AKTUALITET

Tomorrica, nuk mjafton të dish të shkruash, duhet të dish të duash

12:15 - 12.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fran Cara  – Më 14 dhjetor 2019 në sallën “Unesko” të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua promovimi i librit “Krahina e Tomorricës” e autorëve Elmas dhe Arben Guga (babë e bir). Në këtë veprimtari të mirorganizuar dhe mbresëlënëse salla ishte e tejmbushur me dashamirës të librit dhe të pasionuar pas historisë, jo vetëm nga krahina e Tomorricës, kudo që banojnë në Shqipëri, por edhe me intelektualë e studiues nga Berati, Gjirokastra, Lushnja, Tirana, Shkodra, Mirdita, Puka dhe Tropoja.




Për shpalosjen e brendisë dhe të vlerave të librit në mënyrë të detajuar dhe mjaft profesionale foli redaktori i këtij libri, z. Hajri Nuku. Pas tij referoi Prof. assoc. Dr. Ermal Baze duke u përcjellë pjesëmarrësve të dhëna, ngjarje dhe fakte historike interesante dhe të rëndësishme të trajtuara në libër.
Një vlerë e shtuar e kësaj veprimtarie ishte pjesëmarrja dhe kumtimi i historianit të mirënjohur Prof. Dr. Paskal Milo. Si gjithmonë, me fjalën e tij të këndshme dhe profesionale, e mbërtheu auditorin, duke përzgjedhur vlerat dhe mesazhet esenciale që përcjell libri. Në vijim me fjalë zemre për librin dhe vlerat historike e të atdhetarisë së krahinës së Tomorricës dhe të tomorricarëve folën Nuri Çuni, Hysen Binjaku dhe unë autori i këtij shkrimi.
Mjaft e ndjerë dhe vlerësuese ishte fjala përshëndetëse dhe falënderuese e autorit të librit Elmas Guga.
Pa pretenduar për një analizë të detajuar dëshiroj t’i përcjell lexuesit disa konsiderata dhe mbresa që vijnë vetvetishëm nga gjithçka që shtjellohet në dy vëllimet me 1100 faqet e këtij libri.

Do ta filloj këtë shkrim me vargjet e “Uraganit të ndërprerë”, siç e ka vlerësuar i madhi Kadare, madhështorin Migjen: “Ah sikur ta kisha pishën e madhe të ndezur / dhe në qiellin e kësaj nate të shkruejsha kushtrimin”./
Këto vargje i shkojnë më së miri për shtat promovimit dhe vlerave të librit “Krahina e Tomorricës” të autorëve të sipërpërmendur. E theksoj këtë, sepse në qiellin gri deri në të errësuar të tash disa viteve të shkarrashkrimeve historike të disa pseudohistorianëve, e aq më tepër të “disave” që punojnë në institucione shtetërore, na vjen ky libër për Tomorricën dhe tomorricarët që i jep shumë dritë këtij qielli të historisë sonë.
Ky libër është fryt i një pune më se 8-vjeçare të përkushtuar dhe profesionale hulumtuese, studiuese, strukturuese e deri në materializimin e tij në të shkruar.
Përmes këtyre dy vëllimeve sillen një shumësi vlerash e të dhënash historike, gjeografike, ekonomike, socialpsikologjike, kulturore-artistike dhe etnokulturore, arsimore dhe shëndetësore për Krahinën e Tomorricës. Dhe një vlerë e pakontestuar është pasqyrimi i atyre që e bëjnë historinë: populli dhe figurat e spikatura të Tomorricës në periudha kulmore e ngjarje të mëdha.

Nga gjithë brendia e librit del se autorët kanë shkruar pa mllefe e urrejtje, pa ndarje e veçime, pa ndikime politike e partiake, por përmes mendimit të pjekur dhe të peshuar shumë herë e mjaft mirë. Ata janë udhëhequr nga lajtmotivi: “I pari është Atdheu, Krahina e Tomorricës, vendlindja e tyre” duke e shprehur këtë edhe me vargjet e Çajupit: “Ku të duket balta / më e ëmbël se mjalta; / në Shqipëri”.
Jeta e autorëve (babë e bir) është e lidhur si mishi me kockën me Tomorricën dhe tomorricarët, ndonëse prej më se 50 vjetësh janë larguar prej andej.
Është kjo arsyeja që i mbajtën të gjalla e të forta urat e komunikimit me njerëzit dhe ecurinë e jetës së vendit të tyre. Ndaj dhe e vlerësuan si një borxh që s’mund t’i kthehet kurrë vendlindjes, qoftë edhe me këtë libër me vlera shumëdimensionale dhe pune shumë të përkushtuar për ta realizuar atë.
Në mbështetje të këtij pohimi po citojmë thënien e tyre: “Të bësh historikun e fisit, të fshatit e ca më tepër historinë e një krahine të tërë siç është Tomorrica me 40 fshatra nuk mjafton vetëm të dish të shkruash. Mbi të gjitha duhet të dish të duash. Të kesh mall e brengë për vendlindjen. Të ndjehesh krenar për historinë e krahinës tënde. Për sakrificat e të parëve tanë në shekuj për të mirën e familjes, krahinës e Shqipërisë”.

