Sociale

Zgjedhjet në UT, ekspertja: Rregullorja asgjësoi mundësitë për përplasje

12:55 - 15.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në 8 maj të 2020 do të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës. Në intervistën për ‘Gazeta Shqiptare’, ekspertja e arsimit të lartë, Majlinda Keta sqaron se rregullorja e sapomiratuar asgjësoi mundësinë e lindjes së shkaqeve për përplasje mes autoriteteve drejtuese apo në Senat Akademik. Më tej Keta shton se mbyllja për kaq vite e shkollës doktoralë ka krijuar dhe do japë efektet e veta në sistem, në arsimin e lartë në mënyrë të veçantë por dhe për kërkim kualifikimin në atë parauniversitar.




Çfarë klime institucionale në këto 4 vite u krijua dhe krijuat ju të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në këto 4 vite të UT-së?
Vetëm me një ndryshim, që konfliktualitetin KIZ e ka patur me cilësitë e udhëheqësisë që prodhoi rektori i UT-së në fushën e marrëdhënieve dhe përgjegjësive që kishim secili nga për proceset e shumta zgjedhore, të plota dhe të pjesshme, në 4 vite. Më vjen keq të pohoj publikisht që rektori ka tentuar disa herë që të përfshijë KIZ në konfliktin e krijuar nga vetë ai mbi vendimmarrjet e 4 Asambleve të fakulteteve dhe autoriteteteve respektive drejtuese atje. Personalisht gjykoj se kanë qenë arbitrariteti i tij dhe mungesa e kulturës juridike si Kryetar Senati në proceset zgjedhore përkatëse ato që kanë dëmtuar marrëdhëniet tona institucionale. KIZ ka vepruar në bazë të vendimeve kolegjiale, të arsyetuara drejtuar vetë rektorit, ministres, Senatit dhe nga ana tjetër rektori që në mospëlqim të tyre nuk ka përdorur rrugën ligjore të apelimit të vendimit tonë (komision ky që e parashikon Ligji 80/2015 dhe është funksional në UT), por vijonte me shkresa ku kërcënoheshim e shkelej etika në komunikim mes një institucioni të zgjedhur nga Senato dhe Rektorit të dalë me votë. Sigurisht, ministria jo të detyronte shkresërisht rektorin të përdorte rrugën që përcaktonte ligji, por përfshihej në opinione dhe procedura komunikimi të habitshme ku nuk ishim as pjesë e adresimit si institucion dërgues i shkresës. Protokoll më të habitshëm mes KIZ dhe rektorit, mes KIZ dhe Ministrit nuk besoj se ka parë historia e institucionalizmit arsimor. KIZ edhe sot ende nuk ka një përgjigje shkresore se çfarë vendimi ka marrë Ministri ndaj tre kandidatëve konkurrues(, Llesh Lleshaj, Florian Binaj, Denata Toçe) për përfaqësues i studentëve për anëtar përfaqësues të studentëve në Bordin e administrimit të Universitetit të Tiranës sipas Paktit për Universitetit.

Sipas jush a është kjo një “lojë” me votën studentore, me procesin zgjedhor, me demokracinë zgjedhore në një universitet publik?
KIZ menaxhoi disa procese zgjedhore, dy të përgjithshme dhe shumë pjesore. Këto nuk patën asnjë kontesti në rezultat pasi bashkë me strukturat tona në njësitë kryesore(komisionet zgjedhore të fakulteteve) ne kemi qenë një skuadër, një frymë, një temp dhe të mbështetur nga stafet me pjesëmarrjen e tyre. Kemi vepruar të mbështetur totalisht nga Administratori i UT-së dhe i çdo fakulteti apo filiali. Marrëdhëniet tona me vëzhguesit e kandidatëve, me vëzhguesit nga Koalicioni Kombëtar i Vëzhguesve në Shqipëri, me Parlamentin Rinor pranë ambasadës amerikane i angazhuar në vëzhgim në disa zgjedhje tonat ka qenë i mrekullueshëm për cilësinë më të lartë të mundshme të procesit zgjedhor. Raportimet me ju të media kanë qenë një faktor që i kanë shtuar vlerën funksionimit tonë në dobi të transparencës dhe llogaridhënies publike. Ne krijuam profilin tonë publik si institucion zgjedhor duke justifikuar votën e senatorëve 2016. Produkti më i rëndësishëm në paketën e legjislacionit zgjedhor të UT-së është rregullorja e sapomiratuar nga Senati “Rregullore për zgjedhjet e autoriteteve drejtuese e Senatin Akademik të UT-së”. Duhej të ishte ndër të parat që duhej të hartohej por më mirë vonë se kurrë.

