KULTURË

Shoqëria e hapur dhe politika kaotike shqiptare

12:06 - 16.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

MOIKOM ZEQO – (Toleranca dhe tirania e shumicës, marrëzitë e opozitës – shkatërrimi i funksionimit të institucioneve) – Meqenëse kam shkruar për keqkuptimin e ideve demokratike, për demokracinë e deformuar, dua t’i referohem një nga filozofëve më të mëdhenj, Karl Poperit, ndër ata që kanë sfiduar tezën “e vdekjes së filozofisë”.




Kjo nuk është aspak një formulë e skajshme dhe e  pafajshme.

Pragmatizmi ka spostuar librat, simbolet e studimit rigoroz, prirjet arsyetuese, apo dyshuese, domethënë gjithçka që përcakton klinikisht substancën e problematikës filozofike.

Ata që mohojnë filozofinë, vetëkuptohet që janë të mohuar prej saj.

Po kush ishte (është) Karl Poper?

Ç’përfaqëson Karl Poper-i?

Me origjinë austriake, i lindur në 1902, Karl Poper u bë një filozof i madh anglez dhe në 1945 në Londër, ai konsiderohej si një patriark i filozofisë.

Karl Poper ka synuar me vetëdije një pozicion specifik të neopozitivizmit, por me elementë të racionalizmit kritik, gjë që shpjegohet edhe me njohjen e tij të shumëfishtë dhe të pazakontë të dijeve dhe të shkencave ekzakte, fizike e përgjithësisht natyrore.

Karl Poper dallon tri botë: botën fizike (materien), botën përjetuese (vetëdijen), botën e ideve, teorive (si realitet objektiv), pranon pa dyshim materialitetin dhe objektivitetin parësor, duke mohuar metafizikën si anakronizëm mendor, kurse kriterin e verifikimin e përcakton nga pika e kundërt: kriteri i përgënjeshtrimit.

Kësisoj, Karl Poper kritikon esencializmin e filozofisë së shkencave, si dhe të tërë teoritë konvencionaliste, instrumentaliste, madje dhe pozitivistët klasikë, duke i reformuar parimet kryesore të pozitivizmit shkencor, sepse sipas Karl Poper “parimi i njohjes njerëzore mund të vërtetohet në kuptimin e mohimit të mitit dhe të ‘shndërrimit’ të tij në shkencë.

Karl Poper e mohon metodën induktive dhe e zëvendëson me deduksionin, kritikon ashpër aspekte të dyshimta të filozofisë sociale dhe sidomos metodën matematikore të të vëzhguarit të shkencave historike.

Mendimi i Poperit kundër shoqërive totalitare spikat.

Karl Poper kundërshton kuptimet “utopike”, duke vënë në dukje se “përpjekja për të krijuar qiell në tokë, prodhon përherë ferr”.

Ky deduksion është substancial për dështimin e komunizmit totalitar.

Karl Poper në 1945 boton kryeveprën e vet “The open society and its enemyes” (Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj) në dy vëllime.

Në këtë shtjellim pretencioz, në këtë suma-sumarum, filozofia shkrihet si sociologjia e antropoligjizuar, jepet si sens zhvillimi i ngadalshëm, një lloj katekizmi mendor për popujt si dhe një eksorcizëm – një antidot ndaj ideologjive ndarëse, kundërshtuese, përplasëse, përjashtuese.

Karl Poper ka synuar një universalitet të një kuptimi të ri të botës, ndonëse pa shpjeguar dot deri në fund dhe bindshëm kontradiktat e saj, ai bën një apel madhështor, por nuk i fatalizon historinë dhe idetë e ndryshme.

Karl Poper në tezën e Shoqërisë së Hapur, duke huazuar idetë e europianistëve të Konvergimit, duke hequr kufijtë politikë, që paraqiten edhe si kufij etnikë etj., si një Sen Simon i ri, flet për një të ardhme të përbashkët të bashkësisë joantagoniste të kombeve dhe të njerëzve.

Karl Poper ngrihet kundër teorive dhe praktikave që veçojnë njerëzit, mbifuqizojnë “in extremis” nacionalizmat, apo teoritë raciste, por edhe ato politike edhe vë në qendër të optikës filozofike, idenë e një bashkësie e një matrice antropologjike të përbashkët të Shoqërisë së Hapur.

Karl Poper me projektin e Shoqërisë së Hapur, realizon përvojat totalitare si edhe të ngujimit kufitar, duke i quajtur këto si Vrima e Zezë e Historisë.

