KULTURË

GAZMEND BAKIU/ Për Tiranën që nuk është më, vila e gjeneralit e ish-kuestura

10:57 - 13.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Tirana dikur. Dy vila të bukura që prej kohësh s’janë më. Dhe sa të tjera mungojnë si këto…” Një postim i pak ditëve më parë në profilin e studiuesit Gazmend Bakiut më nxit të ‘përgjoj’ komentuesit që hedhin dritë mbi ‘përkatësinë’ e historinë e dy vilave që sot nuk janë më në këmbë. Vetë Bakiu shkruan se njëra prej tyre njihej si Kuestura dhe pastaj Muzeu Luftës te rruga ‘Mbretnore’. Aty sot gjenden 9-katshet dhe kjo të bën të kuptosh që vila u shemb gjatë komunizmit për të ndërtuar qytetin e ri socialist. Studiuesi Kastriot Dervishi shton edhe një të dhënë tjetër: diku pranë vilës, ka qenë një pllakë me yll të kuq këtu ku thuhej se shokët e njësitit të qarkorit të partisë kishin vrarë një “spiun” fashist. Ndërsa një banore e Tiranës së vjetër, flet për kujtime të largëta. “Pak a shumë përballë me muzeun e luftës ishte një farmaci, një punishte që qepte çorape të gjata nailoni për gra me gote kur i dilnin fije e pastaj reklamat e kinemave”. Në pak fjalë Tirana e kahershme ‘ringjallet’ në rrëfimet e tre njerëzve para një fotografie.




Një tjetër vilë e këndshme e hijerëndë që sot është nën themelet e një hoteli imponues, është vila e Xhemal Aranitasit, diku rrugës kur shkon te garda. I thoshin Vila e Gjeneralit. Për vila si këto dhe qytetin si ai i filmave, ëndrrave, kujtimeve, fotografive të kahershme, mes lindjes e perëndimit, Gazmend Bakiu ka botuar një libër. “Titulli ‘Tirana e vjetër’ përcakton territorin -Tiranën, dhe shtrirjen në kohë -nga antikiteti e deri në vitin 1945. Në fakt, mbiemrat ‘e re’ apo ‘e vjetër’ mbartin kuptim relativ, që ndryshon me kalimin e kohës, por sot dhe shumë vite më pas, përcaktimi i mësipërm besoj se do të jetë i vlefshëm. Për sa i takon territorit, ai është i kufizuar nga hapësira që zë rrethi i Tiranës, por kryesisht në vëmendje janë ndërtimet, monumentet dhe çdo gjë tjetër që ka lidhje me kryeqytetin tonë. Titulli mund të kishte qenë ndryshe: ‘Tirana e hijshme’, sepse ka qenë shumë i bukur qyteti ynë i moçëm”, thotë vetë autori i librit në krye të tij.
Libri është konceptuar njëkohësisht edhe si album, në mënyrë që Tirana e vjetër të bëhet më e perceptueshme dhe më konkrete. Në diçiturat e fotografive apo të kartolinave janë të shënuara, sipas rastit, emri i fotografit ose i botuesit; kur një shënim i tillë mungon, kjo tregon se autori nuk dihet. “Këto fotografi datojnë gjithnjë përpara vitit 1945, dhe thuajse 99% e tyre janë pjesë e koleksionit tim në karton”, vëren Bakiu. Botimi i tij që ka ardhur i riplotësuar në kuadër të 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, shënon dhe mbledh në një çdo gjë, që nga vendbanimet e para e deri te bibliotekat, muzetë, monumentet, bustet, ekspozita e parë e artit, lulishtet, hotelet dhe baret, kinematë. Nga Bar-kafe “Kursal” te kinematë “Nacional”, “Gloria”, ajo “Rozafat”, ndalet te çengitë dhe gratë publike dhe vjen te Kinema-teatër “Kosova” ku me rastin e 100-vjetorit u nderua nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”.

Vila e Xhemal  Aranitasit, diku pranë Gardës
Vila e Xhemal Aranitasit, diku pranë Gardës

NDERIMI NË TEATËR
Disa qindra intelektualë qytetarë të Tiranës, anëtarë të shoqatës Tirona Intellectum, Bashkësisë Dibrane dhe qëndrestarë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar festuan të martën në Teatrin Kombëtar, 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Në pjesën ceremoniale që i parapriu një simpoziumi historik, Presidenti i Republikës Ilir Meta shpërndau vlerësime për disa prej emrave më në zë të qytetit: kryetarin e parë të Bashkisë, Ismail Ndroqin, rilindasin e shquar Said Sermedin Toptani, humanisten e njohur Hatixhe Skënderi, këngëtaren simbol të këngës tiranase Hafsa Zyberi, atdhetarin dhe mësuesin e shquar Ethem Tabaku, si dhe studiuesin e historianin e njohur, Gazmend Bakiu.

Në mbyllje të simpoziumit, Mirela Bogdani, kryetare e Tirona Intellectum dhe drejtuese e këtij aktiviteti dhe regjisori Robert Budina nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, folën për qytetin e historinë.

Kuestura dhe pastaj Muzeu Luftës te rruga “Mbretnore”, aty ku sot janë  9-katëshet
Kuestura dhe pastaj Muzeu Luftës te rruga “Mbretnore”, aty ku sot janë 9-katëshet

Mirela Bogdani tha se “në 100-vjetorin e kryeqytetit, konstatoj që ne jemi minoritet. Por nuk është ky problem, sepse kur qyteti kthehet në metropol është e pritshme që të kalosh në minoritet. Problemi është tjetërsimi dhe katrahura që qyteti ka pësuar e pëson. Edhe pjesë fare e vogël historike që ka mbetur nga koha e arkitektëve italianë, edhe ajo po kafshohet pjesë pas pjese. Kjo është ajo që më vret. Prandaj kjo që po bëni ju është heroike, sepse Teatri që është një nga pjesët e qendrës historike, po ruhet më dhëmbë. Kështu që për mua jeni heronj”.

Mandej, regjisori Robert Budina shtoi se Tirana nuk është thjesht Tirana, është Shqipëria e ka pritur më të mirën e Shqipërisë. “Përveç kësaj, aktiviteti u zhvillua në ndërtesën e Teatrit Kombëtar, të cilën ne ia bëmë dhuratë Tiranës për 100-vjetorin, ndërkohë që vetë Teatri është 80 vjeç. Pse ia bëmë dhuratë? Sepse mund të ishte shembur. Ajo që është më e rëndësishme është fakti që me këtë protestë ne jo thjesht arritëm të mbrojmë Teatrin, por arritëm të formojmë qytetarin e denjë që kapërcen kufijtë e politikës dhe lufton për të drejtat e veta. Dhe kjo është arma më e mirë për t’u futur në Europë”, tha Budina. Ai theksoi se pa ndihmën e aktivistëve dhe qytetarëve që e kanë mbajtur Teatrin 24 orë në 24 për t’i dhënë një vlerë që ka çuditur edhe vetë Europën, nuk do të kishte ndodhur kjo mrekulli që ka ndodhur. “Pra, kjo kimia ndërmjet artistëve, artit që zbriti në jetë dhe sensibilizoi njerëzit, për këtë jam më i lumtur se për gjëra konkrete. Them që kjo kimi po funksionon dhe unë shpresoj që të mbetet si pasuri e protestës që vazhdon edhe kur çështjet të jenë normalizuar. Institucioni i së drejtës është shumë i rëndësishëm dhe mbase ky teatër, të gjithë bashkë do arrijmë ta mundësojmë atë. Ka shumë energji pozitive dhe për këtë jam i lumtur”,-e mbylli Budina.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.