KULTURË

Qeveria i ndalon Bashkisë së Tiranës, tjetërsimin e Qendrës së Artit

12:00 - 18.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Një vendim i ri i qeverisë për pronësinë e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit. E ndërtuar gjatë diktaturës, ‘kuzhina’ e madhe e artit pamor ku realizoheshin skulpturat e mëdha, prej kohësh pothuaj e lënë mënjanë, dhe mandej e mbyllur në fundin e 2018-ës me urdhër të ish- ministres Mirela Kumbaro me pretendimin mungesë efikasiteti, ajo rikthehet në qendër të vëmendjes kur i ndryshohet pronësia. Pas rrudhjeve të kohëpaskohshme të sipërfaqes që zotëronte, një vendim që mban datën 13 shkurt, ia merr pronësinë Ministrisë së Kulturës dhe ia kalon Bashkisë Tiranë, ndonëse bëhet fjalë për një ‘institucion’ në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe në funksion të artit, përtej Tiranës. Shpesh, sa herë prona të tilla me vlerë madhore, në zona kadastrale ku çmimi i metrit katror është i lartë duke qenë në afërsi të qendrës së qytetit, ose në unazën e qytetit kanë ndryshuar pronësi, ka pasur gjithnjë rrezik edhe se ndryshimi i pronarit, qoftë ky edhe shtet, do t’i hapë rrugë tjetërsimit të funksionit të përdorimit. Kujtojmë se edhe për Teatrin Kombëtar që mbrohet prej dy vitesh nga artistë e qytetarë, së pari iu hoq pronësia Ministrisë së Kulturës dhe iu kalua bashkisë së Tiranës, më pas kjo e fundit, shpalli projektin për rehabilitim/ rikonceptim të qendrës së qytetit. Megjithatë, dukë lënë mënjanë shembujt e mëparshëm dhe mënyrën se si është proceduar pas ndërrimit të pronësisë, në rastin konkret Vendimi i Këshillit të Ministrave, ka vënë në pikën 2 një porosi për bashkinë: “Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve”.




Vendimi i qeverisë për Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit Busti i diktatorit te godina e dikurshme e QRVA-së Godina e dikurshme e Qendrës për Realizimin e Veprave të Artit
<
>
Vendimi i qeverisë për Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit

VENDIMI
Me vendimin Nr. 124, datë 13.2.2020, me propozimin e ministrit të
Kulturës, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Kalimin në pronësi nga Qendra e Realizimit të Veprave të Artit te Bashkia Tiranë, të pasurisë nr. 4/239- N, me emërtimin “Qendra e Realizimit të Veprave të Artit”, në zonën kadastrale 8260, me sipërfaqe 348 (treqind e dyzet e tetë) me adresë: Rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, me qëllim përdorimin për kryerjen e veprimtarisë kulturore të Qendrës së Restaurimit dhe Realizimit të Veprave të Artit “Tirana”, sipas genplanit e planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2.
Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
3.
Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare, të pjesshme, të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr. 219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë), të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Njësisë Administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
4.
Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

QENDRA
Qendra e Realizimit të Veprave të Artit bënte realizimin e veprave monumentale në skulpturë, plastikë të parkut, zbukurime, dekoracione për interiere dhe eksteriere me rëndësi për trashëgiminë kulturore kombëtare. Ajo bënte realizimin e veprave të artit në një gamë të gjerë materialesh si në bronx, tunxh, bakër, alumin, lëndë plastike, gips, beton, hekur, qeramikë.

QRVA kishte për detyrë mirëmbajtjen, pastrimin dhe restaurimin e veprave të artit ekzistues në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj aktivizonte specialistë, artistë, administratorë teknikë, punonjës profilesh të tjerë me kohë të plotë, të pjesshme ose me kontratë pune periodike dhe bashkëpunonte me Galerinë Kombëtare të Arteve, Akademinë e Arteve, me pushtetin vendor, krijues arti dhe individë të ndryshëm.
Pasa shkrirjes së Qendrës Kombëtare të Realizmit të Veprave të Artit, për mirëmbajtjen e veprave të artit në rang kombëtar u la që secila bashki të kujdesej për veprat e zonës së vet, ndërsa vetë qendra i kaloi vetëm bashkisë së kryeqytetit. Asokohe, Agim Rada, ish drejtues i Qendrës, shprehte shqetësim se dëmi që do t’u bëhet skulpturave do të jetë i parikuperueshëm, nëse për restaurimin e tyre nuk do të kujdesen specialistët e fushës, duke aluduar për bojaxhinj që do të lyenin monumentet me ngjyra pa u shqetësuar për artin e veprës.
Atëkohë, në një bisedë me gazetaren Valeria Dedaj, drejtori i Galerisë së Arteve “Vilson Kilica”, Pandeli Lena në Fier, thoshte se ende nuk kishte dijeni, se kush duhej të kujdesej për këto vepra. “Këto vepra kanë një lloj ligji, në përgjithësi në pronësi janë të Bashkisë, dekorit të qytetit. Por në restaurime edhe në mirëmbajte varen nga Qendra e Realizimit të Veprave të Artit në Tiranë. Ata kanë ardhur para disa kohësh për t’i restauruar të gjitha veprat. Bashkitë nuk kanë specialistë. Duhet një artist i specializuar për këtë. Këta specialistë në mirëmbajtjen e këtyre veprave vijnë nga Tirana, Qendra e Realizimit të Veprave të Artit që bëjnë këtë rol. Të gjitha veprat që janë sot në Fier, janë të restauruara para gjashtë muajsh, pasi harmonizimi i bashkisë me Qendrën e Artit është shumë harmonike. Unë kam një jetë të gjatë në këtë punë. Në qytetin e Fierit kanë ardhur komisione nga Tirana për të krijuar edhe vepra për qytetin. Por për mungesë fondi, nuk është krijuar që nga vitet ‘80″, shprehej Lena për Dedajn.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.