BLUETOOTH

Veshje dhe poezi, stilistja Eglantina Frroku flet për koleksionin që mahniti gjermanët

10:33 - 20.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ajo ka gjetur strehëzën më të sigurt në ambientin ku punon, në të cilin ka ca kohë që vesh shpirtrat e njerëzve, tanimë dhe me vargje poezie. Një emër i lakuar shumë në Shtutgart, e vlerësuar për pasionin e jashtëzakonshëm që ka për të bukurën në veçanti për veshjet, e palodhur për të ndarë me njerëzit ngjyrat që i gufojnë zemrën, e pikasur si zonjëza e bukur që i ka befasuar gjermanët me talentin dhe vullnetin e saj, Eglantina Frroku vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, për të na njohur më tej me koleksionin e fundit të veshjeve që ka ngjallur kërshëri të madhe në Gjermani. Po ju kishit dëgjuar ndonjëherë për lidhjet e poezisë me veshjet? Eglantina ka mundur të bëj realitet ëndrrën e atyre që duan të përjetojnë ndjesinë e leximeve të mira, ndërkohë që kanë veshur diçka speciale. Kjo ide është përshëndetur nga të gjithë ata që i kanë besuar Frrokut për kaq shumë vite, si dhe nga dashamirësit e poezisë. Më tej, teksa i ka dhënë me finesë formë bisedës, stilistja na tregon për pjesën tjetër. Ne u njohëm me të përditshmen e Eglantinës, që i ngjan një kopshti lumturie, në të cilin i gjen të gjitha, familjen, miqtë dhe kohën që ajo i dedikon vetes. Ka çaste që i rikthehet pasioneve të së shkuarës, për të krijuar botën sipas perceptimeve të saj. Frrokut i është dashur të luftoj shumë për të qenë e suksesshme. Përmes punimeve, ajo do të lërë gjurmë, ashtu sikurse po ndodh tanimë në Gjermani.




Eglantina një nga emrat më të dëgjuar kohët e fundit në Shtutgart, që prej hapjes së dyqanit, por jo vetëm. Si po e përjetoni këtë fazë të përmbushjes suaj profesionale?

Nuk di të të them që jam më e dëgjuara në Shtutgart, pasi ndodhin shumë gjëra dhe ka aq shumë talente, saqë mendoj se jam një pjesë e vogël e saj. Këtë e konsideroj si përmbushje profesionale. Në një rrjet të këtillë të zhvilluar, në një qytet metropol si Shtutgarti, unë e shikoj si një hap gjigant dhe me shumë përgjegjësi profesionale atë, që kam realizuar deri më tani.

Media e shkruar në Gjermani ju njeh një kontribut të çmuar në fushën e stilimit. Së fundmi, keni menduar të sillni një linjë veshjesh që do i bashkëngjiten edhe poezi. Çfarë ju frymëzoi? Pse pikërisht kjo zgjedhje?

Linja e veshjeve me poezi ka ca kohë që shkon e vjen nëpër mendje e natyrisht si çdo ide, ka një proces zhvillimi. Duhet koha e duhur për ta çuar në atë nivel që të pritet mirë dhe të bëhet e qartë për klientelën. Frymëzimi ka ardhur përmes bisedash me miqtë. Marina një aktore në Berlin mbasi dëgjoi “Girl of the waves”, teatri-modë që organizuam vjet në Shtutgart, më ofroi të recitonte poezi në një shfaqje timen. Duke folur dhe me shkrimtarin Emil Asdurian që është shumë i njohur në New York, në Shqipëri po ashtu me vëllimet poetike, për një grimë, duke parë kartolinat më rekomandoi që veshjet ti shoqëroj me poezi. Mu duk ide gjeniale, sidomos për faktin se vështirësinë për të shkruar në një veshje që duket sikur s’ka ndjenja, ti e transformon duke i dhënë jetë përmes poezisë. Ky ishte qëllimi im. Kam dashur ti jap thellësi modës, veshjes, pasi në përgjithësi trajtohen në mënyrë sipërfaqësore. Për mua moda është pasqyrim i karakterit, artit dhe ndjenjave të një personi, ndaj bëra këtë zgjedhje dhe emrin ‘Poetic edition’.

86842022_2759716667480090_3726453697778024448_n 86807865_213184516749307_9221374511989915648_n 86800395_1167359720322896_1048630606214201344_n 87010373_283113485984022_3187696139788877824_n 87301898_2553534044968387_2951253169327308800_n 87287229_532791867342542_2355416436572160000_n
<
>

Poezia është e lidhur drejtpërdrejt me shpirtin. Është për t’u përgëzuar se si ju do i vishni fizikisht dhe shpirtërisht klientët tuaj. Impresionet e para që keni marr prej tyre?

Më pëlqeu thënia jote, për të veshur shpirtërisht dhe fizikisht, për sa i përket pyetjes së pritjes nga klientët. Në dritare kam shkruar “Poetic edition” dhe shumica pa ditur diçka më tepër rreth poezive kujtojnë se shkruhet poezi, ngaqë shohin ambientin dhe veshjet. I sqaroj pastaj dhe u jap bashkëngjitur me veshjen poezitë. Që në momentin e parë i lexojnë vargjet. Kjo më ngroh shpirtin dhe më fal emocione të papërshkruara.

Po me modelet, copat sa keni guxuar?