Dhe autorët Guga si misionarë e vizionarë, me vullnet, dëshirë e këmbëngulje duan t’ua lënë brezave si amanet e testament që të njohin rrënjët nga kanë ardhur, kush janë, dhe të projektojnë të ardhmen ashtu si duhet të jenë duke ruajtur identitetin e tyre si Shqiptarë dhe Tomorricarë.
Për këtë ata shkruajnë e thonë: “Tomorricarët kudo ku jetojnë në Shqipëri, Europë, Amerikë e Australi duhet të njohin historinë e krahinës së tyre. Të jenë krenarë për identitetin e tyre si Tomorricarë. Sepse vetëm kështu do të jenë më të dobishëm për veten dhe komunitetin ku jetojnë”.
Ky libër nuk është vetëm meritë e autorëve Elmas dhe Arben Guga, por edhe e shumë intelektualëve që ofrojnë kontributin e tyre duke u dhënë një frymëmarrje më të gjerë ngjarjeve dhe fakteve, koncepteve dhe konceptimeve për to e për liderët protagonistë të këtyre ngjarjeve.
Ata, krahas punës së tyre, theksojnë se do të ishte një mision i pamundur realizimi i këtij libri nëse nuk do të kishin bashkëpunimin e qindra tomorricarëve. Të gjithë ata falënderohen për kontributin e dhënë me rrëfimet, shënimet historike, arkivat e familjeve të tyre që e kanë pasuruar mjaft jo vetëm historinë e LANÇ, por edhe periudhën e Rilindjes.

Në të vërtetë, edhe unë autori i këtyre radhëve, i ngarkuar nga një peshë mendimesh dhe emocionesh që më buruan pas leximit dhe vlerave që u përcollën gjatë promovimit të librit, s’e kisha të lehtë të merrja përsipër një shkrim të tillë. M’u desh të qetësohesha e të konsultohesha me vetveten, me autorët dhe me miq pjesëmarrës në këtë veprimtari që, gjithçka që kisha lexuar në libër e përjetuar në sallën e promovimit, t’i hidhja në letër.
Në vëllimin e parë jepet historia e krahinës nga antikiteti deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore me dokumente e të dhëna të bollshme arkeologjike. Ndërsa në vëllimin e dytë jepet historia e zhvillimeve politiko-shoqërore dhe ekonomike në gjysmën e dytë të shek. XX, zakone e tradita, kulturë dhe etnokulturë e deri tek manuali statistikor për popullsinë, familjet dhe kryefamiljarët përgjatë shek. XX.

Atdhetarizmi i tomorricarëve, i kristalizuar ndër shekuj, është një tipar substancial me të cilin identifikohen ata që nga Epoka e Skënderbeut, betejat luftarake kundër sundimit osman, gjatë Rilindjes Kombëtare për shpalljen e Pavarësisë e deri në vitin 1939. Veçanërisht ky atdhetarizëm spikat gjatë LANÇ.
Në teatrin e madh të kësaj lufte jepen të dhëna interesante dhe të pakontestueshme për ngjarje dhe personalitete të spikatura të saj. Mbresa të pashlyeshme të lënë të gjitha përshkrimet që lidhen me luftëtarët dhe komandantët legjendarë Mestan Ujaniku, gjeneral Gjin Marku, Kahreman Ylli etj. E mbi të gjitha marrëdhëniet e tyre. Mestan Ujaniku – modeli i atdhetarit të mëkuar me këtë ndjenjë nga një familje brez pas brezi atdhetarie, nacionalist i thekur, ku për të mbi gjithçka është liria e atdheut, formon një ndër çetat e para të luftës kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë. Gjeneral Gjin Marku, nga Mirdita, aktivist e idealist atdhetar, i dërguar i PKSH në Berat për propagandimin dhe organizimin e LANÇ, dhe më pas një ndër komandantët më të shquar të kësaj lufte, zë një vend nderi në këtë libër. Kahreman Ylli, intelektual atdhetar dhe luftëtar, komandant dhe drejtues i veprimeve luftarake për Qarkun e Beratit, pas Çlirimit një ndër pushtetarët e lartë më të spikatur, veçanërisht si Ministër i Arsimit dhe Rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës, që jo vetëm hodhi gurët e themeleve të forta e të qëndrueshme, por bëri edhe reforma të mëdha në fushën e arsimit në tërësi.

