KULTURË

Asgjë e re në Lindje

11:14 - 17.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Tri dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria nuk njeh asnjë gjyq për krimet e diktaturës, mësuesit shohin mangësi në librat shkollorë sa u takon atyre 50 viteve, të rinjtë nuk mësojnë të shkuarën e errët në shkolla, eshtrat e të zhdukurve nuk dihet ende ku janë, ish-hetues e gjyqtarë të kohës janë ende pjesë e sistemit të drejtësisë. Asgjë e re në Lindje! Tri dekada pas rënies së regjimit komunist në një mënyrë a në një tjetër, komunistë e kahershëm janë ende në domenin e tyre të paqes, ndërsa ish të përndjekurit përballen sërish me persekutuesit e dikurshëm nëpër zyra dhe me nderimet për persekutuesit e tyre në festa e ‘ahengje’ neokomuniste. Asgjë e re në Lindje. As paqe, as drejtësi. Jetët e shkuara dëm, familjet e shkatërrua, prindërit e ndarë nga fëmijët, çiftet që humbën njëri-tjetrin, vitet e internimit, urisë, ditët në teh të thikës, torturat, frika e vdekjes së përditshme, buka e thatë, shkelja e dinjitetit, paragjykimi, përçmimi, fyerjet publike u zeruan. Asgjë nuk mundi të ndodhë. Ata që qenë në pushtet mbrojtën njëri-tjetrin, ata që erdhën heshtën, ata që vuajtën nuk patën më fuqi, donin vetëm të harronin. Ata që folën, u bënë ‘të bezdisshëm’ se qenë po të njëjtat zëra që binin në veshë që oshëtinin në shkretëtirë. Zërave të tyre ju shtohen edhe zërat e studiuesve e konferencave shkencore, që flasin për të shkuarën për të ndërgjegjësuar e bërë me dije, por nuk kanë fuqi vendimmarrëse.




AJO QË NUK ËSHTË NË LIBRA, NUK KA NDODHUR
Në kuadër të Ditëve të Kujtesës, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS), organizoi konferencën ndërkombëtare “Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës”. Në 3 sesione me 15 kumtesa të ndryshme, konferenca solli në vëmendje trajtimin e historisë së sistemeve totalitare në arsimin para universitar ku ekspertë të huaj sollën edhe ekspertizë me shembuj nga Gjermania e Polonia.
Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole theksoi se, duke parë mangësitë që shfaqeshin, që prej vitit 2014, Instituti ka synuar përmirësimi i kurrikulës duke zhvilluar konsultime, trajnime, konferenca, botime dhe vizita studimore me mësuesit. Ajo tha se gjërat kanë ndryshuar, por që në një anketim me rreth 300 mësues historie, realizuar së fundmi nga IDMC dhe Shoqata Kombëtare të Mësuesve të Historisë së Shqipërisë (ALBNA), nxori në pah se problemet kryesore vazhdojnë të mbeten.

“Rreth tre të katërtat e mësuesve u shprehën se ndjejnë mangësi në kurrikulën mësimore për sa i përket trajtimit të historisë së diktaturës. Kjo tregon se problemet mbeten. Ndaj IDMC po punon për të sjellë botimin e tretë të “Komunizmi përmes dokumenteve arkivore”, të mundësojë më tepër trajnime dhe mbledhje të dëshmive të ish-të përndjekurve, në mënyrë që nxënësit ta kenë më të plotë informacionin që ata do të mund të marrin në shkolla” – tha drejtoresha e IDMC, Godole. Przemyslaë Gasztold nga Instituti i Kujtesës Kombëtare në Poloni solli përvojën polake. Tregoi se nën moton “Historia jonë krijon identitetin tone” Instituti polak, merrte përsipër punë kolosale. 2,500 punonjës merren me lustracionin, hulumtimin dhe denoncimin e krimeve të komunizmit, e prej 20 vitesh edhe me edukimin, pasi boton vazhdimisht tekste dhe buletine me informacione, të cilat merren në shqyrtim nga kurrikula e arsimit parauniversitar.
Kreu i shoqatës gjermane të mësuesve të historisë, Ulrich Bongertmann, tregoi përvojën e hasur në Gjermani. Pas rrëzimit të murit dhe bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, Bongertmann tregoi se në fillim kurrikula e arsimit para universitar e ish-lindjes komuniste mori gjithë pjesën e pas vitit 1945 nga ajo e perëndimit. Më pas disa rajone ndryshuan qasje dhe aplikuan këndvështrime të ndryshme më të zgjeruara në disa tema duke krijuar një kurrikul shumë të ndryshme për lande të ndryshme. Mandej, ekspertja e kurrikulës, Fatmiroshe Xhemalaj tregoi historikun e ndryshimeve të librit të historisë në arsimin parauniversitar pas vitit 1990. Ajo tha se deri në vitin 2005, ndryshimet janë diktuar kryesisht nga ndërhyrjet politike. Ndërsa vlerësoi si pozitive caktimin e rreth 12 orëve mësimore, Xhemalaj u shpreh se “periudha komuniste nuk është e shkuar, por e tashme, sepse ajo mbetet pengesë në pajtimin e shoqërisë, në proceset integruese brenda vendit por dhe në Evropë, gjë për të cilën nevojitet një edukim shumë herë më i mirë”.

