BLUETOOTH

Një buqetë për të gëzuar fëmijët e jetimores Shkodër, Suela Brahimllari zbulon se si i realizoi 4 koleksionet, gjyshet në sfilatë

10:52 - 18.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Një sfilatë mes ngjyrash dhe xixëllimash. Për herë të parë në Shqipëri realizohen katër koleksione të punuara në detaje, që veshin shpirtrat dhe trupat e të vegjëlve dhe të rriturve. Një mbrëmje, që bëri bashkë figura të njohura publike dhe që ngjalli emocione të paharruara. Nën prezantimin e dy fëmijëve me aftësi të veçanta, në pasarelë kaluar ndër të tjera Eni Jani, Orgesa Zaimi si dhe Aulona Musta bashkë me të voglat e tyre, duke ndarë me të pranishmit momentet që do të ngelen gjatë në kujtesë. “Buqetë gëzimi”, ishte koleksioni që Suela Brahimllari dhuroi për fëmijët e jetimores së Shkodrës. Vogëlushët mes lumturisë, që duket se arrinte qiejt, sfiluan të veshur me to. Kur sfilata sa vinte e bëhej më interesante, në skenë u ngjitën modelet e vogla, për të sjellë koleksionin e mbretëreshave shqiptare e për të mbërritur te princeshë Elia, që e ndoqi nga afër magjinë e asaj sfilate. Surpriza që kishte përgatitur “Bel Eve” ishte dhe sfilata e gjysheve me nipërit, që transmetoi mesazhin e dashurisë së pakushtëzuar. Duartrokitje dhe emocione për punën e jashtëzakonshme të Suelës, e cila përmes “Gazeta shqiptare” rrëfehet për të thënat dhe të pathënat e asaj nate, që mund të themi me siguri se është dokumentuar në faqet e historisë.




Një sfilatë që vesh trupin dhe shpirtin, kështu e keni quajtur. Si erdhi ngacmimi për të sjellë 4 koleksionet që kaluan në pasarelë?
Në fakt, këto fjalë janë të skenaristes Elona Jacellari, e cila tek më dëgjonte që flisja me aq dashuri shkroi këtë shprehje. Koleksionet unë i kam bërë në kohë të ndryshme duke filluar që para 1 viti e gjysmë me koleksionin e Princeshave. U frymëzova të krijoja një koleksion për princesha dhe madje çdo fustani i vura emër Princeshe dhe të Mbretëreshave të Shqipërisë. Koleksioni “Buqeta e gëzimit”, ia kam kushtuar të vegjëlve të shtëpisë së fëmijës Shkodër. Nëse i sheh ata janë si buqeta me lule, sepse këtë ndjesi më dhanë fëmijët kur i takova për herë të parë. Koleksioni Nënë e bijë është një nga tendencat e fundit të mamave, që kanë dëshirë të vishen njëlloj me vogëlushet e tyre, nëpër festat e tyre. Sa i përket koleksioni të fundit, dua të them që jam frymëzuar nga kohët kur isha e vogël. Ne vishnim fustane të thjeshta me dantella, copa të pambukta dhe kapele, ndaj të gjitha ishin të shoqëruara me kapele ose shami.

86352335_212547650146026_5070592287478644736_n 86389153_1165639500311250_8959953235800489984_n 86665337_726012467805789_3136613941958934528_n 86723328_206829237178460_7176343769782943744_n 87061808_4169869203039343_6229751025197121536_n 87150933_208540090331129_2960011251888947200_n 87062546_1091360407922885_8956799660358369280_n
<
>

Është bërë traditë që çdo vit të gjeni diçka të bukur për t’u rikthyer. Sivjet koleksionin “Buqetë gëzimi” ia dhuruat jetimores Shkodër. Prej sa kohësh e kishit menduar?
Prej 6 muajsh. Kur vendosa që t’i merrja edhe ata në pasarelë shkova dhe i takova nga afër në Shkodër. Ata ishin aq të lidhur me njëri-tjetrin, merrnin leje nga secili atje, sa në ato momente m’u dukën si buqetë lulesh, ndaj e kam quajtur “Buqeta e gëzimit”. Fustanet janë krijuar sipas ngjyrave të tyre të preferuar, dhe vendosa t’jua dhuroj atyre, pasi çdo fëmijë kur ka një veshje të re, fle një javë me atë veshje, gëzon dhe luan. Fundja edhe ata janë fëmijë si gjithë të tjerët.
Në pasarelë kaluan Eni Jani, Orgesa Zaimi dhe Aulona Musta me të voglat e tyre. Çfarë impresionesh ndanë me ju në prapaskenë?
Të tria ishin të lumtura dhe mirënjohëse sepse të voglat e tyre Amara, Ajri dhe Bora u kënaqën shumë. Madje më thanë: Na merr prapë. Jam e lumtur për të tria mamat e tyre, jo vetëm se janë personazhe, e artiste, por se treguan një dashuri e thjeshtësi në prapaskenë edhe me fëmijët e tjerë. Jam e lumtur që i pata pjesë të sfilatës.

