Dossier

“Ramizi dha urdhrin e goditjes me armë”/ Vito Kapo flet për sëmundjen e bashkëshortit: I bënin analiza çnjerëzore, u vra

12:42 - 12.02.20 gsh

Në moshën 98 vjeçe, me një kujtesë të admirueshme, zonja Kapo tregon peripecitë dhe rraskapitjet e të shoqit në klinikën franceze, ku asnjëherë nuk u dha përgjigjja se nga se vuan, ndërsa pas vajtjes së Ramiz Alisë atje, Hysni Kapo u sfilit nga analizat dhe një moment i shkëputën ilaçet dhe oksigjenin. Në intervistën ekskluzive për Gazetën “Panorama”, Vito Kapo risjell fjalët e fundit të Hysni Kapos para Ramiz Alisë dhe ndarjen misterioze të tij nga jeta. Zonja Kapo tregon dhe jetën e saj pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, një nga figurat më të rëndësishme të PPSHsë, marrëdhëniet me Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë.



Znj. Kapo, Nexhmije Hoxha ka dëshmuar në librin e saj të fundit se ka qenë porosi e Enver Hoxhës që mos të mos ju vinin ju në dijeni për sëmundjen e Hysni Kapos, me qëllim moslëndimin tuaj. Si ka qenë e vërteta?

VITO KAPO: Hysniu ka qenë sëmurë që kur ishte në Shqipëri. Ai e hiqte veten sikur ishte krejtësisht i shëndoshë, e mbante veten dhe mua nuk më binte në sy. Ne vajtëm në Pogradec dhe për dy javë unë kisha marrë përsipër që të bëja raportin e Kongresit të Bashkimit të Grave. Ai qëndroi aty për dy muaj, saç e kishte me rregull qëndrimin në Pogradec dhe mua nuk më ra në sy fare edhe pse nuk ndihej mirë. Kur më përcolli në rrugë, më tha: “Shiko çfarë kanë bërë, e kanë mbushur me makina. Ç’më duhen mua gjithë këto makina, gjithë kjo përkujdesje”. Ndonjëherë më kërkonte t’i fërkoja mesin se ndihej i lodhur dhe unë me shaka i thosha: U plake Hysni. Mua nuk m’u ankua asnjëherë dhe kam qenë “budallaqe” që nuk e kuptova që ai vuante. Unë duhej të shkoja në Shkodër për të paraqitur një raport dhe Hysniu më tha shko, mos e lër punën se unë jam mirë. Unë nuk kisha kuptuar asgjë.

Edhe në Pogradec ku qëndruat, nuk pati shenja lodhjeje, ankesash shëndetësore?

VITO KAPO: Hysniu qëndroi dy javë me shokun Enver në Pogradec dhe bënin çdo ditë shëtitje. Një ditë shoku Enver i tha: Hysni, unë lodhem sepse dhe flas shumë, prandaj ndalojmë të mos ecim kaq. Një ditë ai më tha se ndihej i lodhur dhe donte të shtrihej. Unë doja ta lija vetëm, ai nuk donte, do qëndrosh me mua, më tha. Nuk donte të ndahesha prej tij.

Si u zhvilluan vizitat dhe kontrollet në Paris?

VITO KAPO: Që herën e parë që shkuam, mjekët e kontrolluan për një dhimbje që kishte. Pasi bëri analizat dhe kontrollet, mjekët i thanë që nuk ke gjë, ke kaluar një infarkt, por ka kaluar dhe tani nuk ka probleme. Por grupi i punës që u mor me shëndetin e Hysniut e trajtoi sikur nuk kishte asnjë problem me shëndetin e tij. Nuk vunë re asgjë.

Mjekët e spitalit francez konkluduan në këtë përfundim?

