. Ligji 45/2015 mbi të cilin mbështet punën AIDSSH dhe ndryshimet e propozuara për përmirësimin e tij në zbardhjen e së shkuarës, shërbimit të dokumentacionit qytetarëve, verifikimit të figurave dhe edukimit qytetar u diskutuan nga Skënder Vrioni, sekretar i përgjithshëm dhe Mirela Lame, shefe e sektorit juridik, me praninë e deputetëve të Komisionit të Ligjeve, Artemis Dralo dhe Edmond Leka.

Përvoja e konsoliduar e Institutit Kombëtar Polak të Kujtesës, njëherësh Komisioni për Ndjekjen e Krimeve Kundër Popullit Polak i vjen në ndihmë AIDSSH-së në përballje me të shkuarën komuniste dhe trajtimin e saj në të sotmen, në respekt të të dënuarve të ndërgjegjes, viktimave, të mbijetuarve dhe nxitjes së dialogut shoqëror për demokraci. Më 5 shkurt, pranë zyrave qendrore të IPN u zhvillua takimi me zv.Presidentin e Institutit Kombëtar të Kujtesës, njëherësh zv.Drejtor i Kërkimit Shkencor dhe i Plotfuqishëm për krimet e kryera ndaj kombit polak, Krzysztof Szëagrzyk. Szëagrzyk foli për përvojën e tij në fushën e të zhdukurve, që nga viti 1998 kur nisi ky proces me të zhdukurin e parë, duke vazhduar me identifikimin e gjetjen e varrezave masive edhe në mes të qyteteve kryesore, për të vazhduar me kërkimet sistematike. Sot llogariten rreth 50.000 të zhdukur, 50% e të cilëve, të vrarë dhe të zhdukur nga Stalini.
Më tej, Mateusz Szpytma, zv.President i Institutit Kombëtar të Kujtesës, bëri një paraqitje të veprimtarisë së institucionit, i krijuar në vitin 2000. Ligji për krijimin e IPN u miratua në Parlamentin Polak në vitin 1998 dhe si ligj funksional ka pësuar ndryshime ligjore katër herë në themel dhe dhjetëra herë pjesërisht për të ardhur në modelin e sotëm.
Zv/ Presidenti e informoi delegacionin shqiptar për punën kërkimore shkencore që bëhet nga IPN, bazuar në punën shkencore të historianëve, botimet, studimet, etj., që pasurojnë burimet për kurrikulën shkollore.
Pas takimeve, delegacioni vizitoi arkivin e IPN dhe ndoqi organizimin e arkivave fizike dhe elektronikë, po ashtu proceset e punës së digjitalizimit, botimeve, etj., i shoqëruar nga drejtoresha e arkivit, Marzena Kruk.

SHEMBULLI POLAK
Sot, IPN është institucion i konsoliduar me përvojë 20-vjeçare, me 2500 punonjës dhe 16 zyra lokale në mbarë vendin, i organizuar sipas tre drejtimeve kryesore: arkivi, prokuroria dhe kërkimi shkencor.
Arkivi me parametra bashkëkohorë administron informacion të pasur, që kontribuon në rezultatet e punës së departamenteve të tjerë, prokurorisë, kërkimit shkencor, botimeve e më gjerë. Prokuroria përbëhet nga 135 prokurorë, shërbim burgjesh dhe komisioni mbi krimet e nazistëve për vitet 1945-1985; 135 prokurorët hetojnë punën e institucionit te tyre të ish-policisë sekrete, pjesë e Ministrisë së Sigurisë Publike 1945-1954. Pas përfundimit të punës hetimore, prokurorët bëjnë deklarim në Gjykatë, e cila jep vendimin përfundimtar. Brenda Prokurorisë ekziston një sektor për lustracionin/vetingun, i cili trajton rreth 300.000 kërkesa në vit.
Drejtuesi i Prokurorisë brenda Institutit Kombëtar të Kujtesës është njëherësh zv.ministër i Drejtësisë. Prokuroria ka çuar në proces gjyqësor rreth 10.000 çështje për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime kundër kombit polak. Në vitin 1991, personave të dënuar gjatë regjimit komunist iu dha pafajësia me ligj të veçantë.
Kërkimi shkencor është departament ku organizohen drejtimet e punës kërkimore, edukimit, memorialeve, kërkimit të eshtrave (sektor i posaçëm për kërkimin e të zhdukurve, me arkeologë, teknikë e mjekë ligjorë). Pjesë e Institutit është edhe sektori që propozon dhënien e medaljes ‘Kryqi i Lirisë dhe Solidaritetit’ për qytetarët që u përballën me dinjitet njerëzor me totalitarizmin dhe mekanizmat e shtypjes. Përvoja polake në trajtimin e së shkuarës, përballjes me të dhe modeli i një institucioni kujtese që mbështet dinjitetin njerëzor dhe nxit dialogun shoqëror, – duke i trajtuar në thellësi plagët e së shkuarës, për të siguruar të tashmen e të ardhmen, – është e rëndësishme për një institucion si AIDSSH dhe kontributin e tij në mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive. Më 6, 7 shkurt, AIDSSH u përfaqësua nga Sula në Rrjetin Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit në takimet e përvitshme të Rrjetit, në të cilat mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.