KULTURË

Dosjet sekrete/ Arratisen nga Shqipëria, por detyrohen të bëhen sigurimsa

11:14 - 20.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Historianët duan që renditja e fakteve të jetë një ‘prozë’ me personazhe pozitive dhe negative. Një histori kontroverse do ta filloj me një ‘sekret’ të familjes sime, xhaxhain e tim eti, që ishte shtetas amerikan. Që të kuptoni tmerrin e familjes sime për ‘xhaxhain amerikan’ mjafton t’u them se ata i dogjën të gjitha fotot e tij dhe ndaluan çdo bisedë për të. Ikën nga Gjirokastra e erdhën në Tiranë”. Është ministri i Diasporës, Pandeli Majko, për disa vite edhe zëvendëskryeministër e kryeministër i vendit, që në konferencën “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990” rrëfen historinë e tij kaq personale e kaq të lidhur me përndjekjen e frikën nën regjimin komunist. Megjithëkëtë, në 3 dekada demokraci stërnipi i xhaxhait amerikan nuk ka mundur të bëjë çfarë duhej bërë për nipërit që i mohuan xhaxhallarët pa dashje e për ata që humbën jetën për fajet e pretenduara të xhaxhallarëve. Në tri dekada nipër si ai dhe vetë ai kanë festuar disa herë me veteranët e LANÇ, ndërsa e majta në pushtet si pasardhëse direkte e Partisë Komuniste nuk ka arritur të krijojë një identitet të vetin larg “modeleve të mëdha” komuniste, duke ngatërruar shpesh idhujt me heronjtë e rremë dhe udhëheqësit e palavdishëm. Nëse nuk mundën të ndryshojnë asgjë nipërit e xhaxhallarëve amerikanë, çfarë mund të bëjnë nipërit e xhaxhallarëve komunistë?




 

TË IKURIT NË SHIFRA
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, institucion që organizoi konferencën, bëri një paraqitje të punës së Autoritetit që trajton dosjet e ish-Sigurimit, që çoi në realizimin e konferencës së parë mbi emigracionin politik. Duke e cilësuar si problematikë komplekse, ajo tha se preken edhe temat e nxehta dhe se diskutimi do të vazhdojë.
“Dialogu për emigracionin politik nuk do të jetë kaq i thjeshtë, sepse nga një anë janë dhimbjet, por nga ana tjetër është edhe bashkëpunimi me Sigurimin për të ruajtur familjet e tyre. Ka pasur bashkëpunim. Në përgjithësi Sigurimi donte që të kontrollonte personat më me influencë jashtë, por edhe organizatat politike, si ‘Vatra’ apo ‘Shqipëria e lirë’. Nuk kanë infiltruar institucione, por kanë dashur që t’i përçajnë”, tregoi Sula. Në vijim, studiuesi Gjon Boriçi shtoi se, “janë shpenzuar shuma marramendëse për të rekrutuar, ndjekur dhe survejuar”.
Sula dha të dhëna të sakta mbi numrin e të ikurve. “Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave. Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë. Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948. Rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në këtë përpjekje. Ikjet u kryen më shumë nga Gjirokastra (1399), Shkodra (924), Saranda (859), Korça (729), Kukësi (777), Vlora (436), Dibra (520), Tropoja (402) e më pas Tirana, me 333, Erseka (214), Pogradeci (178), Puka (184), Durrësi (161). Rreth 4785 u larguan nga ambasadat, me valën e parë të 2 korrikut 1990. Më tej, shteti filloi të emetonte pasaporta dhe të lejonte daljen nga Shqipëria, përmes ikjeve masive, që në fakt janë dhe imazhet më të fuqishme të denoncimit të një sistemi jonjerëzor”, konstatoi Sula.
Pa dashur të krijojë njëanësi në trajtimin e emigrantëve politikë, ajo vërejti se “të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë. Ata nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare”.