Një marrëzi e instrumentalizuar, që të rikthen në të kaluarën dhe e bën edhe të tashmen, edhe të ardhmen thjesht një tautologji.

Demokracia autentike dhe demokracia alibike stimulojnë Karl Poper, që arsyeton rrugët dhe mundësitë e Shoqërisë së Hapur, duke thënë rregullat e një demokracie të ëndërruar, që ai e mbiquan Demokraci Autentike dhe jo një Demokraci Alibike, gjë që bën të mundur faktin që shoqëria civile, të bëhet dalëngadalë dhe përfundimisht më e plotfuqishme sesa vetë koncepti i vjetër i shtetit.

tan-3848164.jpg thumbnail_09_09_2ssss018_gsh-18 thumbnail_popper
<
>

Kjo mund të arrihet, sipas Karl Poper ndërmjet një sistemi institucionesh, pra nëpërmjet institucionalizimit të vetë institucioneve.

Këto teza të Karl Poper kanë një aktualitet të habitshëm dhe janë gati inkadeshente për realitetin, shoqërinë dhe demokracinë e brishtë shqiptare. Institucionet, kryevepra e demokracisë,

Sipas Karl Poper, krijimi i institucioneve është kryevepra madhështore e demokracisë, shumë më substanciale sesa qarkullimi i emrave të administratave, apo ciklimi i zgjedhjeve politike.

Çdo mazhorancë politike që nuk merr parasysh institucionet, bëhet një nga faktorët më negativë dhe shkatërrues të defaktorizimit të institucioneve.

Krijimi i çdo mazhorance të re nuk është domosdoshmërish një atu, për të rikompozuar çdo institucion sipas vizionit të fitimit të mandatit.

Kjo gjë absolutisht nuk është siç duhet nga mazhorancat politike në Shqipëri, sepse mazhorancat qoftë të PD-së, qoftë të PS-së, në këto 30 vite nuk kanë pasur aspak ndërgjegjshmërinë historike për institucionet demokratike, por kanë përcaktuar politikën dhe shoqërinë shqiptare sipas modelimeve të tyre të fitoreve politike.

Kuptimshmëria konvencionale e shumicës është një keqkuptim kolosal.

Të gjitha këto gjëra të alkimisë politike bëhen në emër të “shumicës”.

Po çfarë është kjo shumicë?

A është shumica elektorale, i tërë populli, e tërë shoqëria?

Nëse një elektorat fiton me diferencë të vogël në raport me elektoratin e opozitës, kjo quhet një shumicë konvencionale, madje një shumicë numerike, sesa programore.

Atëherë, kush ua jep targun liderëve të shumicave të përkohshme elektorale për të bërë ndryshime subjektivisht të njëanshme për tërë popullin dhe shoqërinë.

Ky keqkuptim i shumicës është ndoshta vatra apo matrica e marrëzive politike më të llahtarshme që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Shqipëri.

“Liderët” e shumicës, pavarësisht nga emërtimet apo etiketat e partive, kanë delirin për të përfaqësuar tërë popullin dhe shoqërinë.

Këtu qëndron arsyeja tragjike, që nuk merret parasysh asgjë nga elektorati i opozitës, duke bërë kështu që një elektorat të zotërojë, madje të dhunojë elektoratin tjetër.

Ky problem kaq i mprehtë dhe delikat është analizuar shkëlqyeshëm nga Karl Poper.

Karl Poper shkruan: “Demokracia nuk mund të karakterizohet e kryer vetëm si qeveri e shumicës. Edhe pse institucioni i zgjedhjeve të përgjithshme është i një rëndësie të veçantë.

Në fakt, një shumicë mund të qeverisë në mënyrë tiranike.

Në një demokraci, pushtetet e qeveritarëve duhet të kufizohen dhe kriteri i demokracisë është ky: Në një demokraci, qeveritarët, domethënë qeveria, duhet të hiqen prej pushtetit të shpërdoruar prej atyre që ata qeverisin, por pa derdhur gjak.

Pra, në qoftë se njerëzit në pushtet nuk ruajnë ato institucione që i sigurojnë pakicës mundësinë për të punuar, për një shndërrim paqësor të qeverisjes, atëherë kjo qeveri është një tirani.

Duhet të realizojmë, të zgjedhim vetëm mes dy formave të qeverisjes, domethënë midis asaj, që ka institucionet e demokracisë dhe asaj që ka institucionet e tiranisë.

