OPINION

Tri parimet e Albinit, që u ngulën si gozhda në Mynih

07:20 - 16.02.20 Andi Bejtja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një video amatore me celular dje, nga Konferenca e Mynihut, na shfaqi një lider të vërtetë që edhe ata që nuk e donin, e dëgjonin me vëmendje: Albin Kurtin përpara një tavoline me ballkanas dhe perëndimorë, duke mbrojtur në fakt ato parime që i ka paraartikuluar me kohë.




Shumë shqiptarë andej dhe këndej kufirit, si rrallëherë panë një “stof” politikani tjetër nga ata që janë mësuar të shohin përditë, me dinjitet dhe plot me mendim e peshë e mbi të gjitha vizion.

Për sa i përket dialogut me Serbinë, për shumë politologë e gazetarë, pjesa më e vështirë në rrugëtimin e Albinit si kryeministër, ai foli për tri parime që ngelën si gozhda jo vetëm në atë sallë.

Albin Kurti tha: “Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta dhe jo harta me presidentë rreth tyre”.

Kisha kaq kohë që dëgjoja nga dashamirës dhe jodashamirës të tij kur thoshin: “Si do t’ia bëjë Albini kur ndonjë nga këshilltarët e Trump t’i vërë hartën e ndarjes së Kosovës në tavolinë e t’i thotë firmos?!”.

Kjo ishte një pyetje e vështirë, por dje e pamë që u bë një pyetje e lehtë: “Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta”. Nuk ka perëndimor e amerikan në botë ta kundërshtojë.

Dhe më tej, kur foli për taksën dhe riartikuloi tezën e reciprocitetit, zgjidhi sërish një pyetje të vështirë (në fakt e kishte zgjidhur me kokë).

Me të njëjtën lehtësi do të rrëzojë, në mos e ka rrëzuar edhe të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik”.

Me Albinin, pyetjet e vështira do të vazhdojnë të bëhen të lehta, sepse përgjigjet në këtë rast nuk i japin as kulisat, as intrigat, as pazaret, por parimet, që falë Zotit këtë herë artikulohen jo thjesht nga një lider patriot, por nga një lider me brumë, vizion e me një epërsi dijeje të dukshme më së paku në krahasim me liderët e tjerë të Ballkanit.

E mbani mend për shembull sa të vështira i kishte përgjigjet Presidenti Thaçi apo edhe gazetari Baton Haxhiu në studiot televizive?

Njëherë thoshin nuk është ndarje, është korrigjim; pastaj do të shkëmbejmë territor, por nuk ka ndarje; pastaj nuk ka ndarje në bazë etnike, është një muhabet tjetër; multietnicitetin do e ruajmë; nganjëherë thuhej që presidentin e kanë përkthyer keq nga anglishtja; pastaj dilte vizorja, njëherë 30 km brenda, një herë 30 km jashtë Mitrovicës e të tjera e të tjera si këto…

U, se harrova, a e mbani mend sa të vështirë e kishin t’i jepnin përgjigje pyetjes se, e kujt ka qenë ideja e ndarjes?! Sfilitje e vërtetë!

Përkundrazi, shikoni sa të lehtë e pati Albini dje, edhe pse rruga do të jetë më e gjatë.

“Syri.net”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.