KULTURË

“Mërgata e qyqeve” propagandë, Lekë Tasi: Nasho Jorgaqi duhet të ishte këtu

12:26 - 20.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Patriotë a tradhtarë? Kjo është pyetja që luhat ende emrat e atyre që u arratisën nga regjimi komunist. Të trajtuar për pesë dekada si tradhtarë nga propaganda, tri dekadat e lirisë, nuk kanë arritur të rikrijojnë profilet e tyre si patriotë që ikën të jetojnë lirinë. Familjet e tyre u persekutuan, pronat ju morën, disa u vranë në kufi, duke humbur edhe të drejtën për varre, por ende sot, ka për ta, hije që mbeten pas. Studiuesi Enis Sultarova e bazoi referimin e tij të djeshëm në konferencën “Emigracioni Politik Shqiptar 1944-1990” te tema “Emigracioni Politik në letërsinë e realizmit socialist”. Mes shembujve që ai mori në analizë, ishin veprat me tituj “Armiqtë” me autor Fatmir Gjatën, “Ankthi i ditëve të fundit” me autor Skifter Këlliçin dhe një prej veprave më të njohura “Mërgata e qyqeve” me autor Nasho Jorgaqin.




VEPRA PROPAGANDE
Në fjalën e tij, Sulstarova tha se disa tregime e vepra të kësaj natyre, janë bërë edhe filma në bashkëpunim me Kinostudion. “Disa personazhe të kësaj letërsie janë personazhe reale. Jam bazuar kryesisht në tri vepra ‘Armiqtë’, ‘Ankthi i ditëve të fundit’ dhe ‘Mërgata e qyqeve’. Kjo e fundit është bazuar në disa zbulues që janë agjentë shqiptarë që janë vendosur të mërgata politike në vendet perëndimore. Këta shkrimtarë, qoftë Fatmir Gjatës, qoftë Nasho Jorgaqit u janë vënë në dispozicion, dosje të ish-Sigurimit, që ata të mund të merrnin materiale për t’i shfrytëzuar për veprat”,-tha Sulstarova. Ai shtoi se vepra e Këlliçit “Antkhi i ditëve të fundit” bazohet në një ngjarje reale për një skuadër partizane që shkon në Greqi për të gjykuar ish kryeministrin Koço Kota. Mes termave të përdorura, Sulstarova zgjedh disa fraza që sipas tij karakterizojnë elemente të caktuara të propagandës. “Personazhi i Manush Kelmendit te ‘Mërgata e qyqeve’ ka një tekst ku thuhet se ‘mos harro se mes tyre ka të gënjyer e të penduar’ që tregon një anë njerëzore të Sigurimit”, tha Sulstarova në referatin e tij. Ai shtoi se në këto romane del se mërgata është e harruar nga populli shqiptar e nuk e do më. “Vlera e mërgatave ngrihej e ulej sipas interesave të padronëve të huaj- citohet në vepra”, tha Sulstarova, i cili shtoi se kjo ishte një propagandë që bënte regjimi në atë kohë për të ulur frikën. Fjala e tij u prit me debate nga të pranishmit, që kërkoi të dinte mendimin profesional e personal të tijin, jo veprat e Jorgaqit që i cilësuan si propagandë.
Sulstarova u përgjigj se tema e tij është si shfaqet në letërsi emigracioni dhe për këtë nuk e ka parë të nevojshme të shohë arkivat e sigurimit. “Unë bëra lidhjen shkrimtarë- politikë. Këta ose ishin të afërt ose këta i kanë parë në mënyrë të përzgjedhur disa prej dosjeve të Sigurimit. Nuk kanë parë çfarë kanë dashur as ata. Kjo ka qenë për të treguar lidhjen politikë- regjim- letërsi. Kjo bënte propagandë për luftë klasash. Unë s’kam parë arkivat të cilave ju referohet Nasho Jorgaqi”, u përgjigj ai pas reagimeve.