VITO KAPO: Jo, po flas për grupin e punës nga Komiteti Qendror dhe grupi i mjekëve. Ne fillimisht na çuan në një shtëpi pushimi, jo spital. Qëndruam disa ditë në këtë shtëpi pushimi dhe na çonin në një spital për analiza dhe kontrolle. Qëndruam të dy në një dhomë. Hysniu këmbëngulte që të dilte, mjeku thoshte jo, se kemi dhe analiza të tjera për të bërë. Ata që na shoqëronin na thoshin hajdeni t’ju çojmë te hoteli, por në fakt ajo ishte shtëpi pushimi, ndërsa ne kishim shkuar për vizita dhe kontrolle në spital. Ne e morëm vesh vonë se ajo ku rrinim ne ishte shtëpi pushimi dhe jo spital. Aty qëndronte dhe shefi i misionit francez në Tiranë, që ne e njihnim dhe ishte me turbekuloz e që më pas vdiq. Hysniu kërkoi që të iknim dhe u kthyem në Tiranë. Pasi u kthyem, unë shikoja që ai donte më shumë të pushonte, ndihej më i lodhur, por mua nuk më binte në sy. Unë bridhja nëpër Shqipëri me Bashkimin e Grave të Shqipërisë, ndërsa ai vuante pa më thënë asgjë. Nuk dinte të ankohej asnjëherë. Kur unë kthehesha, bënte shaka me punonjësit e shërbimit, duke thënë se do t’i krijojmë kushte Vitos se është lodhur, ka marrë përsipër shumë gjëra.

Si vijoi gjendja e tij shëndetësore?

VITO KAPO: Ne qëndruam në Shqipëri nga muaji mars e deri në korrik 1979. Pasi ikëm nga Pogradeci, shkuam përsëri për herë të dytë në Paris. U vijua për një kohë të gjatë me analizat. Madje, unë u shqetësova shumë sepse thosha, e kanë sjellë në spitalin më të mirë, i bëjnë analiza dhe nuk po i gjejnë se çfarë ka, nga i vjen kjo lodhje.

Nuk ju informonin se çfarë po ndodhte, se cila ishte gjendja?

VITO KAPO: Jo, vetëm se më thoshin që do t’i bëjmë edhe këtë, edhe atë analizë. Hysniun vinin dhe e takonin grupe të ndryshme të huaja. Ai fliste me ata, qëndronte, por dhe lodhej shpejt. U fliste për Shqipërinë dhe më pas u thoshte që tani do vazhdojë Vitua. Ata vinin të shikonin se deri ku shkonte gjendja e tij. Pjesa më e madhe e tyre ishin mjekë francezë. Ata e bënë si shok. Vinin dhe thoshin: Ku është shoku ynë, tani do na flasësh për këtë temë.

Nexhmije Hoxha ka thënë në libër se Vito Kapo, me porosi të Enver Hoxhës, të mos informohej deri sa të jemi të bindur për diagnozën dhe të shohim nëse ka shërim apo jo, që të mos e rëndojmë.

VITO KAPO: Hysniut i kanë bërë disa herë analiza, por asnjëherë nuk më thanë se çfarë rezultati kishin analizat e tij, edhe sot nuk e di se si kanë dalë ato analiza. Gjithmonë më thoshin do bëjmë grafi, do bëjmë grafi dhe në fund asgjë. Mjekët shqiptarë ishin totalisht të pakujdesshëm për të marrë dokumentet e spitalit atje. Sepse kur vajti doktor Ylli Popa, më tha mua: Vito, nuk gjeta asnjë dokument të rregullt të pacientit Hysni Kapo! Kjo thotë shumë, apo jo?! U bë një lëmsh i qëllimshëm që të mos gjendej asnjë gjurmë për sëmundjen e tij dhe se çfarë kishin bërë mjekët me të.

Po grupi i mjekëve që e shoqëroi, duke filluar që nga zv.ministri i Shëndetësisë e deri te Ramiz Alia, si silleshin?

VITO KAPO: Ramizi dha urdhrin e goditjes me armë. Hysniu ka pasur vdekje me armë. E dini ju këtë?!

Ku ndodhi kjo? Në spital?!

VITO KAPO: Në spital. Hysniun e vranë me armë. Që nga momenti që erdhi Ramizi në Paris, Hysniut nuk i bënë asgjë tjetër, veçse analiza dhe analiza pa marrë vesh se çfarë nxirrnin ato analiza. E lodhën dhe e rraskapitën me analiza. Një ditë, Hysniu më tha: E ç’po bën dhe ky?! Unë i thashë se mbase do dalin në ndonjë konkluzion. Rri o Vito, se mua më këputën fare me këto analiza, më tha Hysniu. Të shikoje t’i bënin ditë për ditë analiza të tilla, ishte çnjerëzore. E çonin nga një laborator në tjetrin, sa u lodh. Hysniu ishte aq i këputur nga analizat, sa më thoshte: Vito, mbarova tani. Një fjalë që Hysniu nuk e thoshte kurrë nga goja e tij./ Panorama

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE