Kryesore

Sabiha Kasimati/ “Kundër rrymës”, botim për fëmijë mbi gruan e guximshme

11:00 - 18.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Si mund të jetë një grua e lirë? Një grua që e di ç’është liria? Me flokë jeshile dhe pa buzë. Vizatimi nuk i ngjan fare personazhit ku është bazuar por ky dallim ka një qëllim: jeta e mikes së peshqve tregohet si përrallë nga vetë peshqit, duke vënë në vend të diktatorit një peshkaqen të madh, të zi e të frikshëm që pothuaj zë gjithë faqen.
Është përuruar dje në Tiranë libri për fëmijë “Kundër rrymës” – një histori për Sabiha Kasimatin, miken e peshqve. Botimi me ilustrime sjell në fraza të thjeshta historinë e shkencëtares shqiptare që u ekzekutua pa gjyq nga regjimi komunist pasi e ngarkuan me faj si pjesë e grupit të intelektualëve që ideoi vënien e bombës në Ambasadën Sovjetike. Procesi i librit të financuar nga “Konrad Adenauer” është ndjekur nga Klaudja Zerva dhe hedh dritë mbi jetën e një prej grave më frymëzuese shqiptare të shekullit të kaluar.
LIBRI
Libri me ilustrime u drejtohet kryesisht fëmijëve dhe të rinjve. Aty tregohet jeta e biologes dhe iktiologes Sabiha Kasimati përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët ajo i studioi intensivisht, duke ngritur edhe të parin muze të shkencave të natyrës, pasi kishte studiuar peshqit e ujërave të Shqipërisë. Ky libër ka si qëllim të ndihmojë lexuesit e rinj, të kuptojnë terrorin e regjimit komunist në Shqipëri, si dhe t’i vetëdijësojë ata, se krijimtaria në shkencë dhe në jetë mund të lulëzojë vetëm në liri.




Bashkautorët e botimit, Vytene Muschik që është marrë me tekstin dhe Lina Itagaki që ka realizuar ilustrimet, folën dje për realizimin e këtij botimi që i paraqet personazhet e jetës së Sabihasë në formën e peshqve të dashur (babai dhe nëna) dhe në formën e peshqve të frikshëm (diktatori).
Autorja e tekstit të botimit, Vytene Muschik tha se ideja për këtë libër i ka lindur një vit të parë kur punoi në një projekt të Autoritetit të Dosjeve me Performin për Shkencëtarët shqiptarë nën komunizëm. “Mes 10 shkencëtarëve ishte një grua. Kur mësova fatin e saj, kur studiova faktet, vendosa për këtë libër. Puna u bë mes Lituanisë dhe Shqipërisë. Më një ide shumë e mirë, që dialogët të vinin nga pikëpamja e peshqve. Kishte shumë rëndësi që ky libër të bazohej në fakte të vërteta, por edhe të përdornim fantazinë”, tha ajo.

Faqe nga libri për Kasimatin dhe peshku diktator Faqe nga libri për Kasimatin Kopertina e librit për shkencëtaren e ekzekutuar nga regjimi komunist Sabiha Kasimati
<
>
Kopertina e librit për shkencëtaren e ekzekutuar nga regjimi komunist Sabiha Kasimati

Lina Itagaki që ka realizuar figurat ka bërë disa projekte të ngjashme në vendin e saj, për figura e situata historike. Tha se në fillim bëri vetëm skica pastaj udhëtoi në Romë, kur fliste për periudhën italiane të Sabihasë, në Francë kur fliste për periudhën ë kohës kur ishte mësuese frëngjishteje dhe sa donte të dinte çdo gjë për kohën kur ndodhin ngjarjet, si ishin veshjet, si ishin makinat, si ishin anijet.
Dje para fillimit të përurimit, Tobias Rüttershoff, Drejtor i Zyrës për Shqipërinë i Fondacionit “Konrad Adenauer”, tha se kur mori detyrën një vit më parë dhe e gjeti këtë projekt në zyrë, në fillim ishte i pasigurte. “Ne jemi fokusuar në fushën e ripajtimit mbi të shkuarën, jemi të fokusuar te brezi i ri dhe ky ishte një libër ‘komik’. Më pas, shkuam në Korçë pamë qytetin ku Sabiha Kasimati u rrit e shkoi në shkollë dhe jam i lumtur që në kaq pak kohë ne kemi arritur ta mbarojmë librin”.

