OPINION

Një herë në një mijë vjet

07:20 - 19.02.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pardje ndodhi një mrekulli. Në Konferencën e Dhuruesve në Bruksel, në pasditen e 17 shkurtit, 94 shtete dhe organizata ndërkombëtare ndihme dhe zhvillimi kontribuuan me një bujari dhe angazhim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar Shqipërinë. Duhet t’u ndihemi mirënjohës përjetë për këtë shpirt të pastër njerëzor dhe solidaritet të paparë. Njeriut që organizoi gjithçka dhe që na erdhi në ndihmë me fondet nga buxheti i saj si presidente e Komisionit Evropian, Ursula von del Leyen. Drejtuesve të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, për mbështetjen e fortë. Drejtuesve të vendeve të Ballkanit për ndihmën bujare. Drejtuesve të shteteve të Gjirit Persik për një mbështetje financiare të jashtëzakonshme. Të gjitha shteteve (mbi 70) anembanë botës, që dhuruan fonde ose mjete ndihme. Praktikisht e gjithë bota na dha një dorë të madhe miku dhe ndihme të sinqertë. Nga Norvegjia në Katar, Brunei dhe Kore të Jugut. Të 1.15 miliardë eurot e mbledhura në dhurata dhe hua të buta me afat të gjatë shlyerjeje për të pastrehët dhe të zhvendosurit e 26 nëntorit 2019 përbëjnë, krahas një solidariteti të mrekullueshëm dhe mbarëbotëror njerëzor, edhe një shans që i vjen vendit tonë një herë në një mijë vjet. Duhet ta kapim mirë. Janë 400 milionë euro që janë dhuruar. Praktikisht përbëjnë 3 për qind të prodhimit kombëtar. Është sikur papritmas të na jetë dyfishuar rritja ekonomike! Këto para duhet të vihen menjëherë në funksionim. Dhuruesit janë gati të bashkëpunojnë. Asnjë prej tyre, për çfarëdo shume qoftë, nuk duhet të neglizhohet. As edhe lënë të presë në radhë “Prit se kemi edhe të tjerë që po trajtojmë”. Gatishmëria jonë si shtet dhe qeveri duhet të jetë maksimale. Kemi një histori shumë të trishtë dhe të hidhur me ndihmën ndërkombëtare. Me kapacitetet tona të ulëta për të menaxhuar si duhet në këto 30 vite ndihma të marra në nivele miliarda dollarë dhe euro. Me papërgjegjshmërinë ekstreme, me kërkesa të hapura apo të fshehta nga nëpunës publikë ndaj donatorëve, për të përfituar abuzivisht në emër të zgjidhjes së ndonjë ngërçi burokratik, shpeshherë të krijuar nga nëpunësit vetë. Dhuruesit ndërkombëtarë në Shqipëri kanë qenë të detyruar, pas dekadave indiferencë, papërgjegjshmëri dhe abuzim nga ana jonë që të krijojnë vetë mekanizma koordinimi të ndihmës së tyre te ne.




Tani asnjë dukuri e tillë e shëmtuar nuk mund të tolerohet, falet! Çdo kërkesë donatori duhet plotësuar në kohë dhe pa asnjë kusht. Me donatorët dhe strukturat e tyre për dhënien e fondeve nuk mund të lutet. Si qytetarë dhe si media, duhet të denoncojmë me forcë çdo rast papërgjegjshmërie dhe zvarritjeje të ndihmës së tyre. Mbështetja e ofruar është kaq e gjerë dhe e gjithanshme, saqë kemi dhe “luksin” e ribisedimit të kushteve të një huaje të butë, me përqindje interesi shumë të ulëta dhe një afat shlyerjeje zakonisht 15-20 vjet. Kemi nevojë për një ekip të gjerë koordinuesish që t’i përgjigjen çdo nevojë për informacion, çdo ‘e-mail’-i të dërguar nga përfaqësuesit e donatorëve. Ministria e Rindërtimit nuk e ka momentalisht kapacitetin e përpunimit të informacionit teknik dhe financiar për projektet që do të nisin të përgatiten e të kërkojnë miratim të shpejtë. Ajo duhet ose të kërkojë urgjentisht ekspertë të financave të donatorëve jashtë strukturave të sotme qeveritare, ose të krijojë një grup të veçantë me ekspertë nga Ministria e Financave, të cilët duhet t’i fusë në punë sa më shpejt dhe me kohë të plotë. Në gjithçka jemi në garë me kohën, pse rindërtimi nuk pret dhe të 17 mijë qytetarët që vuajnë jashtë shtëpive të tyre të humbura kërkojnë një sistemim përfundimtar sa më shpejt. Rindërtimi do të jetë një kantier i madh gjigant, i cili tani që u siguruan fondet nga të 94 shtetet dhe organizatave dhuruese dhe të asistencës ndërkombëtare, duhet hapur një orë e më parë. 400 milionë euro, nëse arrijmë t’i sigurojmë brenda këtij viti, e katapultojnë rritjen tonë ekonomike në dyfishin, 6 për qind. Kjo rritje hap vende të reja pune dhe sjell shpresë. Është një mbarësi, ogur i madh. Së bashku me hapjen e pritur në maj të 2020-ës të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, në takimin e nivelit më të lartë në Zagreb, do të jenë dy motorë që jo vetëm japin perspektivë, por përbëjnë garanci të sigurt që të mbajmë këtu një pjesë të rinisë që akoma nuk ka ikur. Të ndalojmë boshatisjen e frikshme të Shqipërisë. E cila po ndodh!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.