Ngjitët në sfilatë të gjitha mbretëreshat shqiptare, për të mbërritur pastaj te priceshë Elia, e cila ishte prezente mbrëmjen e sfilatës. U vunë re një sërë detajesh në fustanet e vogëlusheve. Me çfarë materialesh punuat më tepër?
Koleksioni i princeshave është koleksioni me i kushtueshëm që kam bërë ndonjëherë. Të gjitha copat janë dantella dhe janë mjaft të kushtueshme. Secili fustan është i shoqëruar me një kapele ose rreth të punuar me dorë e perla. Të gjithë fustanet kanë të punuar me dorë lulet, të vendosura nëpër fustan në mënyrë që të duken si kopshte lulesh mbretërore.

Koleksionin e fundit ia kishit dedikuar gjysheve dhe nipërve. Katerina Zoto ishte një nga bashkëpunëtoret tuaja. Sa e vështirë ishte të guxoje me gjyshet?
Mendoja se do të ishte e vështirë, por kur po pranonin të gjitha një nga një m’u bë qejfi dhe ma bënë punën më të lehtë, ja propozova edhe Katerinës që të bënim një bashkëpunim. Ajo pranoi me entuziazëm sikur kishte kohë që po e priste. Kështu, doli një bashkëpunim i shkëlqyer dhe mbi të gjitha është sfilatë që do të mbahet mend gjatë, pasi asnjëherë nuk i kemi parë gjyshet të ngjiten në skenë.

Urimi më i veçantë për mua ishin drita e shkëlqimit në sytë e vogëlushëve, që më përqafonin herë pas here dhe më falënderonin. Leo dhe Elona po ashtu, të cilët prezantuan dhe u ndjenë kaq mirë, a ka urim më të sinqertë?
Natën e sfilatës u shprehe se kishe një ide për sfilatën tjetër. Kur keni menduar ta realizoni atë?
Sigurisht vitin tjetër sepse më duhet një vit të mbledh energjitë. Unë idetë i shënoj në një ditar, që mos ti harroj dhe jam e sigurt se do të jetë prapë një nga ato sfilata, që do të mbahen mend gjatë.

Përtej punës, si është Suela si nënë?
Në fakt, unë e di që nuk jam perfekte. Unë luaj me to, lexoj përralla, bëjmë detyra, qeshim dhe vallëzojmë. Fundjavën e kam me to plotë. Vajzat janë drita e syve të mi. Edhe bizneseve u kam vendosur emrat e tyre. Vajzat e mia janë të edukuara, të shkëlqyera me mësime dhe fëmijë shumë të dashur, pra gjënë më të rëndësishme që kam, dashurinë ua kam transmetuar dhe trashëguar. Ato po rriten në një familje të lumtur, me nënën dhe gjyshin.

Diçka që e keni peng nga rrjedha e kohës?
Të kujdesem pak më shumë për veten. Dua pak kohë për veten, të ushqehem sa më shëndetshëm, aktivitet fizik, këto ishin dhe prioritetet që kam shënuar për të realizuar në 2020.

Një pasion që nuk e keni bërë më parë publik?
Pasioni im janë bizneset. Dua të kem në pronësinë time si dhe në bashkëpronësi biznese. Jam duke hapur të tretin këto kohë. Gjithçka që kam më jep emocion, më rreh zemra fort për to. Do të dëshiroja që të krijoja një strukturë, ku njerëzit të vinin me qejf në punë, të jenë të lumtur dhe mos ta shikojnë shefin si gogol.

Cila është forma për të pasur sukses të përhershëm?
Unë punoj shumë, studioj shumë dhe trajtoj çdo gjë me dashuri. Jam mirënjohëse gjatë gjithë kohës për çfarë kam arritur. Po ashtu u jam mirënjohëse ndaj njerëzve, që më kanë ndihmuar, jam mirënjohëse ndaj gazetarëve, që përcjellin atë që unë bëj. Studioj si në fushën e biznesit edhe ne fushën e modës në mënyrë audidakte. Dua të jem versioni më i mirë i vetes, çdoherë, dua të perfeksionohem. Asnjë formë tjetër përveç punës dhe mendësisë nuk njoh që të sjellin sukses të përhershëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.