Studiuesi Uran Butka që është marrë gjatë me historinë e të pushkatuarve për Bombën në Ambasadën Sovjetike, kujtoi se Sabihaja vinte nga një familje mjekësh libohovitë. “Ishte dallëndyshja e parë e Liceut të Korçës dhe më tej pati nxënëse edhe Nexhmije Hoxhën. Kjo e fundit në ‘Kujtimet’ e veta thotë se Sabihaja ishte pedagoge e mirë por nuk thotë se ajo ngriti dorën për pushkatimin e saj”, u shpreh Butka. Ai kujtoi episode të jetës së shkencëtares, që nga vizita që i bëri në zyrë Enver Hoxhës ku i tha se “po vret të gjithë intelektualët, me kë do ta bësh Shqipërinë, me këpucarë e teneqexhinj” deri te takimi e një zyrtarë të lartë që i këshilloi të ishte e kujdesshme, “duhet ta qepësh gojën jo me karficë po me babushkë- paramangë”. Për natyrën e saj, tregonte shumë edhe një tjetër episod. Qe një kohë që pas dënimit të Koçi Xoxes, Tuk Jakova shprehej se në të ardhmen nuk do ndodhin më krime të tilla por sipas Butkës Sabihaja thoshte se kjo ishte një metodë lirim-shtrëngimi. “Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq. Që do të thoshte se të de do pushkatohej”, kujton Urani nga dokumentet. Në fund, ai solli në vëmendje edhe një detaj nag gjetja e varrit masiv në Mënik pranë Ndroqi. “Ishte një xhaxha atje që na ndihmoi te kërkimet e gërmimet. Xha Kadriu nga Mëniku më tregonte se kur dolën trupat, dikujt i ra të fikët, kur pa trupin e një gruaje të patretur nga varri masiv i 22 intelektualëve që u ekzekutuan më 1951 me pretekst Bombën në Ambasadën Sovjetike.

SABIHAJA
Janë të guximshme kritikat e saj të drejtpërdrejta, nëse kemi parasysh se regjimi i kohës, në vitet 1946-1947 e kishte treguar tashmë natyrën e tij hakmarrëse ndaj kundërshtarëve, madje vetë Sabihaja kishte njohur tronditjen e humbjes së miqve të afërt. Me gjithë erën e frikës që ndjehej mes intelektualëve, ajo vijoi punën për përgatitjen e monografisë “Peshqit e Shqipërisë” siç mësohet nga plani i punës së Institutit të Shkencave. Procesverbali i mbajtur nga Gjykata Ushtarake, pretendon se Kasimati e ka pranuar një pjesë të akuzave dhe ajo citohet të ketë thënë: “Kam qenë kundra pushtetit popullor sepse nuk përputhet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit, që me akte revolucionare të arrihet në komunizëm, jam lidhur me një grup shokësh te cilët edhe ata kanë qenë armiq të partisë Komuniste”. Ajo ende nuk i kishte mbushur 39 vjeçe, kur ia prenë jetën në mes. E vetmja gjë që mund të thuhet, është se Shqipëria komuniste nuk kishte vend për një grua të lirë, që kishte qenë indiferente gjatë luftës e që ishte kritike pas luftës, për atë që po bëhej atdheu i saj. Vajza që dikur kishte lënë Turqinë e mandej Italinë për të bërë muze shkencash e studime shkencore, qe tepër e lirë për ta lejuar të jepte shembullin e saj në Tiranën që kërkonte një tjetër model të gruas komuniste. Vajza e re që erdhi e strukur në krahët e të atit, nuk u la të thinjej. Mbeti përjetësisht e re me pengjet e atyre që nuk e lanë t’i bënte.
Për të “evolucioni ishte në natyrën e gjërave” dhe koha provoi se kishte të drejtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.