Këto personalitete kapërcyen pikëpamjet politike, ideologjike, fetare e krahinore për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi e respekti reciprok gjatë kësaj lufte të udhëhequr nga lajtmotivi i Rilindasit të Madh Pashko Vasa, të shprehura përmes vargjeve himn: “Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju! / E të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngonju! / E mos shikoni kisha e xhamia, / Se feja e shqiptarit asht’ shqiptaria” / E në libër shtjellohet mjaft mirë se marrëdhëniet e këtyre personaliteteve dhe të popullit liridashës të Tomorricës u materializuan mrekullisht, bash sipas lajtmotivit që përcjellin këto vargje.
Tomorricarët paraqiten me argumente e fakte si një popull i etur për dije e kulturë, sepse e dinin se vetëm përmes tyre përparon në të gjitha drejtimet familja dhe shoqëria.

Që në periudhën e Rilindjes jepen mjaft të dhëna për kontributin e disa nga klerikët arsimdashës e atdhetarë për futjen e abetareve të gjuhës shqipe dhe mësimin e shkrimit dhe të leximit shqip ilegalisht. Me detaje jepet historiku i zhvillimit të arsimit pas Shpalljes së Pavarësisë, e veçanërisht pas çlirimit. Mjafton të përmendim vetëm faktin se nga Krahina e Tomorricës kanë dalë mbi 850 kuadro me arsim të lartë në të gjitha fushat e specialitetet; dhe ndër këta mbi 30 personalitete me tituj dhe grada shkencore, doktorë shkencash, profesorë dhe akademikë.
Me mjaft interes është edhe shtjellimi i shtrirjes sasiore dhe cilësore të shërbimit shëndetësor edhe në fshatrat më të largëta të Tomorricës, prej nga ka dalë edhe Prof. Dr. Ajli Alushani, jo vetëm një mjek specialist nga më të njohurit e kardiokirurgjisë në Shqipëri, por edhe Ministri i Shëndetësisë shumë i suksesshëm që ndërmori reforma të mëdha në mjekësinë e specializuar dhe shërbimin parësor shëndetësor, edhe në fshatrat më të largëta të Shqipërisë në vitet ’80 të shek. XX.
Zhvillimet letraro-artistike dhe kulturoro-sportive në Tomorricë flasin për botën e pasur shpirtërore dhe figurat e spikatura që kanë dalë prej këtej në këto fusha.
Nga dera e madhe e Zaloshnjave kanë dalë atdhetarë dhe shkrimtarë të njohur. Moisi Zaloshnja i kalon caqet e Tomorricës. Ai jepet si një luftëtar i lirisë dhe shkrimtar me vlera kombëtare.

Hekuran Hasan Zhiti, autori që mbeti anonim i këngës himn “’39 mos ardhsh kurrë!”, e cila i kushtohet pikëllimit mbarëkombëtarë që shkaktoi pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, ishte një njeri, poet dhe krijues i rrallë, por s’u vlerësua kurrë, përkundrazi mbi supe provoi kaluarin e mohimeve dhe persekutimeve, pavarësisht nga vlerat e mëdha njerëzore, intelektuale e krijuese. E më pas i biri i tij, Visar Zhiti, poeti i madh, por i nëmur dhe i persekutuar çmendurisht dhe pamëshirshmërisht, vetëm se ëndërronte një jetë të lirë e dinjitoze për njeriun, dhe që e shprehu në hapësirat qiellore të poezisë së tij, pasoi dhe pësoi fatin e babait në ferrin diktatorial. Jeta e këtyre martirëve jepet sa me nota realiste edhe tragjike.
Tomorrica paraqitet mjaft mirë nga autorët si një akademi e edukimit dhe e përgatitjes së këngëtarëve. Djemtë dhe vajzat duhej të edukoheshin me shpirtin artistik dhe përjetimet që përcjell kënga dhe të kultivoheshin si këngëtarë. Kësaj akademie popullore me tradita i përket edhe polifonia karakteristike e Tomorricës dhe korifeu i saj me vlera kombëtare Demir Zyko e bashkëshoqëruesit e tij të mrekullueshëm që kanë shkëlqyer në tribunat e Festivaleve Folklorike Kombëtare.

