OPINION

Pyetja për të cilën Meta nuk ka përgjigje

07:20 - 18.02.20 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sapo është mbushur fiks një vit që nga koha kur opozita zgjodhi rrugën radikale për të cilën me sa duket tashmë është penduar, Ilir Meta ka dalë në një konferencë shtypi për të denoncuar atë që e konsideroi si një grusht shteti. Ai, që të paktën verbalisht e ka dënuar djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale, foli për një puç që po bëhet pa luftë, pa gaz lotsjellës dhe pa tanke.




Sipas presidentit, fjala është për këmbënguljen e pareshtur të rilindjes për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Faktet e reja që ai dha janë skandaloze. Ato edhe njëherë tregojnë se si kreu i KED, Ardian Dvorani është misionar i bindur i qeverisë në këtë betejë.

Ato dëshmojnë se si tallja e rilindjes ka mbërritur deri në atë pikë që për hallet e propagandës së saj përdor edhe Komisionin e Venecias, të cilin e thërret në Tiranë për t’i marrë mendim dhe pa e pritur atë e voton vetë me votat e saj ligjin se si bëhet betimi i gjyqtarëve.

Pra, po të dëgjosh argumentimin e presidentit, nga ana ligjore dhe teknike, atij i jep 100% të drejtë.

Por, Ilir Meta nuk është thjesht një administrator ndërmarrjeje që të përleshet gjyqeve me një ushtar të rilindjes. Ai nuk është as gazetar investigativ për të bërë punën e atyre që heshtin për të treguar manovrat meskine të pushtetit.

Ai është president republike dhe mbi të gjitha, një politikan që qëndron prej tri dekadash në skenë.

Pa neglizhuar detyrat e veta të përditshme (e në mes tyre dhe proceset me Dvoranin apo informimin e publikut për talljen me Komisionin e Venecias) përgjegjësia e tij është të japë rrugëzgjidhje politike.

E deri më tani, në kushtet e një regjimi që vijon një grusht shteti permanent, Meta e ka hedhur poshtë rrugën radikale, braktisjen e Kuvendit dhe bojkotin e zgjedhjeve. Po ashtu, ai e harroi edhe nismën për yshtjen e turmave dhe dëgjimit të zërit të qytetarëve përmes referendumeve.

Ai ka mbetur thjesht te denoncimi i asaj që e dinë të gjithë: çmendurisë autokratike të Ramës për të mbetur i vetëm në skenë.

Por, kjo fazë tashmë është e tejkaluar. Në këtë vend, përpos ndonjë sharlatani me pagesë, nuk ka mbetur njeri pa e kuptuar se ku po rrëshqet Shqipëria.

Tani pyetja është se me ç’mënyrë ndalet kjo katastrofë: me rrugë të dhunshme e radikale, apo me krijimin e një fronti moral dhe ideal për t’u përballur me të keqen.

Në këtë pikë Ilir Meta nuk ka asnjë përgjigje.

Mundësinë e parë verbalisht e ka përjashtuar, ndërsa për të dytën, s’ka hedhur asnjë hap. Prandaj në këtë betejë, ai nuk po sillet politikisht, por thjesht si paditës i Dvoranit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.