OPINION

“Komunuelthi ekonomik shqiptar”, një alternativë që duhet riparë

07:58 - 19.02.20 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ngjarja kulminante që shënjoi javën e kaluar ishte konstituimi i kuvendit dhe qeverisë së re në Kosovë me në krye liderin e VV-së, Albin Kurtin. Një lider sa ekstravers po aq kontravers, opozitar aktiv qysh në rininë e hershme dhe ndër partizanët më konsistent në pështjellimin dhe elaborimin e tezës së “bashkimit kombëtar”. Por, me ardhjen në pushtet, kjo axhendë u duk se u shty për një moment të dytë (së paku kështu u deklarua prej Kurtit), pasi si fillim duhej punuar për zhvillimin dhe përmirësimin e brendshëm.




Ama kryeministri Kurti e gjithë liderët shqiptarë në rajon duhet të kenë parasysh se shtetet tona si entitete sot të mëvetësishme, duke thelluar bashkëpunimin strategjik ndihmojnë në zhvillimin e tyre dhe i hapin rrugën edhe një “bashkimi kombëtar” në një të ardhme. E kur bëhet fjalë për vendet tona, dimë se “gangera” më e madhe e jona është ekonomia. Ndaj edhe ndryshimi i filozofisë së bashkëpunimit ndërshqiptar duhet të fillojë nga ekonomia, për t’u pasuar nga politika, sporti, kultura e fushat e tjera. Të ashtu quajturin “makro-shengeni shqiptar”, që përmendi në konferencën për shtyp.

Në momentin kur në unison të shkohet drejt kësaj alternative, vlen të shqyrtohet platformë-ideja e rilindasit të fundit, ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë dhe ideologu i shqiptarisë, Arbën Xhaferri. Ai kërkonte krijimin e një “Komunuelthi ekonomik shqiptar”, një koncept që ai e shqiptarizoi, duke e quajtur “mbrothësia e përbashkët shqiptare”.

Vite më parë gjithçka folëm më sipër do të dukej blasfemi, por jo sot më. Sot i kemi dy shtete që me gjithë presionin ndërkombëtar, janë shtete shqiptare. Kosova mbase nuk bën 100% jetën tipike ndërkombëtare të një shteti në të gjithë elementët e sovranitetit, por në marrëdhëniet dypalëshe, apo nga organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme konsiderohet si e tillë. Dhe nëse bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga bashkimi i këtyre shteteve shqiptare “de facto”, me siguri kuadri ekzistues i normave, i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian e favorizon bashkimin ekonomik. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë dikur, ajo e CEFTA-s sot favorizojnë heqjen e “kufijve” për ekonominë.

Komunuelthi është një koncept mbi të gjitha juridik, por jo vetëm. Në histori ka njohur evolucion thelbësor: në interpretim literal njehsohet me ekuivalentin anglisht të fjalës latine “respublica”, apo “e mira e përbashkët”, apo “mbrothësia e përbashkët”. Në formën e organizimit shtetëror ka ndryshuar shumë që nga koha kur u përdor për herë të parë nga Kromuelli, duke marrë trajtën e shoqërizimit të disa shteteve sovrane, që diku bashkohen nga gjuha, diku nga tradita historike e përbashkët etj.

Në situatën tonë, “Komunuelthi ekonomik shqiptar” mund të shihet si ndërtim i një sistemi në dy shtete”, siç u bë në rastin e trupëzimit (inkorporimit) të Hong-Kongut në Kinë, kur u përdor edhe për herë të parë ky term: “një shtet, dy sisteme”. E thellimi i këtij bashkëpunimi duhet të nisë nga gjërat që janë më të lehta për t’u rregulluar.

Qeveritë tona në të dyja anët e kufirit i kanë zëvendësuar tarifat doganore me taksa private që vijnë nga koncesionet, si tolli i “Rrugës së Kombit”, skanimi, terminali doganor në Kosovë etj. Një biznesi nga Shqipëria që eksporton në Kosovë i duhet të harxhojë vetëm për një procedurë gati 276 euro. Nga kjo shumë, 30 euro shkojnë për agjencinë doganore, 40 euro janë pagesë terminali, 68 euro kushton certifikata fitosanitare (ku 28 euro është pagesa standarde për 20 tonë plus 2 euro të tjera për çdo ton). Ndërsa 138 euro të tjera janë pagesa për tarifat e hyrjes në rastin e një kamioni dhe 22,5 euro të tjera pagesa e tollit të rrugës në Kalimash.

Tarifa të tilla që shkojnë deri në 10% të vlerës së mallit jo vetëm që i bëjnë jokonkurrues mallrat tanë, por gjithashtu zvarrisin procedurën e lëvrimit (zhdoganimit) të mallrave në mesatarisht 2 ditë. Pra, në terma të thjeshtëzuar, kosto e lartë dhe kohë e humbur, që në vetvete përbën kosto shtesë për biznesin. Gjithë ky lëmsh tarifor dhe burokratik mund të zgjidhet shumë thjesht, mjafton vullneti i qeverive për ta bërë ndërveprimin më fleksibël dhe nxitur përdorimin e teknologjive si ajo e “faturës-deklaratë”.

Ndërkohë, dakordësi duhet mes palëve edhe për të investuar secila në sektorët që sigurojnë komplimentarit. Si dy ekonomi me tipologji dhe resurse deri diku të ndryshme, pavarësisht mungesës së prodhimit mund ta lehtësojmë bilancin tregtar dhe makroekonomik të njëri-tjetrit. Produkte si karburanti, ne mund t’ua ofrojmë konsumatorëve kosovarëve, pasi e sigurojmë si nga prodhimi vendës i rafinerisë së Ballshit, ashtu dhe rieksporti që mund të bëjnë kompanitë shqiptare të karburanteve në Kosovë. E njëjta gjë me produktet bujqësore (fruta-perimet dhe grurin nga Kosova), energjinë që ne e sigurojmë nga rezervat hidrike, kurse ata nga TEC-et, duke shmangur blerjen me kosto stratosferike në periudhat e pikut (ne në dimër e ata në verë) etj.

Kështu, argumentet që mund të shpalosim në favor të të menduarit dhe punuarit për forcimin e “ekonomisë kombëtare” janë të shumta. Ndonjë kritik mund të ketë rezerva për platformën e “Komunuelthit ekonomik shqiptar” që rihodhëm në diskutim, por me rëndësi është të angazhohemi sa më shpejt në këtë rrugë, pasi shumë kohë është humbur duke “hedhur e pritur” teza e antiteza në lidhje me këtë debat të kahershëm në diskursin tonë kombëtar. Është koha të fillojmë të veprojmë, pa humbur akoma më shumë kohë dhe terren në raportin tregtar mes shteteve tona.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.