Në 8 maj 2020 pritet të zhvillohen zgjedhjet edhe në UT, ato për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik. A nuk do të ndikohen këto zgjedhje nga kjo frymë konfliktualiteti mes autoriteteve drejtuese aktuale?
Rregullorja e mësipërme përfundimisht i asgjësoi mundësinë e lindjes së shkaqeve për përplasje mes autoriteteve drejtuese apo në Senat Akademik dhe votimi me votat e shumicës së senatorëve pro draftit të KIZ dhe jo propozimeve të rektorit përmes relacionit të Drejtorisë Juridike në rektorat i vuri vulën e drejtësisë vendimeve të marra nga KIZ edhe në rastet e konfliktualitetit rektor / dekanë. rektor/ KIZ të bëra publike edhe nga ju. Miratimi i kësaj rregulloreje ligjëron vijimin e punës në Komisionet e Doktoraturave të ndërtuara në 4 fakultete(në atë juridik, ekonomik, gjuhët e huaja, shkenca sociale) dhe duke detyruar Senatin ekzistues të përshpejtojë procesin për krijimin e tyre tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Histori Filologjisë ku përvoja e KZF-ve është një aset zgjedhor për procese të lira, të drejta e të mirëpranuara nga palët. Kështu universiteti ynë përmbyll mbrojtjen e doktoraturave në proces dhe është i gatshëm për hapjen shkollës së doktoraturave, sipas profileve në fakultete, pas njoftimit të ministres për të. Mbyllja për kaq vite e shkollës doktorale ka krijuar dhe do japë efektet e veta në sistem, në arsimin e lartë në mënyrë të veçantë por dhe për kërkim kualifikimin në atë parauniversitar.

Pohuat se rregullorja e re e zgjedhjeve iu nënshtrua diskutimit dhe votimit në senatin aktual. Si e vlerësoni këtë përvojë?
Senati i UT-së ka një shkallë të lexueshme të demokracisë së tij të brendshme. Mbështetja për emërtesën që KIZ propozoi për këtë rregullore prodhoi frymën. Këtu filloi kontributi i parë i KIZ dhe pjesës mbështetëse në Senat për situatat konfliktuale që ju u referuat disa herë dhe që kanë cenuar jo pak reputacionin e UT-së në publik.. Në senatin tonë ka debat, ka “Pro”. ka “Kundër”, ka abstenim por kishte dhe “Asgjë”!!!!!. Ndërsa ka ngjyrë në pluaralizëm idesh nuk kuptova kurrë “Asgjë”, pa qëndrim por me përqendrim të shpërqendruar në dukje. Kjo nuk mund të jetë sjellje e një akademiku me titujt më të lartë dhe përfaqësues i votës së kolegëve në senat!!! E vetmja dispozitë e propozuar nga KIZ që u moderua në formulim nga propozimi i KIZ ishte ajo që ne vendosëm rishtazi për “Neutralitetin politik të kandidatit që nëse vinte nga përvoja në parti politike me të qenit anëtar i forumeve të larta të tyre i duhej të dorëhiqej”. Ajo nuk u rrëzua në qenie pjesë po u moderua në formulim për penalitetin që kërkoi KIZ. Më vjen keq që edhe vetë rektori i ardhur nga një histori e trishtë gjatë kandidimit ishte pjesë mbështetëse e këtij moderimi në të shkruar si dispozitë. Këtu debati, për mendimin tim personal benzinatën e kishte nga parti politike, përmes akademikëve që janë aktualisht në këto forume dhe nuk e pranojnë dot dorëheqjen nga pushteti që i siguron të qenit në këto forume edhe në akademizëm. Mendoj që individë të tillë i bëjnë dëm qenies autoritet drejtues apo të qenit anëtar i senatit akademik në çdo universitet publik.

A parashikohet në dispozita kandidimi i akademikëve jashtë UT-së?
Patjetër që PO dhe me standarde dokumentacioni të përcaktuara qartë për to.

Çfarë standardesh duhet të kishte për ju një kandidat për autoritet drejtues në UT?
Së pari, një kandidat që të qenit me tituj e grada të larta akademike dhe shkencore e ka në baraspeshë me integritetin e figurës, gjithë paketën e parashikuar nga rregullorja e re. Së dyti, me nivelin e lartë të kulturës juridike të ishte përfaqësuesi dhe avokati më i spikatur i interesave të akademizmit dhe kërkimit shkencor për kolegët dhe studentët e UT-së ndërsa prodhonte ide, platforma dhe frymë udhëheqësie kohezive. Së treti, në fushën që mbulon profesionalizmi dhe institucionalizimit të tij të jetë i shoqëruar me qëndrimin dhe zërin e vet publik në debate publike për universitetin si e mirë publike, si qendër edhe kërkimi shkencor, si mjedisi ku pedagogu duhet të trajtohet me dinjitet institucional dhe financiar. Së katërti, do të desha të ishte një kandidat që nga historia e Kampusit Universitar të UT-të të siguronte një SHTIM të infrastrukturës universitare dhe cilësive të jetës studentore në dobi të cilësisë së dijes akademike dhe kërkimit shkencor nga pedagogë e studentë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.