Çelja e ekspozitës për emigrantët politikë 87259028_645944842867122_786812741334597632_n 86993108_732173330519940_4184166739015106560_n 86694862_1520043684816547_3998732032816447488_n Dokumente për të arratisur 3
<
>

KËSHILLAT E
NDËRKOMBËTARËVE
“Duke parë Shqipërinë e sotme, unë vërej argumente të forta që e mbështesin këtë pikëpamje akademike: Shpesh dëgjojmë – dhe sa më i ndezur debati, aq më shpesh ndodh – fajësim pa kursim për ata që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë vetëm argumente kundër këndvështrimeve të tyre, gjë që do të ishte normale, por dëgjojmë përpjekje për t’u zhbërë figurën. Dëgjojmë refuzimin e dialogut me kundërshtarin politik. Dëgjojmë sulme ndaj atyre që përpiqen të vendosin faktet përballë miteve”, tha Bernd Borchardt, ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ai tha se, “e gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe ‘përballja me të kaluarën’, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar…”.
Sipas tij, komisionet e së vërtetës kanë luajtur rol thelbësor në shumë vende pas mizorive të diktaturave. Kultura e kujtesës e lidhur me viktimat dhe me vuajtjet përforcon ndryshimin e rrëfimit, që është i nevojshëm për të ndërtuar një shoqëri liberale pas shpërbërjes së një diktature. Siç e ka përkufizuar presidenti i ndjerë i Çekisë, Václav Havel: Ndryshimi nga ‘të jetosh brenda gënjeshtrës apo brenda të vërtetës”, – vërejti ai.
Mandej, fjalën e mori koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian Williams. Për të, mesazhi që duhej transmetuar në konferencë është që Kombet e Bashkuara besojnë fuqimisht që zbulimi i plotë dhe i vërtetë e së shkuarës ka vlerë direkte sa u takon përpjekjeve të sotme për të ndërtuar demokracinë. “Ka lindur nevoja për një proces gjithëpërfshirës të zbulimit të së vërtetës në Shqipëri – dhe këtu dua të nënvizoj e mbështes çdo gjë që kolegu im i OSBE tha mbi këtë temë. Historia e Shqipërisë ka rëndësi absolute për situatën e sotme. Si mund t’u kërkosh qytetarëve t’u besojnë institucioneve qeverisëse, nëse këto institucione nuk hedhin dritë dhe nuk bëjnë të njohur gabimet e tyre në të shkuarën?”, – pyeti ai. Për të, të marrësh përgjegjësi për gabimet e së shkuarës nuk është një shenjë dobësie, është akt kuraje. Të japësh llogari për të shkuarën – drejtësinë tranzicionale – është kusht i nevojshëm për të ndërtuar institucione llogaridhënëse dhe demokratike në Shqipëri”.

KONFERENCA
Konferenca u mbajt nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës dhe Institutin “Ali Hadri” Prishtinë. Krahas saj, u çel edhe ekspozita dokumentare mbi emigracionin nga AIDSSH dhe MEPJ, që ekspozuan dokumente të shumta arkivore, si pasqyra statistikore për të arratisurit, dosje drejtimi dhe kërkimi për të arratisur e të deklasuar, regjistra për personat në tentativë arratisjeje dhe albume fotografike të të arratisurve, që u përkasin qyteteve të ndryshme të vendit. Materialet arkivore janë pjesë e një fondi të pasur mbi emigracionin politik, që u është vënë në dispozicion studiuesve, mes të cilave, ngjarjet e ambasadave, organizatat politike, historia e familjes Popa dhe dosje mbi të arratisurit. U paraqitën fakte mbi qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj veprimtarisë së të ashtuquajturit “emigracion reaksionar” jashtë vendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, harta gjeografike e shpërndarjes së tij, propaganda dhe antipropaganda e përgatitur për t’u përdorur në çdo situatë, emigracioni i vjetër politik dhe shtimi i radhëve të tij me të arratisur të tjerë nga Shqipëria.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.