Pasuria etnokulturore vjen në libër mjaft mbresëlënëse. Banesat dhe veshjet tradicionale, festat fetare dhe publike, lidhjet e miqësive dhe mikpritja i japin tiparet karakteristike të prekshme për çdo lexues, por edhe për brezat pasardhës tomorricarë jepen një mori faktesh, shembujsh e rrëfimesh.
Çdo shtëpi, sado e varfër të ishte, e mbante derën të hapur, jo vetëm për mikun, por për çdo udhëtar të largët që i binte udha andej. E për këtë zonjat e shtëpisë ndanin dhe ruanin të paprekshme rezervat ushqimore për raste të tilla, për ta pritur sa më mirë e më me respekt këdo që i binte nevoja t’u trokiste në derë.
Por mikpritja pasurohet edhe me fakte të tjera. Shtëpitë e pasura e kishin për detyrë të përballonin vetë ose të ndihmonin në raste të tilla më të varfrit. Mjaft interesante jepet edhe tradita e krijuar për të nxjerrë në mbrëmje dy të rinj në pika dominuese e kryqëzime udhëkalimesh, që me thirrjet e tyre të orientonin udhëtarët që mund edhe të kishin humbur udhën dhe të strehonin e t’i mikprisnin në shtëpitë e tyre ose të caktuara për këtë.
Për të përforcuar vlerën e mikpritjes si një nga virtytet më të çmuara të Tomorricarëve sillet një ndodhi e vërtetë në fshatin Dobrenj. Në shtëpinë e Fetah Mahmutllarit, të prirë nga Sekretari i Parë i Skraparit Teki Malindi shkojnë si mysafirë një grup ushtarakësh madhorë të kryesuar nga Petrit Dume, të cilët kishin ardhur për një stërvitje të madhe në verën e vitit 1964 në juglindje të vendit.

Në dialogun ndërmjet Petrit Dumes dhe Fetahut, ky i fundit i përgjigjet me shumë finesë dhe zgjuarsi: “Duhen bërë ca punë përgatitore për të nderuar miqtë, se u kemi miq të veçantë. Të gjithë miqtë vijnë nga toka, ndërsa ju na keni zbritur nga qielli”. Petritit i pëlqen batuta, sepse ata kishin zbritur me helikopter, u ngrit dhe e përqafoi dhe deshi ta ulte pranë vetes, por dhoma ishte e mbushur plot me miq. – Jo, – i tha Fetahu, – ju jeni të gjithë miqtë e mi dhe asnjë nuk duhet të dalë jashtë. Vendin tim e gjej vetë. Pas pritjes tepër të ngrohtë e të këndshme miqtë u larguan nga Dobrenji të mrekulluar nga kjo mikpritje.
Një mrekulli tjetër që duhet të mësojnë sot e në të ardhmen jo vetëm tomorricarët, por kudo që jetojnë shqiptarë, sillet në libër roli dhe trajtimi i gruas si bashkëshorte e devotshme, nënë shembullore për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe zonjë shtëpie e përkushtuar dhe nikoqire për t’u përkujdesur për të gjitha punët që i takonin asaj e për të përgatitur rezervat ushqimore dimërore. Gratë në Tomorricë nderoheshin dhe trajtoheshin si një vlerë e veçantë në familje dhe të barabarta me burrin, çka sot është një shqetësim i madh dhe vlerë jo rrallë e përçmuar dhe e dhunuar në shoqëri e në familje.

Krahas një vështrimi historik të lindjes së besimit fetar të bektashizmit në tërësi, argumentohet me dokumente edhe përqafimi i tij nga tomorricarët, duke përfshirë këtu edhe vëllezërit Frashëri, të cilët ishin me origjinë nga Tomorrica. Në këtë trajtim na sjellin mesazhin sa filozofiko-teologjik dhe njerëzor se ky besim, në thelb panteist, në Tomorricë kishte vetëm vlera atdhetarie përbashkuese, se Atdheu dhe Feja janë një e të pandarë.
Në këtë shkrim është e pamundur të japim, qoftë edhe sintetikisht të dhënat e trajtuara në libër: që nga ato të zhvillimeve në kohë të hershme e deri në të sotmet, të dhënave me karakter enciklopedik të fshatrave, të arritjeve ekonomike, sociale, kulturore e sportive të pasçlirimit e deri tek protagonistët kryesorë që kanë kontribuar në gjithë këto rrjedha historike.