Një kushtetutë demokratike, e qëndrueshme duhet të përjashtojë vetëm një tip të shndërrimit të sistemit legal, vetëm atë lloj ndërrimi, që rrezikon karakterin e tij demokratik”.

Përralla “Mbreti lakuriq” e Andersenit për Karl Poperin është tepër e qartë – ai e kujton përrallën e Andersenit “Mbreti lakuriq”, – kur djali i vogël tha të vërtetën e mbretit pa rroba, ndërsa shumica e sugjestionuar në alucinacione shihte rrobat më ceremoniale e të shkëlqyera në trupin e mbretit.

A nuk ndodh kështu edhe me politikanët tanë në Shqipëri?

A nuk janë shumicat e sugjestionuara në të dyja krahët që i shikojnë liderët e tyre jo lakuriq, kur ata janë në shumicën e rasteve lakuriq?

Djali i vogël ishte një, shumica janë të tjerët.

Por, e vërteta i takonte djalit të vogël.

Ky shembull parabolik tregon qartë sesi një shumicë parlamentare dhe politike që pretendon monopolin e së vërtetës dhe të gjithçkaje të jetë vetëm e sugjestionuar dhe të ndërmarrë veprime nga më të çuditshmet, nga më delirantet.

Filozofia politike e Karl Poper përshkohet nga humanizmi.

Filozofia politike e Karl Poper e rrëzon kultin e qeveritarëve dhe synon për të krijuar kushtet e një demokracie konceptuale.

Kushtetuta si substancë juridike nuk bie në kundërshtim me ekzistencialitetin e njeriut dhe kur njeriu nuk bëhet një posterior i politikës, por njeriu i referohet vetëm njeriut, duke bërë kështu humanizim të politikës dhe të historisë.

Karl Poper me këtë koncept të përparuar të demokracisë nuk mund të parapëlqehet, aq më tepër nga ana që preferojnë bajraktarizmin bjeshkëtar shqiptaro-ballkanik, si edhe totalitarizmin demokratist, apo rilindas.

Ky konfrontim e ballafaqim i ideve të Karl Poper me jetën e sotme politike shqiptare, do të çonte në mendimin se Karl Poper është një mendimtar i rrezikshëm, madje tepër i dëmshëm dhe heretik për pushtetarët e sotëm.

Për pushtetarët problematikë të ditës, opozita shqiptare është një koncept i përjashtuar, opozita nuk ka asnjëherë të drejtë sepse opozita nuk ka “shumicën”. Kështu,  dikur  mazhoranca  berishiane e PD-së, personalizonte gjithçka dhe mund të bënte gjithçka.

A nuk po bën kështu dhe maxhorancë rilindase?

Karl Poper ka thënë gjithashtu se një demokraci quhet e emancipuar jo kur respektohen të drejtat e shumicës, po në mënyrë të veçantë nga respektimi i të drejtave të opozitës.

Kjo tezë i alarmon politikanët shqiptarë, sepse botëkuptimi i tyre është paternalist, përjashtues dhe purist. Të drejtat e opozitës nuk mohohen, sado marrëzi të ketë bërë vetë opozita dhe “liderët” diletantë.

Të drejtat e opozitës atakohen me përbuzje të madhe, thua se elektorati i opozitës meriton gjithashtu përjashtimin dhe dënimin.

Në të vërtetë, pushtetarët dhe opozita janë shqiptarë, qytetarë të të njëjtit vend, të të njëjtit komb, ata përbëjnë shoqërinë e cila nuk mund të dualizohet në mënyrë absurde dhe pambarimisht.

Prandaj, sipas Karl Poper, kryeinstitucioni i Shoqërisë së Hapur, është toleranca.

Këtu nuk bëhet fjalë për tolerancën si një sjellje etike vetjake, si një kulturë të sjelluri në shoqëri, si një respekt formal dhe hipokrit, por për tolerancën konceptuale, në kuptimin filozofik politik dhe antropologjik, për tolerancën që bashkon dhe nuk ndan, që ndërthur dhe nuk përçan, për tolerancën që ndërton “së bashku” dhe nuk bën vetëvrasje “së bashku”.