Çelo Hoxha, drejtor i Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) e përqendroi diskutimin te shpjegimi i mangët i koncepteve të diktaturës. Ai tha se në kurikulën shkollore, nxënësve u duhet mësuar e vërteta e koncepteve si puna vullnetare, prona socialiste, kooperativa etj. Koncepte të tilla “nuk ishin të vërteta” sepse “puna vullnetare ishte me detyrim, prona socialiste nuk ishte e askujt, në kooperativa fshatari nuk zotëronte asgjë”. Drejtori i ISKK tha se vetëm shpjegimi i saktë i koncepteve mund të sjellë dhe edukim më cilësor.
Kumtesa të tjera mbajtën historiani Petrit Nathanaili, pedagogia Justina Dhimitri, drejtoresha e ALBNA Vojsava Kumbulla, studiuesi Myrteza Sharra, shkrimtarja Alma Liço, eksperti nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit Skënder Vrioni, mësuesi Nuredin Nazarko, por dhe gjimnazistja Kristina Shahinaj.
Në fund të konferencës, drejtuesja e IDMC Jonila Godole u shpreh se diskutimet do të përmblidhen në një botim në mënyrë që autoritetet të jenë nën trysni për ta përmirësuar kurrikulën.

ASNJË GJYQ, ASNJË FAJTOR
Gjatë ditëve të kujtesës në Tiranë u çel edhe ekspozita për totalitarizmin në Europë. Mes 28 posterave të vendosur për secilin vend, Shqipëria rreshtohet mes 14 vendeve që kanë përjetuar fashizëm, nazizëm ose komunizëm dhe ku ka pasur krime ndaj njerëzimit. Në fund të çdo posteri të vendosur në ekspozitë tregohej numri i gjyqeve pas rënies së sistemit, personat përgjegjës për këtë, dhe numri i proceseve gjyqësore. Jonila Godole, drejtuese e IDMC-së tha se në fund të posterit të Shqipërisë numri i shënuar është 0, pra në Shqipëri nuk ka asnjë ndjekje penale dhe asnjë gjyq të hapur pas rënies së regjimit, por në mungesë të burimeve shifrat e vendosura në fund të posterave janë të gjitha të diskutueshme. “Ne prezantohemi në këtë mënyrë, por do të do të ishte mjaft interesante dhe mjaft e rëndësishme për publikun shqiptar të kalonin dhe ta shihnin, në mënyrë që të bëjnë krahasimin midis Shqipërisë dhe Rumanisë, Polonisë, Republikës Çeke dhe vendeve të tjera që kanë kaluar të njëjtin regjim si ne”, tha ajo.

Të pranishëm në hapjen e Ditëve të Kujtesës ishin shkrimtarja Alma Liço, studiuesit Idrit Idrizi, Paul Lendvai, £ukasz Kamiñski dhe Jörg Baberoëski. Shkrimtarja Liço tregoi për përndjekjen e familjes së saj përjashtimin nga shkolla dhe internimin, ndërsa publicisti austriak Lendvai analizoi më tej se fatura më e shtrenjtë e totalitarizmit ishte tradhtia e intelektualëve, të cilët heshtën duke e mbytur më shumë shoqërinë nën terror. Ai tha se “intelektualët duhet të ngriheshin dhe duhet të ngrihen edhe sot, kur represioni më keq i trashëguar nga regjimet totalitare është represioni që dikton korrupsioni”. Lendvai theksoi se problem nuk mbetet e ardhmja më shumë se sa fakti që nuk thuhet e vërteta për të shkuarën, problem që ai tha se e shihte edhe në Shqipëri.
Studiuesi polak Kamiñski tregoi rreth përndjekjeve dhe ekzekutimeve në Poloni, ndërsa më tej historianë dhe ish-të përndjekur të cilët ndoqën aktivitetin i pyetën ekspertët rreth ngjashmërive apo ndryshimeve mes totalitarizmit shqiptar me ato që u ngritën në Evropë. Nga edicioni i parë i Ditëve të Kujtesës në vitin 2015, Godole tha se situata nuk ka ndryshuar shumë, pasi ish-të përndjekurit nuk kanë ende një memorial, e shkuara vazhdon të jetë e trajtuar me mangësi në tekstet shkollore ndërsa shoqëria mbetet pak e ndërgjegjësuar. Godole sidoqoftë vlerësoi punën e bërë ndër vite, sidomos me të rinjtë në vizitat studimore dhe konkurset. Kjo u vlerësua edhe nga Drejtori i KAS Tobias Ruettershoff, i cili tha se “projekti Ditët e Kujtesës do të vazhdojë pasi për shkak të mungesës së sensibilizimit rrezikon që të rinjtë të dinë më pak rreth së shkuarës dhe pa njohur të shkuarën nuk mund të ketë të ardhme”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.