AKTUALITET

Video/ Historia 46-vjeçare e dashurisë, dy bashkëshortët nga Korça rrëfejnë njohjen: Na duket sikur jemi martuar tani

17:13 - 14.02.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në ditën e të dashuruarve, emisioni me “Zemër të Hapur” në News24 ka sjellë një histori të rrallë dashurie. Këtë mëngjes, çifti Mustaka ka marrë rrugën nga qyteti i Korçës drejt Tiranës, me entuziazmin për të ndarë me shikuesit historinë e tyre të dashurisë.




“Ishte dashuri me shikim të parë”, rrëfen Vjollca, nëna e dy fëmijëve dhe gjyshe e nipave që i mbushin shtëpinë plot gëzim. Ishte viti 1974 ku televizori mungonte në shtëpinë e shqiptarëve, por kinemaja frekuentohej çdo ditë. Aty do të njihet çifti Mustaka, të cilët pëlqehen me impakt parë. Takohen disa herë dhe sapo marrin bekimin e familjes, martohen. Jetën e nisin në qytetin e Elbasanit, ku çifti gëzon kujtimet më të bukura të rinisë. Po ashtu, në këtë qytet ndërtuan folezën e dashurisë dhe krijuan miqësi të pastër. Ata janë prindër të dy fëmijëve të një djali 38 vjeç dhe një vajze 35 vjeçe, të cilët po ashtu janë të martuar dhe kanë ndërtuar familjet e tyre. Roberti thotë se ishte dashuri me shikim të parë me Vjollcën dhe i propozoi të martoheshin.

“Ishte dashuri me shikim të parë. Na bashkoi se ishim në një marrëdhënie pune, na afroi puna. Ishim ballë për ballë në punë. Unë i popozova”, tregon Roberti që është më i kursyer në fjalë por jo në vepra, të cilat i tregon gruaja e tij Vjollca.

 

Ajo thotë se kanë pasur mirëkuptim gjithë jetën e tyre dhe se Roberti ka qenë familjar shumë i rregullt.

“Roberti ishte më i guximshëm, më propozoi. Rastin e parë që u përshëndetëm në ndërmarrje më ndaloi më tregoi. më pas më tha qëllimet. Unë pranova. Familjet tona e pritën mirë, kur ua thamë pas disa muajsh. Nuk ka qenë kjo liri në atë kohë. Ka pasur bukurinë e vet dhe ajo kohë, sepse ka qenë më e pastër dashuria, më e çiltër. Kurse tani është liri e tepruar. Të parat që mësuan lidhjen time ishin motrat.

Kemi bërë një jetë të qetë dhe normale. Jemi mirëkuptuar, kemi pasur si çdo familje dhe debate por na ka lidhur dashuria njëherë. Kemi pasur një miqësi të zgjedhur. Berti ka qenë shumë familjar, i rregullt. I përkushtuar në familje, më ka suportuar shumë në familje. Ne vazhdojmë dhe në këtë moshë të dashuruar. Fëmijëve dhe të afërmve iu kam thënë që me Bertin tani jam martuar. Jeta ka qenë luftë. Berti është shumë duarartë.

Berti ka qenë më tolerant. Unë kam qenë më kërkuese, maniake në rregullimin e shtëpisë. Ne nuk kemi bërë ceremoni dasme. Kam jetuar 2 vite me prindërit e Bertit, ishin njerëz të mrekullueshëm. Më pas shkuam në Elbasan dhe kemi jetuar 15 vite. Në vitin 1990 u kthyem në Korçë. Fëmijët i lindëm në Elbasan”, tregoi Vjollca një pjesë të jetës së saj bazuar në mirëkuptimin mes saj dhe bashkëshortit.

 

Djali i tyre Artur Mustaka konfirmoi marrëdhënien e shkëlqyer të prindërve, të cilët ishin shembull për të dhe të motrën.

“Gjatë kohës që isha në pritje të komunikoja me ju, i dëgjova fjalët e nënës sime dhe u mallëngjeva jashtë mase. Unë kam marrë nga të dy por më shumë nga mami. Ata kanë pasur mirëkuptim gjithë jetën dhe ky është një shembull i mirë për mua. Besoj tek dashuria e përjetshme, nëse ajo dashuri është e pastër dhe e sinqertë”, tha Arturi.

Në përfundim, moderatorja e emisionit Evis Ahmeti i dhuroi çiftit një buqetë të madhe me lule në emër të stafit të emisionit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.