Por çdo lexues mendoj se do të arrijë në këto gjykime:
1. Libri fillim e fund bazohet te lufta ndërmjet të mirës ndaj të keqes, ku me fakte e argumente triumfon e mira.
2. Ndonëse jepen disa raste të përplasjeve ndërmjet forcave politike dhe mbështetësve të tyre në Tomorricë, gjatë LANÇ janë evituar gjakderdhjet në sajë të liderëve të tyre atdhetarë Mestan Ujaniku, Gjin Marku, Kahreman Ylli etj., dhe popullit që i ka besuar e ndjekur ata.
3. Lufta e klasave në kohën e monokraturës ka lënë vragë e pasoja të pashërueshme, por nuk bëhet thirrje as nuk flitet për hakmarrje e luftë shpaguese. Autorët në tërë veprën shtrojnë rrugë e ndërtojnë ura përbashkuese të njerëzve dhe jo ndarëse, përpiqen të sjellin paqen e paqëtimin ndërmjet njerëzve të shtresave, besimeve e forcave politike të ndryshme, të forcojnë dashurinë përballë urrejtjes dhe të ngjallin shpresën përballë dëshpërimit.
4. Libri kaq voluminoz është strukturuar në përmasat e një shkrimi akademik.
5. Gjuha e përdorur është plotësisht shqip që nga leksiku, drejtshkrimi dhe ndërtimi sintaksor i fjalive, çka e bën lehtësisht të kuptueshëm për çdo lexues, e për ta pasur zili ata pseudoshkrues dhe pseudointelektualë që po na i bjerrin vlerat e gjuhës sonë “sa të ëmbël e sa të mirë” shqipe.
6. Faktet dhe dokumentet e shumta gërshetohen dhe pasurohen më së miri me mbresa e kujtime të shumë prej bashkëkohësve të këtyre ngjarjeve, si dhe me arkiva autentike të disa prej personaliteteve.

Gjithë përmbajtja e librit është një punë e menduar gjatë në udhëtimin e vështirë për të ndriçuar në mënyrën më të mirë të mundshme periudha dhe ngjarje të rëndësishme, duke u dhënë më shumë rëndësi realiteteve konkrete, pa u ndikuar nga opinionet dhe subjektivizmit jo konstruktive të shumë shkrimeve historike të ideuara djallëzisht nga segmente politike, veçanërisht pas viteve ’90 të shekullit të kaluar e deri në këtë vit jubilar të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Forcat e errësirës janë rizgjuar. E ç’është më e keqja, qeverisja e majtë aktuale, jo vetëm po hesht përballë tyre, por edhe po i paguan institucionalisht.
Në shkrimet historike të këtyre 30 viteve këto segmente politike, institucione që paguhen nga shteti dhe pseudohistorianë s’kanë lënë gurë pa lëvizur për të mbjellë çoroditje dhe konfuzion, deri në falsifikim të të vërtetave historike që nga Shpallja e Pavarësisë, e veçanërisht të LANÇ e të rindërtimit të vendit pas Çlirimit deri në vitin 1990.
Autorët në librin “Krahina e Tomorricës” jo vetëm nuk bien në kurthet e presionet e tyre, por realisht u bëjnë barrierë duke dhënë modelin e pasqyrimit të të vërtetave.
Për të përmbyllur vlerat e këtij libri do të përdor një thënie të publicistit të shquar, studiuesit dhe poetit Bedri Islami: Njohja me këtë libër i shërben lexuesve dhe shkruesve të historisë (shën. im) “për të shikuar më gjerë, për të ditur më shumë, për të gjykuar më qetësisht, për të analizuar më thellë, për të përcaktuar më saktë…” (Gazeta “Dita”, 24 dhjetor 2019, f. 7).
Ky libër është vlerësuar në nivelet e një enciklopedie nga kumtuesit gjatë promovimit; “një pasaportë e munguar e Tomorricës dhe e tomorricarëve”, vlerësim ky i huazuar nga Ismail Kadare për librin e studiuesit Mirditor, Gjon Marku, “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” (3 vëllime),(shën.im) që i shkon për shtat edhe librit “Krahina e Tomorricës”. Autorëve Elmas dhe Arben Guga u them: “U lumtë mendja e dora dhe sjellshi edhe vepra të tjera të arrira!”
(Mësues i gjuhës dhe i letërsisë)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.