ISH-I PËRNDJEKURI
KËRKON DEBAT
Pas Sulstarovës, fjalën e mori Lekë Tasi, artist, ish-violonçelist i Teatrit të Operës. Babai, xhaxhai, daja e vëllai i tij kishin qenë në burg, motra po ashtu.
Ai vuri në dukje se ka pasur disa lloje emigrantësh, por pyeti a janë të arratisurit boshti i historisë së Shqipërisë, apo është diktatura që i vriste e sillte rrotull nëpër fshatra kufomat e tyre? Sipas tij, Lufta NÇL është organizim i dy emisarëve jugosllav komunistë me tolerancën e intolerancën e anglezëve që i kërcënuan se do u prisnin furnizimet po të vrisnin nacionalistët.
“Emigrantët ktheheshin në atdhe për të ndryshuar diçka. Shtypja ishte ajo që thoshte fjalën e fundit. Elementët e arsimuar kanë humbur ato kohë. Nuk mund ta identifikojmë me partizanët diktatorin, por këta nuk e kundërshtuan sa duhen ndaj futen në një thes me të. Po të duam të bëjmë një bosht pozitiv të historisë ka shumë që i kanë rezistuar diktatorit, kanë kundërshtuar me rrezik koke. Shumica e politikanëve pozitivë shqiptarë janë vrarë”,-tha Tasi. Artisti vuri në dukje se gjendja psikokulturale në vend, librat, shkrimtarët e intelektualët- ka mes tyre profesionistë kurajozë. Por nga ana tjetër, kujtoi se ka pasur edhe prej tyre që kanë një njollë në kujtesën e tyre: “Juristë, studiues të mirë që refuzuan tezën e Enverit. Duhet të jemi të drejtë me ta, t’i evidentojmë. Që më 1945 një grup shkrimtarësh, me emra si Mark Ndoja, Skënder Luarasin, Petro Marko, Kasëm Trebeshina e Sejfulla Malëshova i thanë jo diktatit ideologjik nga Komiteti Qendror. Ata e pësuan, por ishte herët edhe për elementët e tjerë që u konformuan. Ata që u konformuan e kanë një njollë që vazhdoi të karakterizojë letërsinë tonë”.
Në fund të fjalës, ai u ndal edhe te romani i Nasho Jorgaqit. “Përmendët edhe këtu në konferencë romanin ‘Mërgata e qyqeve’ dhe më vjen keq që nuk bëhet këtu një debat i tipit sudfrikan. Nuk e kemi prezent autorin që të bëjmë një debat me autorin këtu. Të debatojmë drejtpërdrejtë me autorin. Ne na karakterizon më tepër se konformizmi, na karakterizon një lloj ndrojtjeje e një lloj mirësie e mirësjelljeje, një lloj hipokrizie”,-tha Tasi. Me mëdyshjen se ndofta s’ka ardhur koha e momenti, Tasi theksoi se “Ka diçka jokorrekte në ditët e kujtimit të së shkuarës. Janë të buta e mjaft sipas momentit të diktuara nga politika. E ndjej veten të pakënaqur. O duhet vepruar e të dalin faktet e të mos jenë inicialet. Nga ana e duhur e historisë vazhdojnë, pse? Duhet të dalin tinëzitë historike. Është vrarë njeriu pozitiv duke marrë o miratim o heshtje nga publiku”,-tha ai.
Artisti i njohur edhe për kujtimet e viteve të gjata të internimit në Grabjan të Lushnjes, kujtoi se “në vitin 2007 ka dalë historia e popullit shqiptar nga akademia e bërë kufomë, ku kanë shkruar historinë të korrigjuar pakëz po mbajnë të njëjtat teza me tradhtarë”.

INTELEKTUALËT E SOTËM
Pyetje të shumta u shtuan në sesionin e debatit në fund të konferencës “Emigrantët politikë shqiptarë 1944-1990”. Cili është qëndrimi ynë për atë që ka shkruar Nasho Jorgaqi? Qëndrojnë këto që ka thënë ai? A duhet të besojmë se ka qenë kështu? A mjafton të themi çfarë ka thënë ai, po si ishte e vërteta? Për shumë prej këtyre pyetjeve, studiuesi
Gjon Boriçi tha se “shumë gjëra nuk qëndrojnë siç del në kinemanë e realizmit socialist e letërsinë e asaj kohe, por nuk janë as bardh e zi. Kanë ngjyra. Ne si brez i ri e shohim ndryshe. Jam i ftohtë për ti parë gjërat si ishin. Ka që qëndruan, ka që thyhen. Historia nuk shkruhet në një ditë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.