Kundër postulatit “Kam gjithmonë të drejtë” Karl Poper polemizon me etatizimin e shoqërisë, si edhe me karakterin e privilegjuar të administratës së mazhorancës, që simbolizon te vetvetja postulatin “kam gjithmonë të drejtë”, duke manipuluar opinionin publik, duke rrafshuar mendimet debatuese dhe standardizuar në mënyrë të mjerueshme individin dhe shoqërinë.

Karl Poper shkruan: “Në qoftë se demokracia shkatërrohet, atëherë të gjitha të drejtat janë shkatërruar, madje edhe nëse ato arrijnë t’i mbajmë me disa avantazhe ‘të dhuruara’ prej qeveritarëve. Në raste të tilla, zgjidhja bëhet ndërmjet dorëheqjes”. “Demokracia ofron një fushë të çmueshme beteje për çdo reformë të arsyeshme. Por në qoftë se në këtë fushë lufte, mbrojtja e demokracisë nuk bëhet preokupacioni kryesor, tendencat e fshehta dhe të dhunshme antidemokratike (që i kuptojnë fare mirë ata pjesëtarë të shoqërisë që i vuajnë në kurriz), do ta shkatërrojnë demokracinë. Në këtë rast kur kjo ndodh, sepse kuptimi i koncepteve për këtë shoqëri të lirë, nuk është zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme, duhet lëvizur më shpejt për të nxitur përvetësimin e tyre. Një linjë politike e kundërt mund të rezultojë fatale. Ajo mund të sjellë si pasojë humbjen e betejës më të rëndësishme, domethënë të betejës për vetë demokracinë”. A nuk e keni vënë re sesi partitë dhe liderët e mazhorancave fituese sapo bëhen pushtetarë, nuk flasin më për demokracinë, por vetëm për mekanizmin administrativ?

Harrohen frazat e bukura dhe demokratike e pragmatizmi i pushtetit bymehet dhe bëhet instrument kërcënues, duke krijuar psikozën e frikës dhe të ndëshkimit. Këtu nuk bëhet fjalë për emra të caktuar, apo për figura të korrupsionit që bën kërdinë në Shqipëri dhe që për fat të keq, do të bëjë kërdinë edhe në të ardhmen.

Interesi për demokracinë e vërtetë zbehet dhe humbet, sepse burokracia administrative fetishizon vetveten dhe kështu administrata bëhet më e plotfuqishme sesa vetë institucionet e Parlamentit, Kryeministrit, të Presidentit, apo të institucioneve të tjera të pavarura të shtetit, si edhe të institucioneve të tjera që kanë status autonomie.

Pakica e shumicës gjithashtu funksionon.

Një pakicë e vogël e Njësh-it të Ekzekutivit, e stafit të tij të klonuar pyetet për gjithçka dhe përcakton në hollësi gjithçka në shoqëri, në institucione etj.

Kjo situatë e rëndë, përvijohet në ditët tona kur një pakicë e “shumicës”, nuk e pyet as vetë shumicën e saj.

Kjo shpjegon pse pakica e stafit ka një autoritet të papërballueshëm, kurse deputetët-përfaqësuesit e shumicës parlamentare nuk kanë gati asnjë autoritet, as kriticizëm dhe as kundërvënie ndaj pakicës së stafit.

Përvetësimi i ideve të drejta mund të materializojë një shoqëri të drejtë.

Me gjithë konvencionalitetin që mbart cilësimi i drejtësisë sociale, duhet të paraprijë ajo më e madhja dhe më supremja, drejtësia njerëzore.

Manipulimi bizantin i koncepteve të mbrapshta, gjoja demokratike është në kundërshtim vdekësor me shoqërinë e hapur të Karl Poper.

Mendimet e Karl Poper janë të gjalla dhe e bëjnë të mbijetojë sistemin arsyetues tek secili, ato bëjnë një katharsis mendor dhe shmangin kultin e marrëzive, të deformimeve konceptuale që po bëjnë kërdinë sot në shoqërinë dhe jetën kontradiktore shqiptare.

 

 

Karl Poper ka synuar një universalitet të një kuptimi të ri të botës, ndonëse pa shpjeguar dot deri në fund dhe bindshëm kontradiktat e saj, ai bën një apel madhështor, por nuk i fatalizon historinë dhe idetë e ndryshme.

Kundër postulatit “Kam gjithmonë të drejtë”, Karl Poper polemizon me etatizimin e shoqërisë, si edhe me karakterin e privilegjuar të administratës së mazhorancës, që simbolizon te vetvetja postulatin “kam gjithmonë të drejtë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.