Sociale

Plani për 2020, nis miratimi i pensionit minimal për të moshuarit

13:23 - 17.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej vitit 2020-të ka nisur procesi i miratimit të pensionit minimal, përfitues të së cilit do të jenë të gjithë të moshuarit në mbarë vendin. Gjithashtu, brenda 5 vitesh parashikohet që 10 mijë pensionistë të përfitojnë një rritje pensioni me 5% për çdo vit deri në 2025-ën. Për të përmirësuar dhe lehtësuar jetën e kësaj kategorie, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përgatitur Planin Kombëtar të Veprimit mbi Moshimin. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot planin. Rritja e pensioneve “Reforma e pensioneve, e miratuar në vitin 2014, është me rëndësi të veçantë për grupin e targetuar. Kjo reformë merr në konsideratë moshimin e popullatës shqiptare, gjë që ndikon si tek personat që janë mbi 65 vjeç, ashtu edhe tek ata që janë ende më të rinj. Harmonizimi i sistemit të pensioneve, rritja e moshës së pensionit dhe e viteve të kontributit, si dhe futja e pensioneve sociale shërbejnë si bazë për stabilizimin e kontratës ndërmjet brezave në të ardhmen, ndërsa përgatisin shoqërinë për rritjen graduale të të moshuarve të mbetur jashtë sistemit”, – thuhet në draft.




Deri në vitin 2025 pritet që të bëhet miratimi i pensionit minimal. Kështu, për realizimin e këtij procesi do të ngrihet një grup ndërinstitucional dhe do të caktohen përgjegjësitë dhe metodologjia për përllogaritjen e vazhdueshme të pensionit minimal. Më tej miratimi ligjor i pensionit minimal do të bëhet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave. Një tjetër objektiv kryesor në Planin Kombëtar të Veprimit mbi Moshimin është edhe përshtatja graduale brenda 5 viteve e pensioneve të ulëta, me pensionin minimal. Ky proces do të shoqërojë forcimin gradual të të gjithë sistemit të pensioneve. Treguesi kryesor për zbatimin e këtij objektivi do të jetë rritja me rreth 5% çdo vit për 5 vite e 10,000 pensioneve të ulëta. Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme në draft është edhe intensifikimi i informimit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbi pensionet sociale, me synim uljen e numrit të atyre që nuk e përfitojnë atë thjesht për arsye informimi dhe burokracie. Brenda vitit 2025, pritet që rreth 5 mijë të moshuar shumë të varfër të informohen më mirë mbi mundësitë e pensioneve sociale. “Aktualisht në vendin tonë ka rreth 400,000 të moshuar në Shqipëri, që përbëjnë 14 për qind të popullsisë totale. Rreth 60 për qind e tyre jetojnë në zona të izoluara. Të moshuarit që jetojnë vetëm ose në varfëri, gjë e cila në ndërveprim me barriera të ndryshme (si kushte të veçanta shëndetësore ose infrastruktura e dobët) pengon pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në shoqëri. Vlen të evidentohet se sistemi i shërbimeve sociale si në drejtim të funksionimit, ashtu edhe në drejtim të aksesit të qytetarëve ka shënuar arritje të konsiderueshme, kryesisht në sajë të bashkëpunimit efektiv të strukturave të shtetit me OJF. Në sajë të këtij bashkëpunimi janë zhvilluar shërbime me bazë komunitare, të cilat mbështesin familje dhe individë në nevojë. Megjithatë, në tërësinë e shërbimeve sociale, shërbimet shëndetësore dhe sociale për të moshuarit janë më kritiket”, – theksohet në draft.

Reforma e 2014-ës
Në Planin Kombëtar të Veprimit mbi Moshimin thuhet se problemi më kritik i moshës së tretë është varfëria ekonomike, e shkaktuar nga mungesa ose pamjaftueshmëria e të ardhurave. “Pavarësisht reformimit të skemës së pensioneve, sistemi përballet me sfida të lidhura me demografinë dhe ekonominë. Raporti i vartësisë së moshimit pothuaj u dyfishua nga 8.6% në vitin 1989 në 16.7% në vitin 2011. Në vitin 2030, ky raport do të jetë dyfishuar sërish për të arritur në nivelin 32.9%.Reforma e pensioneve, e miratuar në vitin 2014, është me rëndësi të veçantë për grupin e targetuar. Kjo reformë merr në konsideratë moshimin e popullatës shqiptare, gjë që ndikon si tek personat që janë mbi 65 vjeç, ashtu edhe ata që janë ende më të rinj. Harmonizimi i sistemit të pensioneve, rritja e moshës së pensionit dhe e viteve të kontributit, si dhe futja e pensioneve sociale shërbejnë si bazë për stabilizimin e kontratës ndërmjet brezave në të ardhmen, ndërsa përgatisin shoqërinë për rritjen graduale të të moshuarve të mbetur jashtë sistemit”, – bëhet me dije në Planin Kombëtar të Veprimit mbi Moshimin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.