OPINION

Pjetër Budi, një ngjizje e plotfuqishme e shqiptarizmit me krishtërimin

07:30 - 17.02.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rreth 4 shekuj më parë, ndodhi një skenë tmerri, si në filmat horror: mbytja në Drin, një mbytje e pakuptimte dhe krejt e dyshimte, e një heroi të veprimit dhe mendimit kombëtar, Pjetër Budit. Kapërcehet kështu rasti alibik i aksidentit, po të kemi parasysh hetimet e pasvdekjes të Vatikanit si dhe faktin ngulmues dhe gati kryengritës të Budit, i cili fare pak kohë para vdekjes kishte bërë Kuvendin e Tri Dioqezave (Shkodrës, Lezhës, Zadrimës), për mospranimin e klerikëve që nuk ishin etnikisht shqiptarë, pikërisht në trojet shqiptare. “Pra, synohej një lloj autoqefalie e aspektit etnik, ndonëse jo e kuptuar si shkëputje e karakterit juridik administrativ, por gjithsesi një përpjekje e parë në histori për një kishë shqiptare brenda kishës ndërkombëtare. Me këtë përmasë, Budi shfaqet si një nga vullnetet më të mëdha, një figurë e fuqishme e kulturës kombëtare shqiptare, që përjeton një shkëlqim të ri përtej vdekjes. Na dallgëzon Drinin e gjakut në trupin e kombit. Na dritëson që nga brenda, si një njeri politik, nisur nga statusi i tij i trazuar dhe krenar si: Homo ethnicus, por edhe si homo poeticus. Ai ishte një ngjizje e plotfuqishme e shqiptarizmit me krishtërimin duke kombinuar kështu personalitetin politik me një trimëri dhe guxim krejt të rrallë.




Në këtë kuptim, mendimi i humanistëve shqiptarë të cilit ai i bëhet nisje, nuk mund të ishte ndryshe veçse një mendim “heroik”, që ndërlidh gjendjen e mjerueshme të shpirtit dhe psikikës shqiptare, në një kohë kur kultura e kombit dhe gjuha e tij lypnin vetëm qëndresë, të shndërruara kështu në një kundër-kulturë ndaj kulturës osmane. “Në terrin e pushtimit osman, në mes të një errësire luçiferrike, kjo mendje e panënshtruar dhe pasionante, nuk tutet të bëjë projekte ambicioze ndërballkanike, për çlirimin e trojeve shqiptare, ku veprimin e organizuar luftarak ndaj pushtuesve në Shqipëri e sheh të ndërlidhur, ose bazë të ardhmërisë, sepse Shqipëria qe “tiranneggiate piu che mai” (“e shtypur ku nuk vete më”), ndonëse bukuria e mëmëdheut të Budit është e do të jetë “Come un Paradiso terreste” (“Si një Parajsë tokësore”), figurë kjo metaforike, e lirë për fantazinë e një teologu, që nuk i lejohet të ngatërrojë vendndodhjen e Parajsës .

Për Budin feja katolike, në përgjithësi krishtërimi krijonte një modus vivendi për çlirimin e Shqipërisë në atë masë që edhe shqiptarët e tjerë jokatolikë, madje të islamizuar (Budi përmend bile disa njerëz të afërm të familjes së tij, që ishin islamizuar), të dëshironin dhe të vepronin për çlirimin kombëtar, duke u vënë kështu konkretisht çështja kombëtare mbi fetë. Por ajo për të cilën ai do të mbetet si i pari i madh i gjuhës shqipe, e në këtë kuptim një Adam, është fillesa e barokut kishtar shqiptar, pjesë origjinale e barokut fetar evropian, tipik për shek. XVII. Nga Budi ruajmë 3139 vargje, që përbëjnë në vetvete një krijimtari poetike, që stilistët janë munduar ta klasifikojnë midis zhanrit të eposit dhe zhanrit të poemës. Me të vërtetë kjo poetikë e Budit nuk është një epos, ashtu siç është më shumë se sa nocioni i poemës, prandaj është më e drejtë të klasifikohet në zhanrin e stilit barok.