Me këtë pyetje kam pak probleme.(qesh) Në fakt, e shoh punën design time në përgjithësi të përfunduar, pra, në kompleks të ndërthurur. Për mua kjo që bëj është art. Gjithashtu, mendoj që nuk është guxim të presësh ose të disenjosh me rripa apo sa i përket modelit të hapur apo të shkurtër shumë. Për mua guximi qëndron tek arti në përgjithësi, se sa e ke shpalosur në veshje atë. Prerjen e shikoj diçka klasike, si një telajo, çfarë bën mbi të është e gjitha shtysë për të guxuar. E bukura e kësaj fushe është se arti nuk është zhaner i thjeshtë. Në të do guxuar. Po të sjell një shembull. Unë pikturoj mbi veshjen e qepur dhe kur kam menduar se është duke u prishur kam guxuar të vazhdoj më tej dhe me thënë të drejtën ka dalë shumë e bukur. Po ashtu, një koleksion capsule, që po bëj me piktorin e njohur Luciano Moral. Ai s’ka pikturuar kurrë mbi veshje (në proces mbarimi) dhe u desh të mendohej dy herë. Mund të them që ka dalë një koleksion që më pëlqen shumë dhe më ngjall emocione sa herë që e shoh.

Një ngacmim që do të sjellë një koleksion të ri?

Ngacmim që do të sjellë një koleksion të ri janë veprat dhe poezitë e poetëve të njohur gjerman dhe të zonës, pra e kundërta e krijimit të poezive mbi veshjen. Aktualisht jam duke punuar, kam mbledhur poezitë dhe do të bëj veshjet në bazë të saj dhe veshja do të marrë emrin e poezisë. Mbetet prap “Poetic edition”, që është e mbrojtur si ide.

Një business woman është shumicën e kohës larg familjes. Çfarë rruge keni zgjedhur për të qenë e suksesshme në punë dhe në familje?

Është e vërtetë që jam pothuaj 24 orë në punë, përfshirë dhe kohën, në të cilën jam në shtëpi. Edhe aty nuk mungon puna për të krijuar, dizenjuar ose dhe procese të tjera, si koncept show, përgatitje, ide etj, që mundohem ti bëj ndërkohë që jam në strehëzën time. Fëmijët janë frymëzimi im. I aktivizoj duke i bërë pjesë të punës sime. Tanimë, jeta e tyre ka ndryshuar është bërë më e pasur me lëvizje jashtë shtëpisë, më gjatë nëpër shkolla si dhe me pjesën e pandashme të shoqërisë. Edhe pse ata janë rritur dhe kanë jetën e tyre, unë vazhdoj të jem dëgjonjëse dhe këshilluese çdoherë që ata kanë nevojë e sidomos kur bëhet fjalë për shkollën apo dhe jetën private. Ajo që nuk ka ndryshuar në vite është e diela. Paradite jemi gjithmonë të tre në ngrënien e mëngjesit, ku shijojmë pafundësisht të qenit në shtëpi së bashku.

Sa ndikoni te zgjedhjet e vajzës suaj?

Në zgjedhjet e vajzës dhe djalit (kam dhe një djalë) nuk përzihem fare, pasi jam e bindur që bëjnë zgjidhjen e duhur. Gjithmonë kam qenë e mendimit që për të zgjedhur të duhurën duhet liria dhe të dëgjosh vetveten.

Dikush që sapo ju takon dallon te ju shpirtin e bukur dhe energjinë pozitive që përcillni. Çfarë ia prish Eglantinës këtë ekuilibër magjik?

Faleminderit për këtë përcaktim, ndihem e nderuar. Duhet të ndodhin shumë gjëra që të më prishet ky ekuilibër. Uroj mos të prishet asnjëherë! Për aq kohë sa fëmijët janë mirë dhe unë kam mundësi të jem kreative jam gjithmonë në ekuilibër pozitiv.

Një bisedë që ju ka ndryshuar rrjedhën e jetës?

Kanë qenë dy biseda në mënyrë paralele, me njerëz të panjohur me njëri-tjetrin. Një filozofe, shoqe dhe kliente imja me disa thënie të padëgjuar më parë, më bëri ta shoh jetën ndryshe; dhe një shok i zemrës artist më bëri të shoh Eglantinën dhe punën e saj me një sy ndryshe. Që nga ai moment, fillova të shikoj siç ndjekim me ëndje një film, hapat e hedhur.

Si nis dhe përfundon një ditë me ju?

Një ditë me mua fillon e përfundon me dhënie dashurie që në mëngjes kur bëhemi gati me fëmijët për punë e shkollë. Rrugës përshëndes kalimtarët dhe klientelën. Mendohem pastaj kë nga miqtë të telefonoj ose takoj. Dita më së shumti fluturon duke krijuar veshjet dhe duke bërë planet e biznesit. Kur mbrëmja bie nuk shtrihem asnjëherë për të fjetur pa puthur fëmijët. Duke dhënë dashuri ndihem e lumtur me gjithçka. Fundja, dashuria është burim i çdo frymëzimi.

Pasionet që s’i keni bërë më parë publike?

Ah, pasioni. Gjithmonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe sot, shkrimet. Të humbin qoftë edhe për pak nga grija e botës. Në gjimnaz kam shkruar shumë.

Me çfarë ngjyrash e shihni të ardhmen? Ka diçka që e prisni me padurim?

Të ardhmen e shoh plot me ngjyra. Kjo ndoshta lidhet dhe me perceptimin tim për të përçuar mirësi ngado. Gjithashtu, mezi pres ditën e diel dhe muajin e luleve, marsin.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.