EKONOMI

Rivlerësimi i 40 mijë pasurive, publikohet formulari

11:59 - 18.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Të gjithë individët dhe personat juridikë, të cilët kanë në proces regjistrimi pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përshirë edhe lejet e legalizimit duhet të përheqin formularin tip, kërkesën për rivlerësim. Në formular duhet të plotësohen të dhënat e pronarit, të dhënat për pronën, rivlerësimi i pasurisë nga kadastra ose eksperti dhe tatimi për t’u paguar.




Rivlerësimi
Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit 3 % e bazës së tatueshme dhe tarifën e shërbimit. Në rast se individi ka aplikuar apo do të aplikojë, brenda datës 30.9.2020, për të regjistruar më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive. ASHK-ja vijon me trajtimin e aplikimit për rivlerësimin e pasurisë në proces regjistrimi dhe llogaritjen e tatimit 3%, nëse dokumentacioni i paraqitur për regjistrimin e pasurisë në regjistrat e pasurive të paluajtshme është në përputhje me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”.

formulari 3 formulari 1 formulari 2
<
>

Llogaritja
Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë drejtoria vendore e ASHK-së, kjo do të bëhet me çmimet referuese të përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi, në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit të pasurisë në proces regjistrimi dhe sipas përcaktimeve të udhëzimit nr. 29, datë 30.7.2018, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, dhe konkretisht: Nëse pasuria në proces regjistrimi nuk ka të përcaktuar vlerën në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit, sipas çmimeve referuese, në përputhje me aktin nënligjor në fuqi, dhe vlerës së zbritshme. Në këtë rast, si vlerë e zbritshme për ndërtesat do të merret vlera e kostos së shfrytëzimit për metër katror, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi (udhëzimi përkatës i Këshillit të Ministrave), në momentin e aplikimit për regjistrim të pasurisë së paluajtshme. Ndërkohë, si vlerë e zbritshme për tokën do të merret vlera sipas çmimeve të hartës së vlerave në fuqi, korrektuar me indeksin e inflacionit, sipas udhëzimit nr. 29, datë 30.7.2018, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.

Regjistrimi
Nëse pasuria në proces regjistrimi ka të përcaktuar vlerën në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit, llogaritur me çmimet referuese, sipas aktit nënligjor në fuqi, dhe vlerës së pasurisë së pasqyruar në aktin përkatës të fitimit të pronësisë që evidenton pasurinë e paluajtshme. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë një ekspert i licencuar, kur: Pasuria në proces regjistrimi nuk ka të përcaktuar vlerën në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit nga vlerësuesi (eksperti), me vlerën sipas kostos së shfrytëzimit për metër katror, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi (udhëzimi përkatës i Këshillit të Ministrave) në momentin e aplikimit për regjistrim të pasurisë së paluajtshme. Ndërkohë, si vlerë e zbritshme për tokën do të merret vlera, sipas çmimeve të hartës së vlerave në fuqi, korrektuar me indeksin e inflacionit, sipas udhëzimit nr. 29, datë 30.7.2018, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Pasuria në proces regjistrimi ka të përcaktuar vlerë në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit nga vlerësuesi (eksperti) dhe vlerës së pasurisë së pasqyruar në aktin përkatës të fitimit të pronësisë që evidenton pasurinë e paluajtshme.

Aplikimi online
Individi ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë në proces regjistrimi, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar, që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme, ose të vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar). Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së që është kompetente për territorin ku po regjistrohet pasuria e paluajtshme. Individi që aplikon online për rivlerësimin e pasurisë në proces regjistrimi duhet të plotësojë në rubrikat përkatëse të platformës e-Albania të dhënat identifikuese të pasurisë në proces regjistrimi që kërkohet të rivlerësohet. Nëse individi nuk plotëson rubrikat që identifikojnë pasurinë, ai duhet detyrimisht të ngarkojë në platformë kopje të skanuar të dokumentit të pronësisë që disponon për pasurinë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.