Në fakt, nuk është çështje zhanri apo saktësimi stilistik se sa është një çështje origjinale e krijimit të letërsisë shqipe në kuadrin e kulturës së barokut në krejt shek. XVII. Kultura e barokut evropian lidhet me Kundër-reformën dhe përtëritjen e kishës, por jo pa ndikime iluministe të veçanta. Kjo letërsi, nuk i vë në pah përjetimet intime të individit, por në frymëzimin e formën e saj e bën jetën e tij një festë të dyfishtë, ku njerëzorja njësohet me hyjnoren, ku krijimi sublim i të vërtetave themelore i nënshtrohet racionalizmit të rregullit hyjnor, që në pikëpamjen hierarkike i ngjason piramidës, në majën e së cilës qëndron Zoti. Kjo e bën kulturën baroke me theks patetik, të bazuar në kundërvënien ndërmjet përjetësisë së përtej-varrit dhe kalueshmërise njerëzore, ndërmjet njeriut dhe mosekzistencës së tij, mes të mirës dhe të keqes, sipas nje teksti rrëfimor shumëplanësh me pamje te qarta dhe kuptime të pafundme. Ndërsa baroku evropian, p.sh. ai gjerman, u mbështet në vargun aleksandrin madje edhe në arketipin virgjilian, poezia budiane e barokut shqiptar u mbështet në vargun 8 rrokësh të poezisë mesjetare shqiptare, duke kultivuar individualisht një traditë paraardhëse shpirtërore dhe etnike popullore. Kuptohet, që krijimtaria e Budit, por edhe e Bogdanit kanë lindur në përplasjen kolosale, të përflakur dhe të egër midis reformacionit dhe kundër-reformacionit në Evropë.

Midis tyre realiteti shqiptar kërkon të ringjallet intelektualisht, ndonëse në një popull të paarsimuar dhe në një mjerim këlthitës. Në këto rrethana paradoksale të historisë, të kundërthënieve nga më të habitshmet, çuditërisht u krijua dhe shpërtheu mendimi i humanizmit shqiptar, që është krejt origjinal në krahasim me të tjerët e këtij lloji, një humanizëm i shkallës së dytë, nëse konsiderojmë se i  shkallës së parë është humanizmi latino-arbëror i viteve ‘400 dhe ‘500.

Po përse vallë mund të shprehemi kështu? Mendimi i Budit, në vetvete, nuk është diçka e vetme, por e shumëanëshme, është rrëfim poetik, është kronologji biblike, kishë, universitet, legjendë, me një fjale jeta kulturore e sintetizuar.
Eshtë tepër interesant të analizosh rrëfimin budian, që shtjellon temat biblike të njohura. Si dikur Homeri i lutej Muzës që ta ndihmonte në artin e tij, Budi i lutet Shën Mërisë, që ta ndihmojë të përfundojë veprën. Për Budin “virtutet alegorikisht janë si “Zana” dhe “Ora”, kurse veset janë “sakatosje”, “përbindesha të neveritshëm”. Lufta midis tyre është titanike. Budi është mendimtar i vizionit të skajshëm apokaliptik, sepse ai beson në ndëshkimin e së keqes deri në fund, sipas strukturës së mendimit dantesk”.   Madje Danteja është një model mendor për Budin, i cili jo rastësisht, siç vë në dukje për herë të parë studiuesi Zeqirja Neziri, zotëron  një status të trefishtë të rrëfimtarit, çka të kujton strukturën trefishe formale të kryeveprës danteske. Budi është gjithashtu autori i parë, që fut fiksionin si një komponent legjitim të zhanrit, mbi rrëfimin e paracaktuar biblik. Për herë të parë do të qe Zef Skiroi, i cili duke analizuar poezinë e Budit dhe duke e përngjasuar atë me Parajsën e humbur të Milton-it, do të shprehte mendimin se ashtu si Milton-i stigmatizon figurën e urryer te Stjuartëve, ashtu dhe Budi urren dhe godet figurën e pushtuesve osmanë pa asnjë kompromis, duke kaluar nga teologjia në historinë konkrete. Të rrëqeth vajtimi i Shën Mërise kur sheh Krishtin të vdekur, vajtim që mund të shkatërrojë ekuilibrin e botës, të rrëzojë malet dhe, që të kujton vajtimin popullor shqiptar të Ajkunës në eposin tonë të Veriut. Vaji i Shën Merisë në Këngën X të Budit, mund të krahasohet me vjershën Vaji i Zonjës (Pianto della Madonna) të Jakopone Da Todi (1230-1306), poet i famshëm italian para Dantes   siç e ka përcaktuar studiuesi Neziri.

Për Budin mëkati është shkatërrimi i botës, kurse virtyti rindërtimi i botës. Midis tyre është ndërtuar tërë kozmologjia në rrafshin filozofik, sipas një koncepti neoplatonist të universit dhe vetëm në këto kushte tretet universalja me vetjaken. Përzënia nga Parajsa e Adamit dhe Evës është një metaforë e Ferrit, kurse rebelimi ndaj së keqes dhe ndëshkimi ferror është një metaforë e Parajsës. Kështu mbyllet qarku dhe në këtë qark të mbyllur shndrin fantazia dhe shpirti i Budit me një dritë të veçantë, për të cilën na vjen të kujtojmë vargun e famshëm të Lukrecit: “Vitae Lampada tradu” (“Ja kalojmë njëri-tjetrit pishtarin e jetës”). Budi është jo vetëm Adami, njeriu i natyrës tokësore, por është edhe Krishti, që është Adami i natyrës hyjnore, që përjetoi në vetvete natyrën adamike tokësore.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.